Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka komentuar debatet e krijuara për resortin që pritet të ndërtohet në Zvërnec, që është pritur me protesta edhe në kryeqytet. Braçe e ka cilësuar si të paligjshëm shtrirjen e rrethimit të kantierit në Zvërnec deri në bregun e detit.
"Unë mendoj që rrethimi në Zvërnec, i bregut të detit është tërësisht i paligjshëm sepse bregu i detit është pronë shtetërore, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme", tha Braçe.
Por, për Braçen problemi më i rëndë është mënyra se si është tjetërsuar toka, nga fond pyjor në tokë bujqësore, sipas tij nga zyrtarë të korruptuar dhe më pas e shpërndarë në pronarë të rremë përmes ligjit 7501.
“Në Zvërnec ka një problem akoma dhe më të madh që lidhet drejtpërdrejt me atë që po zhvillohet si hetim. Titullin e pronësisë atje. Por më lejoni ta them. E thashë pak në parlament, por ngaqë parlamenti e ka humbur vëmendjen në konflikte banale personale, që fillojnë kohë pas kohe atje... besoj unë modestisht që kam dhënë një kontribut nga viti 2000, 2001, 2002, të paktën 300 e ca publikime sa i takon tokës bujqësore, tokës së ndërmarrjeve bujqësore dhe tokës private, në Qarkun e Vlorës. E kam thënë shumë qartë që në 2 tipologji ka qenë abuzimi në Vlorë, në Lezhë, Durrës, Sarandë e kështu me radhë.
Toka që është fond pyjor është tjetërsuar nga zyrtarë të korruptuar në tokë bujqësore, dhe është shpërndarë përmes ligjit 7501, duke krijuar pronarë të rremë, banorë të asaj zone që kanë pasur akses te zyrtarët e kohës që kanë marrë ato vendime dhe që janë pronarë të një toke që s’është bujqësore, dhe që sot e gjithë ditën është tokë fond pyjor, që kanë marrë tituj pronësie përmes vendimeve të korruptuara të gjykatave”, tha Braçe.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka nisur verifikimet, mbi titujt e pronësisë në zonën ku është parashikuar të realizohet investimi për një resort turistik. SPAK ka bllokuar gjithashtu dhe fondin 195 milion dollarë pronarëve të tokës, fond që u është kaluar nëpër llogari nga investitorët nga Katari. Fondi iu bllokua 6 ditë më parë dhe këtyre të fundit nga SPAK, por vetëm dje sekuestro preventive iu hoq dhe shuma kaloi në llogaritë e pronarëve për t’iu bllokuar sot në kuadër të hetimeve.
Komente










