Sot, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë diskutuan performancën e institucioneve të specializuara të Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Takimi erdhi pas një raporti mbi këtë temë të prezantuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Përmes një njoftimi delegacioni i BE-së në Shqipëri njoftoi se Gonzato tha gjatë fjalës së tij se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë e qëndrueshme dhe e pakthyeshme.
Teksa vlerësoi rezultatet e Reformës në Drejtësi, Gonzato shtoi se nevojiten më shumë ‘hetime financiare sistematike dhe proaktive, konfiskime të shpejta të aseteve, aftësi më të forta të provave dixhitale, mbrojtje të dëshmitarëve dhe sinjalizuesve, si dhe një angazhim të të gjithë shoqërisë për llogaridhënie’.
Reagimi i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri:
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon më shumë sesa ndjekje penale të suksesshme, ajo kërkon ndryshime të qëndrueshme sistemike. Sot, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë diskutuan performancën e institucioneve të specializuara të Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pas një raporti mbi këtë temë të prezantuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. "Reforma në drejtësi e Shqipërisë po jep rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por kjo luftë duhet të jetë e qëndrueshme dhe e pakthyeshme. Rruga përpara kërkon hetime financiare sistematike dhe proaktive, konfiskime të shpejta të aseteve, aftësi më të forta të provave dixhitale, mbrojtje të dëshmitarëve dhe sinjalizuesve, si dhe një angazhim të të gjithë shoqërisë për llogaridhënie", tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Komente








