Në konferencën me gazetarët e BE, kryeministri Rama u pyet nëse është i shqetësuar për zgjerimin e protestës kundër investimit në Zvërnec. Kryeministri tha se Shqipëria është një vend i lirë dhe e konsideron diçka të mirë që protesta të zhvillohet pa pengesë, ndërsa rikujtoi 21 janarin.
“Pikë së pari, ky është një vend i lirë. Unë vetëm kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e njoh shijen e momentit kur e ke të vështirë të protestosh, e di edhe shijen e gjakut kur protesta ndodh në një mjedis jo të lirë. Në këtë bulevard, jo një shekull më parë, por vetëm më pak se 20 vjet më parë, apo më saktë, në 2011, 4 protestues u vranë me armë sulmuese që i kishin vënë në shënjestër pikërisht nga kjo ndërtesë. Për mua, është një epokë ndryshe, një moment ndryshe në histori. Është vërtet diçka shumë e mirë që njerëzit të mund të protestojnë pa asnjë problem, edhe pse mund të duket gjëja më e vogël, por nuk është kështu, është një tjetër arritje e kësaj dekade, një arritje për të cilën shqiptarët kanë luftuar për një kohë të gjatë. E dyta, kjo protestë është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune nga një roje sigurie kundër një protestuesi në kufirin e tokës, vendit për të cilin po flasim që prej një jave apo më shumë tashmë, për të cilin morëm masa më të ashpra dhe më të shpejta. Roja është arrestuar, drejtori i policisë së Vlorës u shkarkua dhe njësia e policisë që ishte në terren dhe nuk ndërhyri menjëherë për të ndalur rojën, është vënë nën hetim. Kompanisë së sigurisë i është hequr licenca. Akti i dhunës ndezi ndjenjat, u bë virale dhe çeli rrugën për ngritjen e pikëpyetjeve mbi zhvillimin, pronën, projektin. Pastaj, befas çështja u bë më e gjerë dhe tashmë cek gjithçka që është në rregull, por nuk jemi më në dinamikën e disa apo shumë njerëzve, quajeni si të doni, edhe pse kam parë raportime për qindra mijëra vetë që janë qesharake, por s’dua të flas për numrat, por për thelbin. Gjithçka ndryshoi sepse befas nuk ka projekt. Protesta u shndërrua në protestë masive me refrenin anuloni projektin, thashë po, e anulojmë në këtë moment, por më tregoni projektin. Nuk ka projekt. S’ka të bëjë me mua ose Shqipërinë, por me shoqërinë demokratike për të reflektuar sesi gjysmë të vërtetat mund të ndezin mjedisin që është në mbarë platformat, ndërkohë që nuk qëndrojmë më te thelbi, por diku gjetkë, nuk kanë të bëjnë aspak me mua ose me ne”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
‘Zvërneci’, Rama: Projekti nuk është anuluar! Kompania ende s’ka leje ndërtimi! Protestat? Ndikime të jashtme, shumë shpejt faktet








