Investimi prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec ia doli të kthehej në temë bisede edhe në Forumin Botëror Future Investment Initiative, mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetares së CNN, Eleni Giokos.

Teksa tha se vetëm hija pas Kushner e Trump mjaftojnë për të provokuar zemërimin dixhital, Rama ritheksoi se Irani ka zhvilluar një fushatë dezinformimi për protestën.

Pyetja e gazetares për blerjen e tokës në Zvërnec nga investitorët, e nxiti kryeministrin t’i thoshte Giokos se CNN s’është burim objektiv, por prejardhja e saj greke ‘e frenoi’ për t’i kthyer një përgjigje tjetër.

Rama e ftoi CNN që të vizitojë investimin kur të realizohet pasi i duhet të “riparojë reputacionin.” Kjo e bëri gazetaren të çuditej paksa, kurse Rama vijoi t’i thoshte se pas intervistës në CNN ku ai u fye nga deklarata e spikeres, është një mundësi që Shqipëria ka si detyrim t’ia ofrojë rrjetit mediatik.

Eleni Giokos: A është blerë toka nga investitorët?

Edi Rama: Dëgjo, mos shko aty, sepse tani më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni një burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk është miratuar asnjë projekt. Po, ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Po, nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist që mendon drejt. Po, Shqipëria do të vazhdojë përpara. Shqipëria s’mund ta shpëtojë Europën në vetëm një gjë. Rrjetet sociale. Nëse rrjetet sociale do të vazhdojnë të kenë të drejtën e lirisë, Europa do të shembet nga brenda dhe mburojat kundër predhave e raketave s’do të mund të bëjnë asgjë.

Eleni Giokos: Z. Kryeministër, shumë shkurt: Komisioni i BE-së thotë se duhet të respektoni rregullat mjedisore dhe po jep paralajmërime. Keni edhe çështjen e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që ai të rezonojë me protestuesit dhe të siguroheni që Komisioni Europian të jetë në anën tuaj?

Edi Rama: Kam një lajm për ju: shumica e popullit shqiptar e mbështet projektin. Zona ku do të zhvillohet projekti është një qytet që në shumicë dërrmuese e pret me padurim atë. Nuk ka protesta. Komuniteti ku do të zhvillohet projekti e dëshiron projektin. Pra ajo që shihni nuk është saktësisht ajo që po ndodh. Indinjata ekziston, e kuptoj, por kur të kalojë dhe kur t’ju bëj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në përurim, të gjithë do të jenë të lumtur. Dhe jam i sigurt që do të jetë një mundësi e madhe për CNN për të riparuar reputacionin e saj.

Eleni Giokos: Të shpëtojë reputacionin?

Edi Rama: Po, të riparojë reputacionin. Ju duhet të shpëtoni reputacionin ndaj Shqipërisë, ndaj popullit shqiptar dhe madje edhe ndaj zogjve. Ju duhet një moment i tillë, sepse zogjtë, ujërat, pemët dhe gjithçka do të jenë më mirë se sot. Projekti synon të sjellë 25% më shumë gjelbërim neto se sa ekziston sot. Sot ujërat e lagunës janë të ndotura, dhe ne do të kemi një sistem krejtësisht tjetër për t’i pastruar përsëri, siç thoni ju në Shtetet e Bashkuara, ‘ta bëjmë të pastër sërish’, jo ‘ta bëjmë të madh sërish’.”

Eleni Giokos: Në rregull! Faleminderit që e sqaruat.

Edi Rama: Jo, faleminderit ju për ftesën. Kjo është më e rëndësishmja.

Eleni Giokos: A po më ftoni mua? Nuk e di. Puna jonë është të bëjmë pyetje dhe sigurisht që përgjigjet tuaja janë gjithnjë të mirëpritura.

Edi Rama: Problem s’janë pyetjet. Problemi është narrativa dhe do ta them deri në fund sepse s’kam pasur mundësinë ta them. Isha i ftuar në CNN. Kisha një intervistë dhe me të drejtë, të gjithë ata që mendojnë ndryshe, kishin kohën e tyre. Por për spikeren që më ftoi mua për të publikuar në profilin e saj një deklaratë që ishte fyese, jo kritike, fyese ndaj meje, është vërtet diçka. Prandaj mendoj se Shqipëria i detyrohej këtij shpirti të humbur mundësinë që të vijë, të puthë zogjtë dhe të shpëtojë reputacionin. Dhe ne do ta bëjmë. Faleminderit.