Inter luan nesër në 18:45 me Viktoria Plzen në ndeshjen e pestë të grupit C në Champions League. Dueli në Milano do duhet të kalohet me sukses nga zikaltërit, nëse duan që kualifikimin të mos e diskutojnë në ndeshjen e fundit, transfertë kjo me Bayern Munich.
"Një ekip si i yni, me mbrojtësit që kemi, duhet të rritet në fazën e tij mbrojtëse. Luajtëm katër ndeshjet e para në mënyrën më të mirë por e nesërmja do të jetë shumë e rëndësishme. Ne mund të godasim dhe shënojmë golin e parë nesër, për ta pasur më të lehtë në Munich. Në të kundërt situata do jetë e vështirë, njësoj si vitin e kaluar në Madrid.
Trajneri foli edhe për një rikthim në grup të Lukakut, sulmuesit që prej dy muajsh vuan një dëmtim. Duket se belgu ka kaluar rrezikun dhe është bashkuar me grupin në seancat e fundit stërvitore.
"Lukaku? Nëse ai konfirmon se në stërvitjen e djeshme dhe tre të mëparshmet nuk ka ndjerë dhimbje, ai do të thirret. Duhet një rikuperim i plotë dhe ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Mungesa e tij në dy muajt e fundit ka qenë një humbje e rëndë për ne, edhe pse sulmuesit e tjerë kanë bërë mirë. Me rikthimin e Romelu shpresojmë të përmirësohemi edhe më shumë në sulm", tha Inzaghi.