Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku ngre përsëri shqetësimin e mungesës së fondeve të IPARD të cilat janë të bllokuara që në gusht të 2023-shit. Ndërprerja e financimit nga Komisioni Evropian pas dyshimeve për keqpërdorim të IPARD II, stopoi rritjen ekonomike thotë eksperti.

“Bujqësia filloi të rritet dhe të reduktojë atë balancën negative tregtare me fillimin në aksesimin e fondeve të Bashkimit Evropian. Nisi që në 2011 dhe kulmoj me IPARD I dhe IPARD II, tani kemi problemin më të madh të bllokimit të fondeve, që akoma ne nuk e kemi zgjidhur me Bashkimin Evropian”, thotë Pilku.

Madje sipas tij 146 milionë eurot tashmë janë të djegura, dhe fermerët duhet të presin IPARD IV.

“Ne na u dogj IPARD III, na ka ngelur vetëm pak muaj për këtë program, sepse mbaron në fund të vitit dhe ne nuk e përfituam. Pra, 146 milion euro ne nuk i aksesuam. Në radhë të parë duhet të zgjidhim problemin e asaj që kemi kaluar, dhe ti kthejmë paratë e keqpërdorura, pra duhet të rimbursohet Brukseli, të nxirren të merren masa dhe më pas vijmë tek akreditimi. Duhet të akreditohet e gjithë struktura operative, pra jo vetëm AZHBR-ja. Pra është një proces shumë i madh dhe mua më vjen keq që kjo mungesë fondesh të ishte zëvendësuar me fonde nga buxheti i shtetit”, thotë Pilku.

Në mungesë të këtyre parave dhe të financimit të pamjaftueshëm nga buxheti i shtetit, eksperti gjykon se bujqësia shqiptare nuk do e përballojë konkurrencën që do i vij nga tregu evropian.

“Ne nuk mund të bëhemi dot faktor konkurrues për të gjithë aktivitetet bujqësore, por për një pjesë të aktiviteteve, kryesisht për prodhimin e perimeve nga blegtoria, jemi në një rënie të jashtëzakonshme në industrinë përpunuese. Duhet të kuptojmë shumë qartë që aq më shumë sa i afrohemi Bashkimit Evropian, aq më shumë do jemi jo-konkurruese”, tha ai.

Muajin e kaluar Komisioni Evropian në një përgjigje për Report TV tha se ende nuk ka një afat për hapjen e IPARD III, pasi ende janë duke vlerësuar kërkesën e bërë nga Shqipëria në prill 2026, për çeljen e fondeve.


Lajmi kryesor:

Ekonomia po rritet “pa bujqësi e prodhim”, ekspertët: Duhet ndryshuar modeli ekonomik, po bëhemi gjithnjë e më shumë një vend importues