IRAK - Të paktën 20,000 pjesëtarë të grupit minoritar Yazidi kanë arritur të largohen nga malet e Sinjarit në Irak, ku kishin ngecur prej ditësh nën kërcënimin e xhihadistëve të ISIS.

Këto janë vetëm gjysma e atyre që kanë mundur të largohen përfundimisht pas eksodit masiv, nga 40,000 personat e minoritetit Yazidi që janë arratisur drejt maleve të Irakut, për t’u shpëtuar masakrave të ekstremistëve islamikë.

Gjatë të shtunës luftëtarët Kurdë lajmëruan se kishin hapur korridorin e parë si rrugë kalimi për ta.

Papa Francesku bën thirrje nga Vatikani që mos të bëhet luftë në emër të Zotit dhe politika të stabilizojë gjendjen dhe të rivendosë drejtësinë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë.

Papa përmend luftimet e padrejta, vdekjet e fëmijëve të pafajshëm, dëbimet e mijëra të krishterëve nga shtëpitë e tyre në mënyrë brutale, masakrat dhe njerëzit që vdesin nga uria.
Ai bën thirrje se kjo luftë është mizore dhe ofendon njerëzimin e Zotin, në emër të së cilit pretendohet se luftohet, dhe duhet të ndalet menjëherë.

Ndërkohë ndërkombëtarët vazhdojnë të lëshojnë ndihma në Veri të Irakut ku ndodhen dhe minoritetet fetare të shpërngulura me dhunë. Avionë të Britanisë, Francës dhe SHBA-së kanë hedhur ushqime, ujë dhe mjete të tjera ndihme në misionin e tretë humanitar gjatë kësaj jave.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)