IRAK -Forcat kurde, të ndihmuara nga aviacioni amerikan, rimorën dje në mbrëmje digën më të madhe të irakut nga kontrolli i xhihadistëtve të Shtetit Islamik të cilët aktualisht gjenden nën bombardimin edhe të aviacionit sirian në krahun tjetër të kufirit.

Zyrtarët kurdë njoftuan se kanë thuajse nën kontroll të plotë digën e madhe të qytetit të Mosulit e cila furnizon me ujë dhe elektricitet pjesën më të madhe të Irakut të Veriut. Ofensiva kurde kundër militantëve ekstremistë të ISIS nisi ditën e shtunë dhe përparimi tokësor i trupave u ndihmua nga bombardimet ajrore amerikane kundër fortesave të ISIS.

ISIS duhet të përballet gjithashut ndaj një kundërofensivë e tribuve sunite në perëndim të irakut.

"Diga e Mosulit u lirua krejtësisht", deklaroi Ali Awni, një përgjegjës i partisë kryesore kurde në irak, duke shtuar se luftimet zhvillohen tashmë në Tal Kayf, një zonë nën kontrollin e xhihadistëve dhe që nodhet rreth 100 kilometra në lindje të digës.

Lajmi më i fundit nga Iraku konfirmon rimarrjen e digës më të madhe në vend nga luftëtarët kurdë, të njohur me emrin Peshmerga. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i ushtrisë irakiane. Ai shtoi se sulmet u mbështetën në një patrullë të përbashkët ajrore, pa specifikuar nëse ka patur ndihmën e ajrore të SHBA-së.
 
Më parë, zyrtarët kurdë në veri thanë se kishin marrë nën kontroll pjesën më të madhe përreth digës, e cila furnizon me energji elektrike dhe ujë pjesën më të madhe të vendit.
 
Kurdët thanë se kishin një rezistencë të ashpër nga forcat e ISIS, të cilët kishin vënë shumë bomba dhe eksplozivë në anë të rrugës, çka ngadalësonte avancimin e forcave të Peshmergas.
 
Më herët, presidenti amerikan Obama justifikoi sulmet disa ditore në Irak duke thënë se bëhen me qëllim mbrojtjen e interesave amerikane në Irak.
 
“Dështimi i sulmeve të ndërmarra në Irak mund ta vërë personelin e SHBA-së në rrezik, përfshirë edhe ambasadën amerikane në Bagdad”, paralajmëroi Obama në një letër drejtuar Kongresit amerikan. Rimarrja e digës në Mosul është rikthimi më i madh që kur shteti islamik i ISIS filloi sulmet në vend.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)