RAMADI (Irak), 2 tetor /ATSH-AFP/ - Të paktën 17 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 40 xhihadistë vdiqën gjatë dy sulmeve të grupit Shteti Islamik (ISIS) kundër bazave të ushtrisë dhe të policisë në perëdim të Irakut, njoftuan sot burime të ndryshme mjekësore dhe të sigurisë.
Xhihadistët sulmuan shtabin e përgjithshëm të policisë në Hit, duke vrarë 11 policë, dhe lëshuan një sulm kundër një baze ushtarake pranë Ramadit, duke vrarë gjashtë ushtarë. Rreth 20 xhihadistë u vranë në secilin nga sulmet, sipas të njëjtave burime.
Pranë Ramadit (100 kilometra në perëndim të Bagdadit), xhihadistët sulmuan gjatë natës shtabin e përgjithshëm të brigadës VIII në tre fronte , sipas gjeneralit Awad al Doulaimi.
"Fillimisht dy vetura bombë të drejtuara nga dy kamikazë shpërthyen para bazës, duke krijuar një të çarë të gjerë në mur, më pas 13 kamikazë që mbanin rripa me eksplozivë sulmuan bazën", shtoi ai./
/G.S/