IRAK - Forcat qeveritare irakiane, të ndihmuara nga ato amerikane thonë se kanë dëbuar militantët e ISIS nga një zonë e gjerë përreth digës strategjike Haditha, që është objekti i dytë hidroelektrik më i fuqishëm në Irak. Xhihadistët e ISIS janë përpjekur disa herë të vënë nën kontroll digën mbi lumin Eufrat në provincën perëndimore të Anbar dhe nëse kjo do të ndodhte, shumë zona të Irakut do të ishin nën një kërcënim serioz, përfshirë këtu edhe Bagdadin.
 
Kjo lëvizje shënon një zgjerim të veprimeve ushtarake amerikane, e cila ka qenë më parë e kufizuar në Irakun e Veriut. Gjatë përleshjes, trupat irakiane dhe milicia Shiite rimorën edhe kontrollin e Barwana, në lindje të Hadithës, ndërsa xhihadistët u tërhoqën duke braktisur armët dhe automjetet e tyre. Sulmet amerikane ajrore, të parat e këtij lloji në provincën Anbar, sinjalizojnë se Uashingtoni ka kaluar një linjë të cilën ai vetë e tërhoqi kohë më parë.
 
SHBA ka kryer më shumë se 130 sulme ajrore që në fillim të muajit gusht në mbështetje të forcave irakene dhe kurde në Irakun verior. Ndërkohë që ISIS ka vënë në shënjestër një numër digash dhe objektesh që nga fillimi i vitit. Në gusht ata morën digën më të madhe të vendit, atë të Mosulit, por sulmet ajrore amerikane ndihmuan për rivënien e saj nën kontroll të Irakut.
 
Të mërkurën, presidenti amerikan Barack Obama do të zbulojë edhe strategjinë e tij për të luftuar militantët e ISIS në Irak. Ndërkaq, parlamenti irakiane ka planifikuar të mblidhet sot për të votuar qeverinë e propozuar nga kryeministri Haider al Abad ku pritet të përfshihen përfaqësuesit e të gjitha fraksioneve fetare dhe etnike.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)