TEHERAN - Tetë ushtarë iranianë u vranë në rajonin e Negurit, në ekstremin juglindor të Iranit, jo shumë larg kufirit pakistanez, nga terroristët e armatosur, deklaroi një zyrtar lokal cituar sot nga agjencia zyrtare e lajmeve Irna.
"Terroristët e armatosur vranë tetë roja kufitare dhe u arratisën drejt Pakistanit", deklaroi Ali Asghar Mirshekari, zëvendësguvernator i provincës Sistan Balouchistan, pas këtij sulmi të ndodhur dje në mbrëmje.
Autoritetet iraniane përdorin zakonisht termin "terrorist" për të emërtuar grupet rebele sunite aktive në këtë zonë.
Bëhet fjalë për sulmin më të përgjakshëm të kryer nga këta rebelë në rajon që prej tetorit 2013./ATSH/