Donald Trump përsëriti pretendimet se lufta në Iran është fituar nga SHBA dhe Izraeli. Në fjalimin e tij drejtuar kombit amerikan mbrëmjen e së mërkurës Presidenti i SHBA tha se brenda dy-tre javëve kur sipas tij pritet të përfundojë lufta, ushtria amerikane do të ndërmarrë sulme të ashpra ndaj objektivave të mbetura në Iran. Sipas Presidentit amerikan, goditja do të ishte aq e fotë, sa do ta kthente Iranin në Epokën e Gurit. Trump deklaroi se sulmet do të vijojnë njëkohësisht me bisedimet.

"Mund të them sonte se jemi në rrugën e duhur për të përfunduar së shpejti të gjitha objektivat ushtarake të Amerikës. Shumë shpejt. Do t’i godasim jashtëzakonisht rëndë gjatë 2-3 javëve të ardhshme. Do t’i kthejmë ata në Epokën e Gurit, aty ku i takon. Ndërkohë, diskutimet janë duke vazhduar", tha Trump.

Por kërcënimeve të Trump për veprime ushtarake të ashpra në 2 javët në vijim, ushtria iraniane iu përgjigj me të njëjtat tone, kur tha se ajo do të reagojë me sulme të paprecedenta.

Lidhur me bisedimet e pretenduara të paqes, Ministria e Jashtme Iraniane tha se nuk do të përfshihet në një cikël vicioz që do të rezultonte i dëmshëm për gjitha rajonin dhe më gjerë.

Nga ana tjetër, Presidenti francëz Emmanuel Macron ka hedhur poshtë thirrjen e Donald Trump që vendet e tjera të përdorin forcën ushtarake për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke e quajtur sugjerimin "jorealist".

Reuters raportoi duke cituar ministrin e jashtëm të Pakistanit vendi i të cilit po ndërmjetëson komunikimin e deritanishëm të palëve se përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje vijojnë, por amerikanët deri më tani nuk kanë konfirmuar angazhimin e një delegacioni konkret për të diskutuar me Pakistanin për një axhendë negociatash.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:42
Sulmohet me raketë kontingjenti italian i UNIFIL-it në Liban, raportohet për dëme në infrastrukturën ushtarake

1775155457_drtuytoio.jpg

UNIFIL është goditur përsëri nga raketat në Liban. Këtë herë, u godit baza italiane në Shama.

Sipas mediave të huaja nuk u raportuan të lënduar, por infrastruktura ushtarake u dëmtua ndjeshëm.

Incidenti po monitorohet nga Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto dhe Shefi i Shtabit Luciano Portolano, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqësit italianë në terren.

Sipas informacioneve, në shënjestër të sulmit ishte shtabi italian në Liban, ku ndodhet edhe Sektori Perëndimor i misionit UNIFIL të udhëhequr nga Italia.

Zyrtarët e COVI-t, Komandës së Përbashkët të Operacioneve që mbikëqyr misionet italiane jashtë vendit, po hetojnë gjithashtu këtë rast.

Ora 13:52
Macron kritikon Trump: Thirrja për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit është jorealiste

Foto: Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron ka hedhur poshtë thirrjen e Donald Trump që vendet e tjera të përdorin forcën ushtarake për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke e quajtur sugjerimin "jorealist".

Në një fjalim televiziv, Trump - i cili ka kritikuar ashpër aleatët që nuk e kanë mbështetur gjatë luftës me Iranin - u bëri thirrje kombeve të tjera të "shkojnë në Ngushticë dhe ta marrin atë".

Macron tha se “ideja e çlirimit me forcë të Ngushticës së Hormuzit përmes një operacioni ushtarak” ishte “jorealiste”.

Ai përsëriti se, pavarësisht kërkesës së Trump për mbështetje, Franca nuk do të merrte pjesë në konfliktin kundër Iranit, pasi është një operacion SHBA-Izrael.

Ora 12:05
Irani: Ngushtica e Hormuzit e hapur për anijet 'që nuk kanë lidhje' me SHBA-në ose Izraelin

Foto: Esmail Baghaei

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit thotë se po lejon anijet të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit - rruga kryesore e transportit të naftës - për sa kohë që ato "nuk i përkasin agresorit dhe nuk janë të lidhura me të".

Në një intervistë me kanalin televiziv Newzroom Afrika, Esmail Baghaei thotë se anijet do të lejohen të kalojnë nëpër ngushticë "pas koordinimit të nevojshëm me autoritetet tona".

Duke iu referuar konfliktit më të gjerë, Baghaei thotë se Irani nuk do të tolerojë një "cikël vicioz lufte, negociatash, armëpushimi".

Në qershor, një luftë 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit përfshiu SHBA-në që sulmoi disa nga vendet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.

"Ata thanë të ndalonim, kështu që ne ndaluam dhe pas nëntë muajsh, ata filluan përsëri", tha Baghaei.

Ora 10:19
Britania sot bisedime me 35 vende për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

1774183976_aeypo.jpg

Foto: Një anije duke kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Mbretëria e Bashkuar do të zhvillojë sot bisedime përmes një video-konference me 35 vende për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, njoftoi dje kryeministri britanik Keir Starmer.

 Rruga ujore, jetike për transportin global të naftës dhe gazit, u mbyll në mënyrë efektive nga Irani pas sulmeve SHBA-Izrael.

Ora 10:15
Teherani: Mojtaba Khamenei gëzon shëndet të plotë! Në kohë lufte, nuk duhet të shfaqet në publik

1774021120_IMG3313.png

Foto: Mojtaba Khamenei

Ministria e Jashtme e Iranit tha se Udhëheqësi Suprem Mojtaba Khamenei nuk u lëndua nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, duke shtuar se mosparaqitja në publik është praktikë e zakonshme gjatë kohës së luftës.

Djali i Ali Khamenei, i vrarë në një sulm në fillim të luftës, gëzon shëndet të plotë, sipas zëdhënësit Esmaeil Baghaei.