Mes misterit për gjendjen shëndetësore të liderit Suprem të Iranit, Teherani planifikon të publikojë së shpejti një video të Mojtaba Khamenei, ku ai shfaqet në publik dhe në takime me komandantët ushtarakë, përfshirë Presidentin Masoud Pezeshkian, thotë një zëvendëskomandant i Basij.

Ndërkohë Irani ka vendosur kushte të reja të forta për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa një marrëveshje për rikthimin e lundrimit në këtë rrugë strategjike detare mbetet ende larg.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit deklaroi se ngushtica nuk do të rihapet derisa Shtetet e Bashkuara të “korrigjojnë sjelljen e tyre”. Deklarata u publikua nga televizioni shtetëror iranian dhe u përcoll nga sekretari i këshillit, Mohammad Bagher Zolghadr, i cili është gjithashtu komandant në Gardën Revolucionare Islamike.

Sipas deklaratës, SHBA nuk duhet ta kërcënojë më Iranin, duhet t’i japë fund përgjithmonë luftës me Iranin dhe aleatët e tij të armatosur në rajon, të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe të tërheqë forcat ushtarake nga zona. Teherani kërkon gjithashtu kompensim të plotë për dëmet e luftës, heqjen e sanksioneve dhe lirimin pa kushte të aseteve të ngrira.

Nga ana e SHBA nuk pati koment të menjëhershëm. Uashingtoni ka kërkuar një marrëveshje të pranueshme për Ngushticën e Hormuzit përpara se të heqë bllokadën. Sipas marrëveshjes së përkohshme të nënshkruar në qershor, një kalendar për heqjen e sanksioneve dhe një plan kompensimi do të ishin pjesë e marrëveshjes përfundimtare, ndërsa negociatat do të përfshinin edhe çështjen e aseteve të ngrira.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të shtunën se palët janë pranë një marrëveshjeje për lundrimin, “konkretisht për përcaktimin e një rruge tranziti”. Megjithatë, ai theksoi se rihapja e ngushticës varet edhe nga kushte të tjera dhe fajësoi SHBA-në për shkeljen, sipas tij, të marrëveshjes së përkohshme.

Omani, që ndërmjetëson bisedimet, deklaroi se negociatat po vazhdojnë “në një atmosferë pozitive dhe konstruktive”, ndërsa dënoi sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Irani ka vendosur një bllokadë efektive në këtë rrugë detare dhe kërkon të tarifojë kalimin e anijeve, duke sulmuar herë pas here mjete lundruese që, sipas tij, përpiqen të shmangin itinerarin e preferuar nga Teherani.

SHBA kundërshton çdo tarifë iraniane për kalimin në ngushticë, megjithëse marrëveshja e qershorit i lejon Iranit dhe Omanit të negociojnë mënyrën e administrimit të ardhshëm të Hormuzit.

Afati 60-ditor për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare përfundon pas pak më shumë se një jave, por mund të zgjatet.

Ndërkohë, autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe thanë se një anije në pronësi të kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit Adnoc u sulmua gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit. Ministria e Jashtme deklaroi se raketa ishte lëshuar nga Irani si pjesë e sulmeve ndaj anijeve tregtare.

Adnoc njoftoi se nuk pati viktima nga sulmi i ndodhur herët të shtunën. Sipas kompanisë, më shumë se 12 anije të saj janë sulmuar me raketa dhe dronë gjatë kalimit në ngushticë që nga nisja e luftës nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit në shkurt. Kompania tha se një anëtar i ekuipazhit është vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur.

Adnoc nuk dha detaje për vendndodhjen e sulmit apo dëmet e shkaktuara.

Më vonë, qendra britanike United Kingdom Maritime Trade Operations njoftoi se një anije në lindje të qytetit Khasab në Oman u godit nga një predhë që shkaktoi zjarr, i cili u shua, ndërsa anija dhe ekuipazhi ishin të sigurt. Nuk ishte e qartë nëse bëhej fjalë për të njëjtin incident me atë të raportuar nga Adnoc.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:46
Lideri suprem i Iranit emëron ish-kreun e Gardës, Rezaee në postin më të lartë të sigurisë

1786274448_mojtabakhamenei.jpg

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, e ka emëruar Mohsen Rezaee-n sekretar të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, posti më i lartë i sigurisë në vend, ku ai do të jetë përfaqësuesi i Khamenei-t.

Pozicioni më parë mbahej nga Ali Larijani, i cili u vra në sulmet amerikane-izraelite në mars, dhe më pas nga Mohammad Bagher Zolghadr.

Rezaee është një ish-shef i IRGC-së dhe anëtar i Këshillit të Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Iranit, i cili zgjidh mosmarrëveshjet midis parlamentit dhe Këshillit të Gardianëve, një organ i veçantë që shqyrton kandidatët për poste.

Ai ishte komandant ushtarak gjatë Luftës Iran-Irak të viteve 1980, e cila në Iran njihet si “Mbrojtja e Shenjtë”.

Khamenei gjithashtu emëroi Zolghadrin si këshilltarin e tij politik.

Ora 15:51
‘Mojtaba Khamenei u takua me Presidentin Pezeshkian’- Teherani premton një video të re të Udhëheqësit Suprem: Do publikohet së shpejti

1786288210_dcytuuoo.JPG

Irani planifikon të publikojë së shpejti një video të Udhëheqësit Suprem Mojtaba Khamenei, ku ai shfaqet në publik dhe në takime me komandantët ushtarakë, përfshirë Presidentin Masoud Pezeshkian, thotë një zëvendëskomandant i Basij.

Basij është forca vullnetare paraushtarake iraniane nën Trupat e Gardës Revolucionare Islamike që shërben si krahu i sigurisë së brendshme të regjimit.

Komentet e Qasem Qoraishi u raportuan nga ‘Mizan’, agjencia zyrtare e lajmeve të gjyqësorit iranian.

Khamenei, i cili u emërua udhëheqës Suprem në mars pas vrasjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet ajrore SHBA-Izrael, nuk është parë në publik që kur mori detyrën.

Ora 13:18
Pamjet e para të Mojtaba Khameneit, lideri suprem i Iranit shfaqet në video mes spekulimeve për gjendjen shëndetësore

Agjencia iraniane e lajmeve Mehr ka publikuar një video ku shfaqet lideri suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, në një kohë kur në rrjetet sociale po qarkullojnë spekulime për gjendjen e tij shëndetësore.

Në video, të publikuar në kanalin e Telegramit dhe në faqen zyrtare të Mehr, Khamenei shihet duke biseduar me një grup njerëzish. Agjencia nuk ka bërë të ditur se kur dhe ku janë regjistruar pamjet, ndërsa nuk ka identifikuar as personat që ndodhen pranë tij.

Publikimi i videos vjen pasi në rrjetet sociale dhe në disa raportime u pretendua se Khamenei ishte shtruar në spital dhe se gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë. Deri tani, këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Mojtaba Khamenei u zgjodh lider suprem i Republikës Islamike në mars të këtij viti, pasi babai i tij, Ajatollah Ali Khamenei, u vra më 28 shkurt, në ditën e parë të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

Që nga marrja e detyrës, ai nuk ishte shfaqur në publik, ndaj publikimi i kësaj videoje ka tërhequr vëmendje.

Ndërkohë, disa llogari iraniane në rrjetet sociale pretendojnë se pamjet nuk janë të reja, por janë regjistruar gjatë një prej ligjëratave të mëparshme të Khameneit në Kom. Si argument, ato përmendin faktin se mediat iraniane nuk kanë bërë publik datën dhe vendin e regjistrimit.

Po ashtu, disa komentues kanë hedhur dyshime se publikimi i videos mund të jetë një përpjekje për të zbutur spekulimet rreth gjendjes shëndetësore të liderit suprem. Megjithatë, edhe këto pretendime mbeten të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur.