Andoni Iraola duket gjithnjë e më pranë kalimit te Crystal Palace. Trajneri bask, i cili i dha lamtumirën Bournemouthit, ishte në radarët e shumë klubeve evropiane, përfshirë Milanin, Bayer Leverkusenin dhe Benfican.
Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, Iraola është gati të zëvendësojë Oliver Glasner në stolin e Crystal Palace. Finalja e Conference League ishte ndeshja e fundit e teknikut austriak me klubin londinez dhe basku ka zgjedhur të vazhdojë aventurën në Premier League.
Një nga arsyet kryesore që ka shtyrë Iraolën drejt Crystal Palace është projekti ekonomik. Sipas mediave spanjolle, klubi anglez është gati të vendosë në dispozicion një buxhet merkatoje trefish më të madh se ai i Milanit, ndërsa edhe oferta financiare për trajnerin është më e lartë se ajo e kuqezinjve.
Ndërkohë, drejtuesit e Milanit prej kohësh po studiojnë alternativat. Emri kryesor mbetet Xavi Hernandez, ish-shoku i skuadrës së Zlatan Ibrahimovic te Barcelona, i cili është në kërkim të një aventure të re pas largimit nga katalanasit.
Në listën e kandidatëve pëlqehen edhe Thiago Motta, Mauricio Pochettino dhe vetë Glasner. Gjithashtu mbetet një opsion interesant edhe Mark van Bommel, që ka një lidhje të fortë me Ibrahimovic.
Ndryshimet te Milani nuk do të kufizohen vetëm te trajneri. Pas dështimit në Champions League, pronari Gerry Cardinale ka nisur një revolucion në drejtimin e klubit. Përveç trajnerit Massimiliano Allegri, janë larguar edhe drejtori sportiv Igli Tare, administratori deleguar Giorgio Furlani dhe shefi i skautizmit Geoffrey Moncada.
Në këtë kuadër, rikthehet në skenë edhe emri i Ralf Rangnick. Aktualisht trajner i kombëtares së Austrisë, Rangnick ishte pranë Milanit edhe disa vite më parë si pasues i Stefano Piolit. Tani ai shihet si kandidat për postin e drejtorit sportiv.
Vetë tekniku gjerman nuk e mohoi interesimin: “Të gjithë e kanë parë që fundjavën e kaluar ndodhi diçka te Milani”, deklaroi ai, duke shtuar se për momentin referenca e tij kontraktuale mbetet federata austriake.
Pengesa kryesore për rikthimin e tij në Itali mbetet angazhimi me Austrinë në Kupën e Botës 2026, çka e bën të vështirë lirimin e tij para mesit ose fundit të qershorit.
Komente










