Irina Dema, stilistja dhe modelistja shkodrane bashkëpunëtore e firmave më të njohura të veshjeve në botë

Irina Dema, stilistja dhe modelistja shkodrane bashkëpunëtore e firmave më të njohura të veshjeve në botë

Irina Dema dhe disa prej punimeve të saj

“Eca mes fijeve të pejnave, e copave stofnash, aty ndjeva frymen e të bukures, e cila shtua çdo ditë e më shumë. Ato fije pejnash dhe stofnat e llojllojshem, me frymëzonin”. E nis kështu rrëfimin e saj Irina Dema, teksa flet për pasionin e saj për stilimin dhe modelimin e veshjeve!

“Qysh fëmijë e kam ushqyer profesionin, falë nënës time Kristina Dema, rrobaqepëse profesioniste, së cilës edhe i ndihmoja. Ka qenë dashuria më të cilën prindërit e mij ma kanë ushqy këtë profesion”, shprehet Irina.

Shkodranja Irina Dema ka 23 vite që jeton në Itali dhe gjatë kësaj periudhe ka punuar për firmat më të mëdha botërore të modës.

“Gjatë periudhës së komunizmit, edhe pse e ndaluar mua më pëlqenin ngjyrat e freskëta të veshjeve, më pëlqente të eksploroja. Kisha shumë kritika, por nuk u ndala. Dëshiroja të vishesha bukur, të isha e veçantë, në atë kohe realizova të pamunduren. Që e vogel kam filluar punën, doja ta ndihmoja sado pak nënën. Më pëlqente të krijoja! Me imagjinaten time nisa të stilizoja veshjet, çantat, këpucët. Me qëndisje punova gjithë “pajen” time të nusërisë. Aso kohe ishte shumë e vështirë sepse mungonte materiali. Më pëlqente që të afërmve tu dhuroja ato që kishin nevojë. Kur sot e kujtoi atë kohë, dhe u tregoj fëmijëve, ata nuk e besojnë që ka egzistu ndonjëherë. Por ndoshta pikërisht ato vështirësitë e mëdha që kemi kaluar na kanë bërë më kërkues, më të gjindshëm. Brezi im, I prindërve tanë, jemi dëshmi e gjallë e asaj kohë”, kujton Irina.

Ndërkohë që sot Shqipëria është vend I hapur dhe lëvizja e lirë e qytetarëve ka bërë të mundur që të vizitohen qëndrat më të mëdha botërore, pikërisht në ato dyqane me veshjet më të shtrenja në botë ndodhen edhe veshjet e punuara nga shkodranja Irina.

“23 vite më parë së bashku me familjen u larguam për në Itali, të etur për të ecur para, për t’u edukuar dhe shkolluar, që fëmijëve t’u japim një mundësi që të jenë të barabartë me fëmijët e botës së qytetëruar. U larguam nga Shqipëria! Me shumë dhimbje e morem vendimin, por Italia ishtë si një ëndërr për mua, vendi i modes, i të bukurës, erdhi tek unë si një mundësi e artë që të rritesha në profesion. Studiova në një Institut mode, ku përfundova me rezultate të larta. Ishte pasioni dëshira e madhe për të arritur që më shtyu të punoj shumë dhe të jem vazhdimisht në kërkim. Ajo që kisha ëndrruar nisi të realizohej, nuk punoja më në prodhim, por isha stiliste dhe modeluese në firma të ndryshme. Italia për mua ka qenë dhe është –se për të mësuar gjëra të reja, nuk mjafton kurrë, një shkollë vërtetë e madhe. Për shumë vite punova për firma të mëdha botërore si “Fendi”,”Tom Ford”, “Trussardi”, “Pucci”, “Bottega Veneta”,” Missoni”, “ Roberto Cavalli” etj.”

Irina Dema është shumë modeste dhe kur flet për punën e saj çdo gjë e lidhë me bashkëpunëtoret, pasi siç shprehet ajo janë shumë të rëndësishem që të arrihet perfeksioni në veshje:

“Njerëzit duhet të ndjehen mirë, prandaj çdo gjë duhet të jetë e kuruar mirë, me shumë finesse. Ka rëndësi shumë detaji, të jetë i shprehur qartë, i menduar mire. Veshjet janë shumë të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh. Kur i ke në trup duhet të ndjehësh mirë. Prandaj kërkohet edhe përkushtim i madh”.

Irina shprehet edhe për mënyren e punës, dhe si ndjehet kur sheh veshjet e saj nëpër vende të ndryshme të botës:

“Kam punuar veshje të ndryshme për femra, për meshkuj dhe për fëmijë. Gjithashtu edhe kampionet për sfilatat e modes, të cilat më pas kalonin në prodhim dhe niste pastaj vendosja e tyre nëpër dyqanet e ndryshme anë e kënd botës. Ashtu si në fillim edhe tani kur në qytete të ndryshme të Italisë, në Europë, apo edhe në SHBA shoh veshjet e mia, më pëlqen kur I shoh çmimet e tyre, si dhe vlerësimin që njerëzit kanë kur i shohin dhe i provojnë”.

Në Perugia ajo tashmë ka një studio të krijuar nga ajo vetë. Puna e saj e ka çuar që të ketë kontrata me firmat e famëshme botërore të veshëmbathjeve:

“7 vite që në Perugia kam krijuar një studio timen, dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam punuar për firmat e njohura botërore si Roberto Cavalli, Scervino, Pucci. Si dhe me stilistët e rinjë Delefrance, Cherevichkiotvichki, etj. Kryesisht realizoj për këto firma veshjet për shoë room, sfilata, kampione të ndryshme për personalitete që siç i quajmë VIP, si dhe për klienta. Është kënaqësi edhe pse e lodhëshme nganjëherë”.

Edhe pse ka mbi dy dekada që ndodhet jashtë Shqipërisë ajo asnjëherë nuk e harron Shkodrën, ku së bashku me familjen rikthehen shpesh, sa që siç shprehet edhe Irina është shumë frymëzuese për të, ndoshta nga malli apo nga nostalgjia. Por Irina tregon se këtu në Shqipëri e sidomos në Shkodër mund të realizosh çdo gjë:

“Duke ardhur shpesh në vendin tonë, për të cilin kemi nostalgji, por edhe na mungon shumë, shoh potencial të jashtëzakonshem. Popullit tonë nuk i mungon zgjuarsia, shkathtësia, shpirti i punës. Skicat e modeluara nga unë i kam realizuar me bashkëpunëtoret e mia këtu në Shkodër, janë të pa lodhura, janë të mrekullueshme. Ato në veshjet që krijuan, pasqyruan më së miri mendimet e mia dhe atë që unë doja të shprehja. Një punë vërtetë e pastër, e bukur, e mirë. E kjo më gëzon së tepërmi, sepse puna nga duart e grave shqiptare, këtu në Shqipëri del me po ato cilësi si në vendet më të njohura të botës në këtë profesion."

Por ambicia e Irinës është të krijoi një linjë të sajen, madje shumë shpejt në qëndër të Shkodrës do ketë edhe një studio si në Itali:

“Jam duke realizuar studion e punës time këtu në Shkodër. Do jetë një studio e dytë, në qëndër të qytetit. Një projekt që besoj se do japin të njëjtin rezultat si studio e parë në Itali. Gjithashtu jam duke dizejnuar edhe linjen time të veshjeve. Kjo është një ëndërr që do realizohet”.

Irina ka edhe hobi të saj pikturën, e kjo është ajo lidhja e saj qysh e vogël me të bukuren: “Pikturen e kam gjithmonë në qëndër të vëmendje, një dashuri që kur isha e vogël, ëndërroja të bëhësha piktore. Por kjo ëndërr u pre në mes. Deri sa një ditë, tre vite më parë, një “ëngjëll” më solli dhuratë një penel dhe një telajo. Nga ajo ditë unë pikturoj, është një dashuri e rikthyer”.

Çdo gjë që kam arritur deri tani është falë mbështetjes që më ka dhënë familja ime shprehet Irina: “Duhet shumë pasion, durim, të mos shohësh kurrë orarin. Kam dëshmitare familjen time, e cila më përshtatet në çdo moment. Çdo arritje deri tani është falë mbështetjes që më ka dhënë familja. Nuk mjafton dëshira, pasioni, oraret, forca, talenti, të gjitha vyshken ne qoftë se nuk ke përkrahjen dhe ngrohtësinë familjare, që të rrinë pranë në shpirtë”.

Kjo është një histori suksesi për një vajzë të rritur në Shkodër e cila së bashku me familjen e saj 23 vite më parë u largua nga Shqipëria. Siç e thotë edhe vetë Irina: Kjo vajze e vogel do ecin prap në dyshemen e mbushur me fije pejnash e copa stofnash.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm