Iris Elezi “Bota" ime ju
risjell Artur Gorishtin”

Iris Elezi “Bota" ime ju<br />risjell Artur Gorishtin”
TIRANE - Iris Elezi është një regjisore e re, e shkolluar në Amerikë për teori dhe kritikë filmi,( lëndë të cilën ua mëson studentëve shqiptarë), me përvojën e disa dokumentarëve që mbajnë firmën e saj dhe hapin e parë të madh për një regjisore; një film me metrazh të gjatë që ka gjetur një përkrahje të gjerë morale, profesionale dhe financiare në disa nga festival të njohura në botë.

“Bota” e saj, ajo javë jete, buzë një kënete, është e njohur në botën e kinemasë që në fazën e hershme. Skripti ngjizej prej saj dhe Thomas Logorecit gjatë  festivaleve të huaja, ndërsa bashkë me historinë e thjeshtë njerëzore lindte edhe një dashuri që u finalizua me martesë. Një histori si në filma, ëndërr e bërë realitet që për tu plotësuar katërcipërisht pret edhe  realizimin e filmit, xhirimet e të cilit do të fillojnë në shtator të këtij viti.

Jeni në proces të një filmi që ka për temë jetën e përditshme. Në këtë kohë që lëviz, në situata kaq të rrëshqitshme të realitetit tone ndiheni e shpërqendruar teksa punoni për filmin?
Jo në fakt, vetëm më ndihmojnë që të thellohem. Kur fillova të shkruaja BOTËN, autostrada që lidhte rrugën për të shkuar në Rinas nuk dukej sic duket sot.

Ishin vetëm disa shtëpi tek-tuk me drita të vetmuara. Muajin e parë kur lëviza në Nju Jork dhurata më e mirë më erdhi nga Kinemaja e pavarur në East Village: Anthology Film Archive. Aty u shfaq retrospektivë e gjithë krijimtaria e regjisorit të madh, Mikelanxhelo Antonioni. Mund të thuhet që ato ditë po e ‘paguaja qiranë’ te kjo kinema.

Aty pata shansin të shoh për herë të parë në 35 mm gjithë punën e tij të hershme. Dhe mendoj se ata filma ndikuan shumë në mua, në të kuptuarin e dramës së njeriut të thjeshtë. Kështu që sa herë që ikja dhe vija nga Shqpëria, vrisja mendjen cila ishte jeta e atyre njerëzve që jetonin në ato shtëpitë e vogla që shikoja rrugës për në Rinas kur nisesha natën.

Me kalimin e viteve kjo është kthyer në zonën industriale të Shqipërisë, ama tek mua ka mbetur ende ky shqetesim i atyre njerëzve të thjeshtë. Kështu që çdo gjë që unë dëgjoj, sado e dhimbshme, shqetësuese, edhe media jonë nuk na lë asnjëherë që ta harrojmë, në fakt mua thjesht më shumë shtyn që ta bëj një këngë për gjyshet që nuk i kaluan virtytet tek mbesat e tyre.

Është sfidë të trajtosh temat të ditëve të sotme …
Gjithë kohën, sepse nëse do të doja thjesht të portretizoja realitetin tonë apo atë të Europës Juglindore, do vazhdoja ende me hulumtimin e realitetit nëpërmjet filmave dokumentarëve, që ka qenë edhe eksperienca ime e mëparshme. Ama kjo eksperiencë e gërshetuar me studimet e mia antropologjike më bëri të vetdijshme për shumë të vërteta që tani shpresoj shumë nëpërmjet filmit “BOTA” ti tregoj në fiksion. Pra, duke u përqëndruar në histori të vogla shpresoj të arrij te universalja, atë që në fund të fundit çdo film i arrirë kërkon të bëjë.

Shkollimi jashtë ju ka lehtësuar gjërat …
Besoj që shkollimi jashtë më ndihmoi të shikoj më qartë, të jetoj në një botë tjetër. Unë gjithmonë qesh pak me veten për faktin që u rrita në një shoqëri komuniste dhe pasi provova pak vitet e para të demokracisë, u edukova në vendin që mbahet si një nga demokracitë më të mëdha të botës edhe pse nuk është. Kjo kontradiktë mendoj që më ka pasuruar si qenie njerëzore. Është përvojë fenomenale të shkosh nga Shqipëria e vogël tek Amerika e madhe.

Historia njerëzore i ka prekur edhe festivalet e huaja apo ka pasur edhe një tjetër arsye e mbështetjes së fortë që ke marrë prej tyre?
Mendoj se janë dy gjëra bashkë. Mendoj që vij në kohën e duhur. Pas viteve 1990 si në çdo fushë të jetës, një vëmendje më e madhe i është kushtuar barazisë gjinore edhe në industrinë filmike. Fakti që jam regjisore femër dhe vij nga Shqipëria më ka ndihmuar, pra atë që dikush tjetër do ta shikonte si pengesë, unë e shoh si një nga pozitivitetet që unë kam.

Të gjithë duan diçka dhe presin që një film të vij nga Shqipëria. E  njoh personalisht vetë Tom Luddy (universi e deshi që ta takoja pikërisht ditën e dasmës sime) i cili është drejtor i festivalit të Telluride-it  si dhe producent i Kopolës.  Ai çdo vit kërkon dhe shikon filmat që dalin nga Shqipëria.  Është në dashuri me punën e Ismail Kadaresë dhe ushqen një lloj dashurie dhe mirëkuptimi për shqiptarët.

Çdo vit ai ia del të shoh prodhimet tona kinematografike dhe çdo vit tund kokën duke thënë:”Ëhë, nuk e kanë bërë akoma”. Pra është e mundur dhe ka njerëz që duan e presin nga Shqipëria. Pse “BOTA” funksionoi është sepse unë po sjell një tablo të Shqipërisë bashkëkohore, një film të thjeshtë dhe nuk po provoj tu them të gjithëve përse ne jemi kaq të lënduar, thjesht po ofroj një copëz jete, ose më mirë një javë jete buzë një kënete.

Të qenurit femër ju ka sjellë anën pozitive jashtë, po këtu?
Ne jemi pakëz me fat se kur unë po rritesha, diku nga klasa e shtatë kuptova që qenka një individ i padukshëm por shumë i fuqishëm atje mbrapa- që qenka regjisori. Në historinë tonë ne kemi patur regjisore apo tekniciene të tjera të filmit, si p.sh. Xhanfize Kekon, emri i të cilës përmendej me po aq dashuri sa edhe emri i regjisorëve të tjerë.

Në mendjn time, të një vajze të vogël që rritej në komunizëm ku emancipimi i gruas ishte një flamur që tundej fort, nuk kishte shumë ndryshim mes një regjisori femër apo mashkull, të paktën emri i saj apo i individëve të tjerë që punonin në Kinostudio, nuk e bëri të pamundur idenë në kokën time që mund të ishte pengesë e madhe që të bëhesha regjisore.

Por ka dallim sasior ndërkohë që Katerine Bigeloë bën bujë si regjisore femër në zemër të Hollivudit
Që të jesh regjisore femër është njësoj sikur t’i ngjitesh një mali të lartë me taka dhe e ngarkuar me dy valixhe të mëdha. Rruga për të bërë film është e vështirë për të gjithë, por femra e ka akoma edhe më të vështirë. I duhet të dalë përtej përsiatjeve që janë të vetë natyrës femërore si dhe të luftojë të gjitha stereotipet që shoqëria njerëzore i ofron femrës në fillimet e saj.

Sa metra jeni ngjitur deri tani?
(Qesh) Mund të them dy të tretat? Jo, sepse këtë metaforë e përdor më shpesh me veten në kuptimin e një lumi të gjerë dhe dy brigjeve. Janë bërë disa vite që jam hedhur në lumë dhe tani po e shoh bregun tjetër. Të shoh nëse ia dal me sukses. Jean Luc Godard thotë: ”Nuk është puna sa e do ti kinemanë se të gjithë e duam atë. Puna është sa të ajo ty mbrapsht”.

Si lindi pasioni për kinemanë?
Besoj diku në mendjen time pas humbjes së dajo Benit, humbje që shkakton ato lloj traumash të fëmijërisë që lë gjithmonë shenjë. Kur humbet një njeri të dashur dhe nuk arrin ta kuptosh çfarë është vdekja dhe çfarë jeta, ndërton lidhje të çuditshme. Unë bëra një lidhje mes zhdukjes së tij dhe fotos bardhë e zi të Aleksandër Moisiut, nga një skenë e Prometeut të lidhur në shkëmb.

Disi kuptova që imazhi, filmi e mund vdekjen dhe që aty është përjetësia. Dhe pse nuk arrija ta artikuloja, ai  imazh qëndroi me mua që nga mosha pesë vjeç e deri në klasën e shtatë kur fillova të shkruaja poezi e merresha me rrethet jashtëshkollore, me radion dhe RTSH-n në takimet me shkrimtarët me Nertila Kokën.

Aty më erdhi drita, kur kuptova se në errësirë ishte dikush tjetër që merrte vendime meqë kur shfaqej emisioni që kishim regjistruar para dy ditësh, dukej krejt ndryshe nga ajo që ne kishim dhënë. Unë fillova të pyes dhe më thanë që ajo është puna e regjisorit. Dhe, gjithmonë në projektet që bëj kam një personazh që quhet Beni, ndoshta për t’i dhënë dajës tim jetëra të pajetuara.

Serish tek “BOTA”. Keni mbyllur kinoprovat. Mund të na zbuloni disa nga aktorët?
Besoj që BOTA do të sjell sëbashku emra aktorësh të mirënjohur dhe emra të rinj e të panjohur ende. Mendoj që do të ketë edhe dy tre nga ata që quhen aktorë jo-profesionistë, sepse do të doja të sillja pikërisht pakëz shije jete të vërtetë.

Mendoj që ne kemi talente, qoftë ata që arsimohen, qoftë edhe nga ata që mund ti gjesh me nuhatje. Edhe regjisori Joshua Marston, me filmin «Falja e gjakut » tregoi që pas shumë, shumë pune, mund të gjesh individë të cilët shpresojmë do të shkëlqejnë në të ardhmen nëse aktrimi është rruga që ata do të zgjedhin.

Di që “BOTËN” kur e kam shkruar e kam shkruar me Artur Gorishtin në mendje dhe jam vërtet e lumtur që prej një viti tashmë Arturi është pjesë e këtij projekti. Ai ka gjashtë vjet që i mungon kinemasë shqiptare  dhe isha në ajër duke pritur a do ta pranonte ftesën time apo jo. Por ai është artist e profesionist, kështu që pasi e lexoi skenarin vendosi që do të rikthehet për të bashkëpunuar në këtë projekt.

Skenarin e keni shkruar bashkë me Thomas Logoreci, njëherësh bashkëshorti juaj. Si rrini në jetë dhe në punë?
Të dy jemi kineastë dhe pedagogë dhe kam frikë që i përkasim pak më shumë se duhet modelit amerikan që s’është aspak i shëndoshë: "Ne jemi çfarë bëjmë". Pra edhe pse këtu në Shqipëri na këshillojnë që duhet të bëjmë ndarje mes botëve personale dhe asaj profesionale, ne ende s’ja kemi dalur.

E gjitha dita dhe nata kushtohet tek puna dhe projektet e ndryshme që marrim përsipër. Më kujtohet kur fillova të kërkoj bashkëskenarist në vitin 2008, tre profesionistë të filmit në kohë të ndryshme më dhanë të njëjtin emër: Thomas Logoreci. Më thane që dhe nuk di shqip, na njeh ne, bllokun lindor, si dhe gjuhën filmike më mirë se çdokush tjetër.

Në 2009 kur u takuam dhe vendosëm që të bashkëpunonim, një nga arsyet pse unë kam aplikuar kaq shumë është që të përfitoja fonde zhvillimi që të kisha një profesionist që të bashkëpunonte me mua. Në atë vit të parë, çdo herë që fitonim na krijohej mundësia që ai të vinte nga Amerika dhe të uleshim kudo ku shkonim të ftuar e të punonim me skenarin përtej pjesëmarrjes në festivalin përkatës.

Kjo ishte historia e dashurisë apo e filmit?
(Qesh) Jo, kjo ishte viti i parë i punës dhe ishte pikërisht në Sarajevë, ku takuam një nga individët e jurisë së Cinelink, që ndërsa i tregonim sinopsisin e “BOTËS”, duke vënë re që ne i mbaronim njëri tjetrit fjalitë, na pyeti:”Po ju të dy jeni bashkë?” Ne u pamë me njëri tjetrin çuditshëm, por nja gjashtë muaj më vonë kuptuam edhe ne atë që të tjerët vinin re. Sëbashku ne e bëjmë njëri -tjetrin më të mirë.

Një histori dashurie si në filma?
Po, totalisht dhe marshallah. Ndoshta ngaqë të dy ishim heremitë modern, e donim filmin dhe jetën, por kishim menduar se jetën do ia dedikonim kinemasë dhe kaq. Pas një viti pune intensive, njihesh aq mirë saqë kur raporti ndryshon, gjërat janë më të lehta.

Kur ishte ai momenti i shkëndijës?
Duke ecur dhe duke folur për regjisorin tim të preferuar që jo të gjithë e njohin mirë, Chris Marker, francezi i cili u nda nga jeta vjet. Kur ti gjen dikë, një tjetër udhëtar të botës që flet për Marker në një qytet si Tirana, kur për tre katër vjet vetëm e ke menduar por nuk e ndan me të tjerë, ti thua, ok…. Ishte emri i Marker ose respekti që ndajmë për këtë njeri, u bë fjala kyçe…

Edhe martesa si një film vijoi?
Ekzakt. Të dy i kishim kaluar të 20-at dhe nuk kishim nocionet e zakonshme për martesën, kështu që vajtëm të interesoheshim në gjendjen civile në Tiranë. Atje na kërkuan aq shumë dokumenta sa kur u shpërngulëm në Amsterdam menduam ta bëjmë aty. Edhe aty duke ndjekur për pesë muaj programin Binger Director’s Lab me “BOTËN”, koha s’na premtoi.

Kur vajtëm në Kaliforni, të mësuar tani që në çdo qytet ne bënim telefonatat rutinë për skedulimin e ceremonisë, bëmë të njëjtën gjë. Ama në San Francisko, qyteti ku Thomas ka jetuar më gjatë, vetëm pas gjashtë ditëve, na lajmëruan:”Po, mundeni, salla është e lirë.”

Mblodhëm  një grup miqsh, njëri artist më i çuditshëm se tjetri, vërtet njerëz të bukur në jetën tonë dhe përfunduam duke u martuar në bashkinë e San Franciskos që është një nga ndërtesat më interesante të SHBA-ve, vendi ku është martuar Merilin Monro me Artur Miler.

Dëshmitarë kishim regjisorin e filmit eksperimental, Jay Rosenblatt, dhe një mik të fëmijërisë së Thomas, muzikantë. Ishte thjesht ëndërr sepse edhe koha hapi atë ditë tetori. Pa teprime, fustane tantellash dhe tre kile makiazh. Kur gjërat bëhen drejt dritës e së mirës, shanset janë që universi është me ty. Ne themi që kur do të bësh një film, duhet të urdhërosh universin. Kaq mirë duhet ta dish çfarë do, sepse nëse je i qartë dhe punon për arsyet e duhura, shanset janë që elementët do të punojnë me ty.

Cfarë prisni nga “Bota”?
Ta artikuloj siç duhet, në më të mirën që unë mundem që kur ta shoh filmin në ekran të mos them, ah- pse e bëra këtë kompromis, ah- duhet të kisha punuar më shumë, etj. Dmth. t’ia jap të gjitha dhe pastaj të shikoj çfarë do të më japë ajo mbrapsht.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve