Protestën e PD më 24 dhjetor para Kryeministrisë, gjatë së cilës u hodhën molotovë dhe militantët sulmuan me gurë policinë, juristi Kreshnik Spahiu, e cilësoi si një protestë që kënaqi të gjitha palët e përfshira.

Në një lidhje skype për emisionin '5 pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, ai tha se protesta nuk arriti që të bashkonte partitë e tjera opozitare, duke mbetur një aktivitet i brendshëm i PD-së.

‘Protesta ia arriti qëllimin edhe atyre që morën pjesë edhe atyre që nuk morën pjesë. Pastaj sloganët që do të rrëzojmë Ramën janë për militantët. Edhe ata që ishin kundër u kënaqën sepse në fund të fundit mbeti brenda rrethit të PD dhe s’u bë dot një protestë opozitare. Ajo ishte vetëm protestë e PD dhe nuk arriti dot që të bashkojë partitë e tjera opozitare', tha ai. 

Sipas Spahiut, mediat ndërkombëtare e cilësuan protestën e PD-së si të dhunshme, gjë e cila sipas tij shërbeu në favor të mazhorancës.

'Nga ana tjetër edhe socialistët janë të kënaqur sepse duan që PD ta nxjerrin si një parti të dhunshme. Edhe reagimi i policisë ishte i nxituar sepse dontë që të agravohej situata që të kishte një përplasje fizike. Por unë them se kufinjt e dhunës nuk i kaloi asnjëra palë. Ishte një skenar që të gjitha palët u kënaqën, u kënaqën se kapën edhe disa tituj në mediat e huaja’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:27
Spahiu: Berisha e shtyu rrëzimin e Ramës për 20 shkurt, 1 qershor, 4 korrik, tallje me militantët

 

Juristi Kreshnik Spahiu, tha se protesta e PD nuk përbënte asnjë rrezik real për qeverinë Rama.

Duke u ndalur tek dhuna që shoqëroi protestën, Spahiu tha se ky element dëmton jo vetëm opozitën, por edhe imazhin e vendit në botë.

'Ka njerëz që të thonë se Rama ka frikë, unë them se Rama dhe qeveria nuk është se janë rrezikuar nga ajo protestë. Po Berisha e shtyu rrëzimin e Ramës për 20 shkurt, 1 qershor. Tani kush ka fituar dhe kush ka humbur? Nga protesta kanë fituar dhe PD dhe PS por a ka fituar Shqipëria? A solli protesta ndonjë ndryshim sado të vogël, çdo protestë duhet që të korr një fitore. Por nëse thua që do rrëzojmë Edi Ramën dhe se arrijnë atëherë ke humbur. Unë them se nga ai imazh i dhunës Shqipëria nuk fiton’, tha ai.