TIRANE- “Tri dritare dhe një varje" i regjisorit Isa Qosja shfaqet premierë në festivalin e Durrësit. Historia e grave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës është konceptuar nga regjisori i njohur Isa Qosja flet përmes një mentaliteti të ngulitur të turpit që mbulon një tragjedi të vërtetë të gruas.

Filmi konkurron për “Gladiatorin e Artë” në këtë festival. Është historia e Lushnjës, një mësuese fshati, e cila e shtyrë nga ndërgjegjja dhe nevoja për rikthimin e dinjitetit, i beson një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra janë viktima të dhunës së ushtarëve serbë në luftën e fundit. Ky fakt që mentaliteti i vendasve e quan turp, zemëron meshkujt e fshatit e ata i dalin kundër gruas që guxoi të thotë të vërtetën. Me skenar të Zymber Kelmendit, filmi i Isa Qosjes, gjashtë vjet pas “Kukumit” një tjetër histori për pasluftën, ka kaluar nëpër një proces të vështirë, sepse kjo temë akoma mbetet tabu. 

Sot e 15 vjet pas luftës për këto gra asgjë nuk ka ndryshuar. Filmi “Tri Dritare dhe një varje” është prodhimi i qendrës së kinematografisë së Kosovës. Premiera e tij u dha në festivalin e fundit të Sarajevës, ku u vlerësua me çmimin e Kinemasë Evropiane, ndërsa në festivalin e Durrësit konkurron për “Gladiatorin e Artë” me 14 produksione filmike nga Evropa. Festivali Ndërkombëtar i filmit në Durrës do të vijojë deri në më 14 shtator.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)