Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikëve për cilësinë e rrugëve të ndërtuara në Shqipëri duke thënë se qeveria po punon me standardet europiane.

Ndërkohë që solli në vëmendje kohën kur vendi drejtohej nga demokratët, duke thënë se ajo qeveri ka bërë shumë më shumë tendera ka ndërtuar copa rrugësh duke i lënë më pas në mes.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e cila shkruan se kryeministri Rama ka ndërtuar vetëm 22 km rrugë në 7 vite qeverisje. Ndërsa për rrugët e ndërtuara nga qeveria Rama ajo thotë se ato janë të nisura përpara vitit 2013.

"I gënjeu shqiptarët se rruga nuk është zhvillim. Pastaj, se nuk kishte rrugë të ndërtuara. Në fund të rrugës së tij u thotë shqiptarëve se po ndërton rrugë. Cilët rrugë? Ato të nisura përpara vitit 2013 atëherë kur i sulmonte. Bilanci i tij: vetëm 22 km rrugë në 7 vite! Rama është prova njerëzore e gënjeshtrës për mbijetesë. Çdo ditë që qëndron, më shumë dëm i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve", shkruan Tabaku.