Ish gazetarja: S'e dija që ishte autik, E rraha por edhe e putha
DËSHMIA/ Ish-gazetarja dhe njëkohësisht administratorja e kopshtit "Diren" ku u rrah brutalisht një fëmijë vetëm 3-vjeç, Anjeza Shabani ka rrëfyer mes lotësh në polici dinamikën e ngjarjes. Para oficerëve të policisë ajo ka pohuar dhunën e ushtruar por ka akuzuar emisionin se nuk e ka publikuar të plotë videon. Anjeza Shabani pretendon se e ka rrahur fëmijën por edhe e ka puthur më pas gjë që sipas saj nuk është transmetuar në emision.Madje ajo ka thënë se nuk e dinte që fëmija ishte autik VIDEO
Ish-gazetarja dhe njëkohësisht administratorja e kopshtit "Diren" ku u rrah brutalisht një fëmijë vetëm 3-vjeç, Anjeza Shabani ka rrëfyer mes lotësh në polici dinamikën e ngjarjes që ka tronditur opionin publik gjatë orëve të fundit.
Para oficerëve të policisë ajo ka pohuar dhunën e ushtruar por ka akuzuar emisionin se nuk e ka publikuar të plotë videon. Anjeza Shabani pretendon se e ka rrahur fëmijën por edhe e ka puthur më pas dhe e ka trajtuar mirë, gjë që sipas saj nuk është transmetuar në emision.
“Videoja është prerë, nuk është e plotë. Unë pasi e qëlloja edhe e kam përqafuar fëmijën. Por ai përsëri nuk pushonte. Unë nuk e dija që fëmija ishte autik. Nuk më kishin thënë. Po të shihni videot e plota shihet që unë e kam puthur dhe përqafuar disa herë. Se dija që ishte autik”, tha ajo para Policisë
Më tej, administratorja e kopshtit, ngriti një pretendim tjetër, atë se pamjet ishin një montazh i redaksisë së emisionit investigativ. Por e zënë ngushtë nga përsëritja e pamjeve të dhunës ish- gazetarja 33 vjeçare, pranoi se mund të kishte ushtruar dhunë. Më tej ajo pohoi se ka qenë vetëm një episod dhe sipas saj ajo e kishte përqafuar fëmijën dhe e kishte puthur të miturin.
Shabani a ish-moderatore e emisionit “Alarm” u mor dje në pyetje nga policia. Ajo është izoluar në një nga ambientet e Policisë së Tiranës, ndërsa mbi të rëndon tashmë akuza për "shpërdorim detyre", "ushtrim dhune" ndaj të miturve dhe personave të pazotë. Po ashtu burimet e policisë thanë se ndaj saj ka nisur edhe një hetim për ushtrim të aktivitetit në mënyrë të paliçencuar. Ajo ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe qante pa pushim.
Pamjet e dhunimit të një të mituri në kopësht u transmetuan mbrëmjen e së hënës nga emisioni investigativ "Stop".