Ish konsulli grek në Korçë dënohet
me 1 vit burg për sjellje të pahijshme

Ish konsulli grek në Korçë dënohet<br />me 1 vit burg për sjellje të pahijshme
ATHINE-  Ish konsulli grek në Korçë, Teodoros Ikonomu Kamarinos dhe 2 ish punonjës të konsullatës janë dënuar me burgim prej një viti nga Gjykata e Faktit e Athinës.

Theodhoros Ikonomu Kamarinos u dënua me një vit burg, tre vjet liri me kusht dhe një gjobë prej 5. 000 eurosh, pasi u shpall fajtor “për sjellje të pahijshme gjatë qëndrimit të tij në Korçë”, akuzë që lidhet me procedurat e dhënies së vizave greke për qytetarët shqiptarë.

Sipas Zougla.gr në dëshminë e tij, ish konsulli i akuzuar argumentoi se "Gjykata nuk mund të gjykojë objektivisht një shërbim që është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare". Ikonomu ka pretenduar se gjithça ndaj tij është shpifje dhe e pabazë, madje ai është viktimë e situatave politike.

“Akuzat janë inekzistente. Unë kam marrë madje edhe kërcënime nga deputetë, avokatë dhe prodhues të frutave, sepse nuk jepja viza afatshkurtra për shtetasit shqiptarë, të cilët donin të vinin në Greqi për të punuar", tha ndër të tjera diplomati grek, duke shtuar se akuza kundër tij bazohet në një letër anonime, dhe si e tillë nuk është serioze.  

Ikonomu përmendi një protestë të çamëve të organizuar ditën e largimit të tij nga konsullata, në një kohë kur, siç tha, për largimin e tij kishte dijeni vetëm ish ambasadori grek, Nikolas Pazios.

Ndërkaq, një tjetër ish diplomat grek, Jorgos Aifantis, që kishte punuar me Kamarinos në Konsullatën greke në Bukuresht , dëshmoi në favor të ish konsullit në gjyqin që po zhvillohej.
 
Gjithmonë sipas Zougla.gr Aifantis ka thënë se arsyeja e vërtetë e këtij dënimi, është ngjarja në Korçë, ku u diskutua mbi pjesëmarrjen ose jo të grekëve në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Shqipëri në vitin 2011, regjistrim që do të përfshinte pyetje mbi etninë dhe fenë.

Aifantis iu referua deklaratës së ish konsullit Ikonomu, i cili tha në atë takim duke iu drejtuar qytetarëve korçarë: "Shkoni të shihni varret e gjyshërve në çfarë gjuhe janë shkruar dhe pastaj vendosni si të veproni".

Krahas kësaj, Aifantis tha se ish-konsulli ka shqetësuar burokratët e Athinës, sepse në dokumentet në Ministrinë e Jashtme, në vend të termit "Shqipëria jugore", ka përdorur termin "Epiri i Veriut".

Po sipas Zougla.gr në këtë moment ka ndërhyrë prokurori i çështjes ndërhyri duke ndërprerë diplomatin në pension, duke thënë se "Kjo zonë (Epiri i Veriut) nuk është më e jona. Ne duhet të përdorim termin “Shqipëria jugore”, dhe jo ashtu siç na pëlqen".

Në përfundim gjykata greke shqiptoi dënimin për ish konsullin dhe 2 ish punonjësit, vendim që u apelua nga avokatët, pasi sipas tyre, akuzat janë bazuar në ankesa anonime dhe që nuk kanë asnjë vërtetësi.
 
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Fabio Capello 'shigjeton' Spallettin: Shumë konfuzion, tjetër gjë të bësh trajnerin e Italisë! Më vjen turp

Fabio Capello 'shigjeton' Spallettin: Shumë konfuzion, tjetër gjë të bësh trajnerin e Italisë! Më vjen turp