Shumica miratoi 11 pikat e rendit të ditës, ndërsa shkak i debatit në fund të mbledhjes ishte kundërshtimi që opozita i bëri projektvendimit që do t’i kalojë shoqërisë “Eco Tirana” Parkun e Transporteve në rrugën Don Bosko, me një sipërfaqe toke prej rreth 22 mijë metra katror.
Kjo sipërfaqe, që deri tani ishte në pronësi të Bashkisë Tiranë, i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”, shoqërisë së krijuar në maj nga Bashkia për menaxhimin e mbeturinave.
Kompania “Eco Tirana” përbëhet nga një kapital i përbashkët mes Bashkisë së Veronës me 49% dhe asaj të Tiranës, 51%.
Ky vendim ka sjellë debate të forta në Këshillin Bashkiak, pasi është kundërshtuar nga Partia Demokratike.
Kreu i Këshilltarëve të PD, Leonard Olli akuzoi Veliajn.
“Për këto diskutime duhej të kishim të drejtën legjitime që të gjithë shqiptarët e kanë fituar me gjak në vitin 90, të drejtën e fjalës.
Kjo e drejtë fjale duhet të jepet brenda sallës së Këshillit Bashkiak ku ne kemi bërë betimin se ne do të mbrojmë interesat e publikut.
Për fat të keq, nuk është hera e parë që kjo mazhorancë, pa dallim, me dhunën e kartonëve, sa herë vjen çështja për interesat mafioze, fillojnë dhe mbyllin mikrofonin dhe ndalojnë mbledhjen.
U djeg shumë diskutimi i çështjes së “Eco Tirana”, jo thjesht dhe vetëm se është një aktivitet totalisht i paligjshëm, antiambientalist, në zemër të Tiranës e cila do të ketë impakt për rreth 90 mijë banorët e njësisë administrative n.9, pasi do të ketë depozitim mbetjesh, lëre çfarë thuhet zyra.
Ajo që ata donin të fshihnin me çdo kush ishte aktiviteti i kësaj kompanie, e cila i ka paraprirë në kohë ligjit famëkeq të importimit të mbetjeve. Mafia po vendos diktatin.
Popullit i është hequr e drejta e vendimmarrjes. Kjo u duk qartë edhe në parlament për mosaprovimin e referendumit.
Fatkeqësia është se të gjithë bëjnë apel për një qytet më të pastër por të mos harrojmë se ishte vetë kryetari i bashkisë Erjon Veliaj, i cili jo më larg se katër muaj më parë, bëri apelin për t’u punësuar tek firma 3R.
Apeloi për të shkuar për të punuar se të gjithë aty do të ishin të garantuar dhe të siguruar. Dhe çfarë ndodhi. Një 17 vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike i shfrytëzuar çmendurisht nga mafia e përpunimit të plehrave.
Sot na sjellin një emër të ri dhe këtë e fshehin nën petke memorandumesh, por nëse janë kaq të qetë, përse refuzojnë të bëjnë transparencë? Nuk është vetëm paligjshmëria që në themel në krijimin e kësaj kompanie, por janë 22 mijë m2 në qendër të Tiranës”, u shpreh Olli.
Kreshnik Çollaku u shpreh se do t’ua kërkoj kolegëve në mbledhjen që do të zhvillojmë, të dorëzojmë mandatet e Këshillit Bashkiak, pasi nuk mund të përfaqësojmë dot qytetarët sepse këtu ka një vullnet mafioz i cili bllokon fjalën, transparencën, sqarimet në çdo element.
“Akte të cilat kalojnë pa transparencë, akte të cilat kalojnë në dhunim të çdo ligji dhe më e rënda dhe këtu fillon mosfunksionimi ynë si Këshill, unë personalisht ndjehem i paaftë ta kryej këtë.
Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie për të replikuar, për të kërkuar informacion, për të kundërshtuar, pra të dashur qytetarë të Tiranës, ne nuk mund t’ju gënjejmë dot.
Un nuk ju gënjej dot. Unë si këshilltar i këtij Këshilli Bashkiak, nuk e kryej dot më funksionin si i zgjedhur aty brenda. Ndaj po vlerësoj seriozisht, dhe do t’ua kërkoj kolegëve të mi, në mbledhjen që do të zhvillojmë, të dorëzojmë mandatet e Këshillit Bashkiak.
Ne nuk mund të përfaqësojmë dot qytetarët sepse këtu ka një vullnet mafioz i cili bllokon fjalën, transparencën, sqarimet në çdo element. Kemi konsumuar çdo argument, kemi konsumuar çdo kërkesë normale, logjike, të edukuar, duke bërtitur ndonjëherë për të marrë fjalën.
Për të thënë fjalën tonë, për të kërkuar informacion dhe transparencë, kjo nuk ndodh. Sjellja është tipike mafioze. Përpara këtyre sjelljeve ka dy rrugë, ne të mos gënjejmë qytetarët. Këtu brenda nuk mbrohen më interesat e qytetarëve, kështu që na mbetet, të dorëzojmë mandatet, të bojkotojmë këtë farsë dhe t’u drejtohemi qytetarëve ta zgjidhin vetë”, u shpreh Collaku.
Shezai Rrokaj u shpreh se ne ftojmë opozitën, kryetarin e saj, të vijë në zbardhjen e vendimit, bashkë me ju, ta shikojmë të zezë mbi të bardhë, që ky projekt (EcoTirana) absolutisht nuk parashikon dhe nuk mund të pranonim të parashikonte riciklim të mbetjeve në mes të Tiranës.
Ne e ftojmë opozitën, kryetarin e saj, të vijë në zbardhjen e vendimit, bashkë me ju, ta shikojmë të zezë mbi të bardhë, që ky projekt (EcoTirana) absolutisht nuk parashikon dhe nuk mund të pranonim të parashikonte riciklim të mbetjeve në mes të Tiranës. Natyrisht, aty do të qëndrojnë, siç përdoret edhe për zona të tjera, vetëm makinate pastrimit, të cilat do të merren vetëm me zonën e Don Boskos. Por, nuk do të ketë parkim në këtë zonë për të gjithë makinat që merren me pastrimin në Tiranë.
Kjo u përfshi edhe në vendim. Qëndrimi ynë ka qenë ky: Që të miratonim një draft i cili nuk parashikon riciklim apo grumbullim mbetjesh, që nuk shërben si parkim për tërë flotën e makinave që merren me pastrimin e Tiranës, por vetëm per ate zone, siç ndodh edhe në zonat e tjera me kompanitë private. Kjo është e gjitha dhe duhet të jemi të qartë me qytetarët në radhë të parë sepse problemi i opozitës është problemi i saj.
Ndërsa Klotilda Ferhati e Partisë Socialiste deklaroi se nuk kemi transferuar në pronësi “Eco Tirana” asnjë pasuri të bashkisë së Tiranës, e kemi dhënë në përdorim, me qëllim që shoqëria të ushtrojë veprimtarinë e saj në një aset të cilin Bashkia e Tiranës deri dje nuk e përdorte, ishte në amortizim total dhe sot vihet në efiçencë për një shërbim më të mirë të pastrimit të qytetit.
Për të sqaruar qytetarët, më duhet të them se sot objekt vendimmarrje në Këshill Bashkiak nuk ka qenë asgjë që ka të bëjë me shërbimin e mbledhjes së mbeturinave. Objekt i vendimmarrjes nga ne si këshilltarë, që kemi mandat për të marrë këto vendime, ka qenë pikërisht nëse do ta jepnim apo jo në përdorim për shoqërinë “Eco Tirana” një ambient në pronësi të Bashkisë Tiranë, i cili të përdorej për zyra logjistike, për ofiçinë riparim mjetesh, për parkim të mjeteve të pastrimit dhe për ato makineri që përdoren për zonën, në funksion të aktivitetit të shoqërisë “Eco Tirana”, pjesë e të cilës në kapital është edhe Bashkia e Tiranës.
Nuk kemi transferuar në pronësi “Eco Tirana” asnjë pasuri të bashkisë së Tiranës, e kemi dhënë në përdorim, me qëllim që shoqëria të ushtrojë veprimtarinë e saj në një aset të cilin Bashkia e Tiranës deri dje nuk e përdorte, ishte në amortizim total dhe sot vihet në efiçencë për një shërbim më të mirë të pastrimit të qytetit.
Nuk do të ketë atje asnjë aktivitet për mbledhje dhe grumbullim mbeturinash. Asnjë aktivitet për riciklim apo për përpunim të mbeturinave. Por, duke qenë se këshilltarët e opozitës e kërkuan me ngulm, ne pranuam njëzëri që të shkruhej kjo shprehje në vendimin e Këshillit Bashkiak. Vetë kryetari i Këshillit të Bashkisë kërkoi që të zbardhej kjo në vendimin përkatës të këshillit.
Nuk është koncesion, por jemi përballë një partneriteti publik-publik mes Bashkisësë Tiranës me Bashkisë sëVeronës. Të dyja bashkitë vënë në dispozicion njëra eksperiencën dhe mjetet financiare, tjetra shërbimin, në mënyrë që qytetarëve të Tiranës t’u jepet një shërbim më me cilësi.
Dua që të evitoj debatin e keqinterpretimeve dhe keqinformimit që bëjnë këshilltarët e opozitës. Situata e sotme ka qenë vërtet e patolerueshme. Ata u përpoqën disa herë të sabotojnë mbledhjen. Disa individë të opozitës kanë marrë peng Këshillin Bashkiak, jo vetëm këtë, por kanë marrë peng edhe të gjitha vendimet e mira që jemi duke marrë në gjithë këto muaj punë në këtë pozicion që kemi. Ne kemi një detyrë ndaj qytetarëve.
Kemi marrë mandate jo për të fjetur gjumë, kemi marrë mandate për të punuar. Janë qytetarët ata që na gjykojnë. Të gjithë duhet ta dinë, mbledhjet e Këshillit Bashkiak janë mbledhje pune, nuk janë mbledhje shou politik. Ne na gjykojnë vendimet që marrim, rezultatet që japin ato dhe vota e qytetarit në fund i cili na voton nëse i pëlqejnë shërbimet tona dhe nuk na voton nëse nuk i pëlqejnë shërbimet tona.
Sot i është dhënë fjala 3-fish më shumë, si në çdo mbledhje tjetër, anëtarëve të opozitës dhe 1/3 e kohës është përdorur nga ne, nga anëtarët e mazhorancës dhe sërish personat që kanë bërë zhurmuesin, keqinterpretuesin janë nga opozita dhe na vjen keq vërtet për këtë".
Ja te gjitha vendimet që u miratuan sot nga Këshilli Bashkiak