TIRANE - Në zbatim të aktit normativ të miratuar nga qeveria shqiptare për kthimin e godinave ish-pronarëve, zyrat e Përmbarimit ditën e sotme kanë nxjerrë jashtë shtëpisë pajisjet dhe orenditë shtëpiake të një të moshuare në rrugën “Tefta Tashko” tek Pazari i Ri në kryeqytet. Ndërkohë që 4 familjeve që jetojnë në një shtëpi dy katëshe u është kërkuar që brenda javësh të lirojnë ambientet e tyre të banimit.

E moshuara Arjana Delimani, e cila banon në rrugën “Tefta Tashko” tek Pazari i Ri shprehet e indinjuar për vendimin e Zyrës së Përmbarimit duke sqaruar se ka 54 vjet që jeton në atë shtëpi dhe ka më shumë se 20 vjet që kërkon të strehohet. Ajo ka dalë në pension dhe nuk ka mundësi të marrë dhe të paguajë kredi për shtëpi.

“Ky fenomen është prej kohës, kemi 20 vjet që duam të strehohemi. Ç’faj kam unë që linda dhe u rrita këtu. Unë kërkoj të më trajtojnë njësoj. Gjithë Shqipëria i privatizoi shtëpitë shumë lirë. Nuk kam mundësi të marrë kredi sepse po dal në pension dhe nuk e paguaj dot. Ku janë shtëpitë sociale, kërkojmë një shtëpi të thjeshtë. Nuk e kam zaptuar shtëpinë por kam dokumente të rregullta të Komitetit Ekzekutiv. Unë jam e para që dal nga kjo shtëpi sot”, shprehet Arjana Delimani.

Ndërkohë që janë edhe 4 familje në rrugën “Tefta Tashko” tek Pazari i Ri që këto ditë pritet që Zyrat e përmbarimit t’i nxjerrin jashtë banesave të tyre. Një nga banorët e këtyre shtëpive shprehet se nuk kërkon lëmoshë nga shteti por do djersën e tij, pasi ka gjithë jetën që punon.

“Kjo është diktaturë, këta janë militantë. Nuk fitohet demokracia për 20 vjet, do shumë kohë. Nuk më ka strehuar njeri, unë dua gjakut tim, djersën time. Nuk kërkoj lëmoshë se kam gjithë jetën time që punoj dhe jam shumë i lumtur për këtë”, shprehet banori për A1 Report.

Çdo ditë e më shumë akti normativ i qeverisë po vihet në zbatim, pasi prej 3 ditësh një situatë e tensionuar vazhdon edhe në zonën e “21 dhjetorit”, në ish-çerdhen 36, pasi banorët e 12 familjeve që jetojnë prej 20 vitesh aty refuzojnë të lirojnë shtëpitë e tyrë, duke sqaruar se kanë dokumente të rregullta dhe kanë hedhur në gjyq zyrën e Përmbarimit.

67 banorët janë ende në pritje të momentit kur zyrat e Përmbarimit do të fillojnë aksionin e shembjes së shtepive të tyre. Ditën e sotme një përfaqësi nga këta banorë i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës, por nuk i ka pritur asnjë në takim, duke ua shtyrë për ditën e premte.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)