Ish-selia e PD bëhet drejtori
konviktesh për shkollat e mesme

Ish-selia e PD bëhet drejtori<br />konviktesh për shkollat e mesme
TIRANE- Shtëpia” e vjetër e Partisë Demokratike, e cila ndodhet në qendër të kryeqytetit, tashmë është kthyer në drejtori konviktesh për shkollat e mesme të Tiranës. Vendimi për statusin e ri të kësaj godine me histori për të gjithë demokratët, mban firmën e kryebashkiakut Lulzim Basha.
 
Ish-selia e Partisë Demokratike, e cila mbart në vetvete 21 vite histori e sfida për të gjithë demokratët, duke filluar që nga kjo javë që lamë pas është kthyer në drejtori konviktesh, për shkollat e mesme të Tiranës.

Vendimi për destinacionin e ri të ish-selisë historike të Partisë Demokratike, është marrë nga kreu aktual i të djathtës shqiptare, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i bashkisë së Tiranës, duke i dhënë kështu fund edhe hamendësimeve se kjo pronë mund t’u kthehej pronarëve. Ndërkohë që nostalgjikët e ish selisë së PD-së, tashmë do të gjejnë në të edhe punonjësit e zyrës për mbrojtjen e konsumatorit.

Nga një vëzhgim që bëri një ditë më parë “Shqiptarja.com”, konstatuam se tashmë administrata e drejtorisë së konvikteve është zhvendosur në mjediset e reja, në qendër të Tiranës, dhe vihet re se ka nisur edhe puna për rikonstruksionin e kësaj godine. Muret dhe suvatë e katit të parë të ish-selisë së PD-së, janë hedhur të gjitha në tokë, ndërsa korridori ishte i mbushur me kova llaçi, ndaj ishte e vështirë të arrije deri tek sekretarija në fund të korridorit. Interesimit tonë për ndryshimin e destinacionit të godinës, nuk pranon askush t’i japë përgjigje dhe të thonë se duhet të interesoshesh te bashkia e madhe, ndaj ne paraqitemi sikur duam të regjistrojmë dikë në një konvikt.

Sekretaret që ndodhen në fund të katit të parë na thonë se “këtu është drejtoria e përgjitshshme e konvikteve dhe nuk regjistron njeri, por duhet të bëjmë gati dokumentet dhe të paraqitemi në konviktin përkatës të shkollës’, - na thonë sekretaret që takojmë duke konfirmuar se administrata ka nisur punën në godinën e re. Mësohet se godina e ish-konviktit të Liceut Artistik “Jordan Misja” ku ndodhej deri një javë më parë, drejtoria e konvikteve të shkollave të Tiranës, e cila është nën varësi të bashkisë së kryeqytetit, do të kthehet në shkollë 9-vjeçare për gjithë këtë zonë, duke i rikthyer kështu shkollën “Kosova” kryeqytetit.

Shkolla “Kosova” ka qenë një shkollë 9-vjeçare e cila është mbyllur rreth 10 vite më parë. Godina e kësaj shkolle ende ekziston, por ajo është tejet e amortizuar, ndërsa oborri i saj shërbente si parking për mjetet e punonjësve të administratës së konvikteve. Duket se vendimi për ndryshimin e destinacionit të ish-selisë së PD-së, është mjaft i menduar nga kryebashkiaku Basha, duke synuar kështu jo vetëm legjitimimin e selisë së re të PD-së, por me kthimin e ish godinës së drejtorisë së konvikteve në shkollë 9-vjeçare për zonën, i jep fund edhe debateve për ish-konviktin e gjuhëve të huaja, që bashkia ia dha një universiteti privat, ndërkohë që në projektbuxhetin e saj kishte parashikuar ta kthente në shkollë 9-vjeçare.
 
 Shkrimi u publikua sot (19.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë