Ish-SHIK-asit: Vëllai i Hashim Thaçit informator i UDB-së serbe

Ish-SHIK-asit: Vëllai i Hashim Thaçit informator i UDB-së serbe
Portali Indeksonline ka siguruar një video ekskluzive me kamerë të fshehtë ku shihen dy të vetë-shpallurit agjent të SHIK-ut (Shërbimit Informativ të Kosovës) të afërt me PDK-në e Hashim Thaçit, duke folur për vrasjet, informatorët dhe procesin gjyqësor rreth ekzekutimeve dhe atentateve në Kosovë.
 
Dy personazhet Nazim Bllaca dhe Naim Miftari, të bërë të famshëm së fundi për përplasjet mes tyre dhe letrat e shkëmbyera mes veti, ishin takuar kohë më parë në shtëpinë e Nazim Bllacës i cili është në arrest shtëpiak dhe nën masat e sigurisë së EULEX dhe Policisë së Kosovës.

Në këtë takim ata flasin për sulmin e serbëve ndaj familjes Jashari, vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti, ish-pjestarëve të sigurimit jugosllav Selim Broshës, Ibush Kllokoqit dhe vrasje e sulme të tjera, shkruan indeksonline. 

Ata poashtu tregojnë figurat që do të shantazhohen nga SHIK në të ardhmen, si Bajram Rexhepi, Agim Çeku dhe Enver Hoxhajn. Ata tregojnë edhe vendin ku janë pajisur me ID dhe armë për ekzekutimet që do të bëheshin si dhe për një dëshmi të ish-presidentit Fatmir Sejdiu.

Miftari tregon edhe për përcjelljen që ja kanë bërë Bajram Kosumit. Kosumi zëvendësoi ish kryeministrin Ramush Haradinajn në qeverisjen LDK-AAK, për shkak të dorëheqjes së detyrueshme të Haradinajt pas ftesës nga Haga. Më pas Kosumi pas disa muajsh u shantazhua me një bisedë të publikuar nga MSN dhe kthimit të tij nga Turqia me aeroplan privat që solli deri tek dorëheqja e tij.

Në këtë video, Naim Miftari, i cili në gjykatë kishte mohuar më parë që njihej me Nazim Bllacën, thotë se ka fakte që e implikojnë vëllain e kryeministrit Hashim Thaçi me shërbimin informativ serb (UDB) dhe posedimit të një transkripti ku flitet për dhënien e informatave UDB-së, nga Gani Thaçi për familjen Jashari dhe UÇK-në në vitet 97,98.

Megjithëse publikisht thotë që nuk është Azem Syla pjesë e SHIK-ut, në shtëpinë e agjentit Nazim Bllaca, Naim Miftari e pohon të kundërtën.

Ai madje pretendon se informacionet e marra nga Shërbimi Informativ i Kosovës fillimisht shpërndaheshin në shërbimet sekrete serbe e pastaj ktheheshin në instancat e SHIK dhe amerikanëve e britanezve.

Miftari në këtë video flet edhe për shumë raste tjera të ndjeshme e të cilat deri tani kanë qenë enigmatike.

/rg/indeksonline/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga