Vendimi u mor nga Komisioni I Ligjeve dhe u miratua si nga maxhoranca ashtu edhe nga opozita.
“Shkak për këtë hap është bërë fatura e madhe financiare që krijohet nëse do të miratohej në mënyrë përfundimtare vendimi i Komisionit të Ligjeve.”- shkruan sot Mapo e cila y referohet burimeve nga mazhoranca, por pa saktësuar se kush janë ato.
Sipas gazetës janë dy mënyra si mund të veprohet për rikthimin në fuqi të të draftit të paraqitur nga qeveria.“ajo për ta rikthyer në komision dhe rruga e dytë ajo që të kalojë në seancë dhe aty të miratohet varianti i qeverisë.
Sa i përket rrugës së parë, asaj të rikthimit të projektligjit në komisionin e Ligjeve, mësohet se pavarësisht se kjo është e vështirë për shkak të rregullores, ajo mund të jetë një rrugë e arsyeshme, që mund të justifikohet kësaj here me faturën financiare që krijohet në rast se projektligji do të votohej nga Kuvendi me ndryshimet e bëra nga deputetët në komision. Sipas të njëjtave burime, qeveria pritet realisht të sjellë një faturë financiare për projektligjin, duke llogaritur sesa do t’i kushtonte buxhetit të shtetit dëmshpërblimi i të gjithë atyre të përndjekurve që kanë mbushur 70 vjeç për gratë dhe 75 për burrat, duke përcaktuar në këtë rast si numrin e personave që do përfitonin ashtu dhe masën financiare për secilin. Burime nga Ministria e Financave e kanë konsideruar të shpejtuar një vendim të tillë nga komisioni i Ligjeve, pasi fatura financiare që krijohet arrin në shifra gati të papërballueshme për buxhetin.
Përveç kësaj rruge, maxhoranca ka në dispozicion dhe një rrugë tjetër, ajo e rrëzimit të amendamenteve të bëra nga komisioni i Ligjeve gjatë shqyrtimit të projektligjit në seancë plenare. Në një rast të tillë kjo do mund të realizohej vetëm me një sugjerim nga njëri prej anëtarëve të kabinetit apo një deputeti në sallë, i cili do të kërkonte që të hidhej në votë varianti i qeverisë, ai që përcakton të drejtën e dëmshpërblimit të menjëhershëm vetëm për të përndjekurit mbi 85 vjeç. Në një rast të tillë aktualisht sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë do të përfitonin 423 persona dhe shtetit do t’i kushtonin 1.5 miliard lekë të reja. Por një rrugë e tillë do të kishte impakt politik më të madh negativ për mazhorancën, pasi do i jepte mundësi opozitës që ta etiketonte si një qeveri që nuk mbështet interesat e shtresës së të përndjekurve. Socialistët pikërisht dëmshpërblimin e menjëhershëm të të përndjekurve mbi 75 vjeç, e kanë bërë një angazhim të tyrin të sanksionuar dhe në programin politik.
(sg/shqiptarja.com)