TIRANE- Për disa minuta është marrë në pyetje ditën e djeshme ish-zv-ministri i Brendshëm Ferdinand Poni, ndërsa ende mbetet misterioze lënda pyetësore.

Lajmi për marrjen e tij në pyetje u konfirmua për gazetën “Shqiptarja.com” edhe nga vetë Zoti Poni, i cili nuk pranoi të jepte detaje rreth motivit.

Ndërkaq, burime të mirëbesuara pranë Policisë së Tiranës sqaruan se Poni është marrë në pyetje nga specialistët e Sektorit të Antikrimit Ekonomik dhe specifikisht të nëndarjes së Antikorrupsionit.

Duke iu referuar të njëjtave burime policore mësohet paraprakisht se bëhet fjalë për një seancë në cilësinë e personit në dijeni dhe se nuk ka ndonjë formulim akuze për “Shpëdorim detyre” apo “Korrupsion”, qoftë aktiv ose pasiv, pasi edhe vetë çështja për të cilën bëhet fjalë nuk është as e bujshme dhe as me ndjeshmëri publike.

Në ditët në vijim pritet që policia ose prokuroria e më saktësisht njësia Taks-Forcë t’i zgjerojnë hetimet, duke mundësuar edhe sqarimin e kësaj çështjeje. P

or kjo histori mund të mbyllet me kaq, pra vetëm me një seancë pyetësore nga policia, pa kaluar materialet në prokurori, teksa gjithçka varet nga rëndësia e dosjes në fjalë. Mësohet se bashkë me Ponin janë pyetur edhe disa persona të tjerë, kryesisht bashkëpunëtorë të tij. Ferdinand Poni është një prej personazheve më të spikatur të së djathtës shqiptare, përsa i përket aftësive të tij në administrimin e dosjeve dhe projekteve të pushtetit lokal.

Regjistri elektronik, ndarjet administrative, sistemi i adresave, etj, etj, janë vetëm një pjesë e vogël e punëve ku ai ka meritën kryesore.

Gjatë periudhës kur Partia Demokratike qeverisi vendin, Poni merrte përsipër me kompetencë të gjitha zhvillimet e projekteve afatshkurtra dhe afatmesme në përmirësimin e sistemit të administrimit të pushtetit lokal.

Shkrimi u publikua sot (03.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)