VALBONË- Për turistët, aventurat në Alpet dhe bregdetin shqiptar nuk ka qenë një eksperiencë e lehtë. Mes kufirit të Thethit e Valbonës për shkak të terrenit të thepisur, ditën e sotme 3 turistë çekë mbetën të bllokuar për disa orë në vendin e quajtur Curraj i Epërm. Ata u shpëtuan pas dy operacioneve të kryera nga ekuipazhi i helikopterit të Forcës Ajrore EC 135. Tre turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia thotë se për shkak të terrenit të thepisur dhe mjegullës së zonës, nuk është bërë e mundur ndërhyrja me helikopter, në zonën ku ata kishin mbetur të bllokuar. Më pas efektivët, me qëllim shpëtimin e turistëve, në bashkëpunim me ekipin e qendrës shëndetësore të fshatit Lekbibaj, kanë ndërhyrë në këmbë për të kontrolluar zonën. Pas disa orësh kërkimesh intensive në tërrenin e thepisur të Valbonës, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Maja e Boshit”.

Punonjësit e Policisë fillimisht i nxorën turistët nga terreni i rrezikshëm ku ishin bllokuar dhe më pas i kanë transportuar të tre shtetasit çekë, për rreth 2 orë, deri në Bjeshkët e Vashqefenit, ku ishte e mundur ulja e helikopterit. Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, janë transportuar në qendrën shëndetësore të fshatit Lekbibaj, ku morën asistencën mjekësore dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, një tjetër turist gjerman humbi gjurmët në Karaburun. 73-vjeçari u gjet sot nga policia e Orikumit në Karaburun dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai kishte nisur një mesazh ( sinjal ) nga vendi ku ndodhet në “Skalom të Beget“ nji gji në afërsi të Bristanit mbas bazës së Pashalimanit. Gjermani është i apasionuar  pas ( hiking) ecjeve dhe kryesisht vendeve të pa eksploruara.

Kujtojmë se një incident i ngjashëm pranë qafës së Valbonës është raportuar vetëm pak javë më parë, ku 4 alpinistë u bllokuan ndërsa njëri prej tyre pati dëmtim në këmbë. 4 alpinistët u evakuuan me helikopter, ndërsa i dëmtuari u shoqërua drejt spitalit të traumës në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:47
Në një terren të thepisur malor, dalin pamjet nga shpëtimi i turistëve çekë në Curraj të Epërm (VIDEO)

 

Report Tv sjell pamjet e turistëve çekë të cilët u shpëtuan nga policia pasi mbetën të bllokuar në një terren të thepisur malor në Curraj të Epërm në kalimin midis Thethit dhe Valbonës

Ora 19:32
Mbetën të bllokuar midis kufirit të Thethit e Valbonës, shpëtohet 3 turistët çek

Ka përfunduar operacioni për shpëtimin e tre turistëve çek nga policia e Kukësit. Tre turistët mbetën të bllokuar në një terren të thepisur mes kufirit të Thethit dhe Valbonës.

 

Ora 14:06
3 turistët çekë bllokohen në zonën e Thethit, helikopteri shkon në vendngjarje, pengohet nga mjegulla

Helikopteri ka mbërritur në Theth por nuk ka mundur ende të futet në zonë për shkak të mjegullës. 3 turistët mbetën të bllokuar në zonën e Thethit për shkak të terrenit të thepisur.