Ish-komandanti i bazës së Kuçovës për Report Tv: Ngritja e avionëve të NATO-s, siguri për vendin dhe rajonin

Nga Valeria Dedaj
Ish-komandanti i Bazës Ajrore, Flamur Hoxha, flet për ndërtimin e Bazës Ajrore të Ballkanit Perëndimor në Kuçovë. Ai komenton ardhjen e komandantit të Forcës Ajrore të NATOS, gjeneral Tod Wolters në Tiranë, por edhe ngritjen e 5 avionëve luftarakë në hapësirën tonë ajrore, pas rreth 15 vitesh mungesë (Lexo këtu). Ish-komandanti Flamur Hoxha për kamerën e Report Tv flet për konkretizimin e planit, që ka bërë NATO në bashkëpunim me Ministrinë të Mbrojtjes, për rivënien në funksion të kësaj baze

Zoti Hoxha, pas lajmit të para gjashtë muajve për hapjen e bazës ajrore në Kuçovë, komandanti i Forcës  Ajrore, gjeneral Tod Wolters vjen në Tiranë. Si e shihni këtë iniciativë, ju si ish-komandant i kësaj baze ushtarake?
Pas gjashtë muajsh, besoj se është fillimi edhe konkretizimi i të gjithë planit që kanë bërë në NATO edhe në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Mbrojtjes, për rivënien në funksionim të kësaj baze. Besoj se do të jetë ky fillim, një fillim i mbarë. Ndërsa, në lidhje me demonstrimin që do bëjnë avionët luftarak të NATOS, kanë dy qëllime. Së pari, përshëndesin komandantin e Forcave Ajrore të NATO-s që vjen në vendin tonë. Edhe e dyta, si një demonstrim force edhe për të treguar bashkëpunimin, që kanë Forcat tona të Armatosura bashkë me NATO-n. Të dyja këto bashkë në përputhje me situatën gjeostrategjike, që siç po e shikojmë në të gjithë rajonin tonë ka evoluar edhe po evoluon çdo ditë. 

Përtej ngritjes së avionëve unë do të doja të dija edhe përjetimet tuaja, si një pilotë që keni kaluar disa vite punë, disa vite të jetës suaj në atë bazë?
Besoj se ky lloj demonstrimi bëhet edhe këto fluturime bëhen pas një periudhe prej gati 14-vjeçare,  të cilët avionët tanë luftarak nuk janë ngritur më në ajër. Është një tregues që besoj edhe shpresoj se Baza Ajrore e Kuçovës do të risjellë edhe një herë zhurmën edhe emocionet, që ne përjetonim si dikur në ngritjen e fluturimit. Emocionet janë të pafundme, që nga fluturimi i parë që unë kam bërë që nga momenti që unë kam qenë student, përgatitja në tokë, fluturimet, vështirësitë që ka kaluar edhe aviacioni ynë për këtë periudhë në lidhje me ecurinë e forcave ajrore. 

Ka pasur edhe vështirësi në bazë materiale, burime njerëzore?
Vështirësitë kanë qenë në bazën materiale, me ndërprerjen e marrëdhënieve me Kinën këto resurset që ne kishim erdhën duke u pakësuar vazhdimisht derisa arriti një periudhë që edhe vet Forcat Ajrore, këta lloj avionësh e mbaruan detyrën e tyre për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore, kërkoheshin tipa më të rinj, më të avancuar, sepse aviacioni ka një zhvillim të paparë. Në këto vitet e fundit, kërkohet një anë ekonomike të jashtëzakonshme. Ka shpenzime të mëdha. 

Rihapjen e bazws ajrore në Kuçovë, si do ta komentonit? 
Rihapja e kësaj baze krijon kushte të favorshme për sigurinë, qoftë për vendin tonë, qoftë rajonale. Duke pasur parasysh Kosovën, Maqedoninë, marrëdhëniet gjeostrategjike të rajonit besoj se do të ndikojnë patjetër. Vendosja e bazës së NATO-s është një siguri plus për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore. E cila sigurisht mbrohet nga dy shtete, po të NATO-s, Greqia edhe Italia. 

Ndërtimi i kësaj baze do të ndikojë pozitivisht edhe në formimin e pilotëve të rinj?
Besoj se kjo do të jetë një kohë më e largët për vendosjen e avionëve luftarak për këtë bazë, kjo bëhet më shumë si stacionim i NATOS-s sesa për avionët tanë luftarak. Vendosja e helikopterëve do të ishte në mundësi më e mirë, e një komande të force ajrore në bazën e Kuçovës do të ishte një opsion më i saktë, se mbushja e kësaj baze me avionët tanë luftarak. Aktualisht të gjithë brezat, shumica janë të përgatitur në shkollën  tonë, akademinë e forcave ajrore, 90 për qind e tyre. Një pjesë ka mbaruar në Itali edhe Turqi por përbëjnë një pakicë. Besoj edhe një farë kohe kjo mund të vazhdojë me këtë brez. Më vonë nëse do ketë sipas planeve një rivënie në punë të plotë të bazës së Kuçovës, mbase mund të ketë një rihapje të forcave ajrore, një rigjallërim të saj. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja