HAGË- Prokurorët special artikuluan kërkesën për dënim ndaj Hashim Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK-së këtë të hënë, kur nisën deklarata përmbyllëse në procesin gjyqësor në Hagë. Prokurorja e çështjes, Kimberly West, teksa artikuloi kërkesën për dënimin, tha se akuzat nuk e kanë humbur vlerën me kalimin e kohës.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha prokurorja.

Deklarata e saj pati nevojë për sqarim nga zëdhënësi i dhomave speciale, që tha se kërkesa për dënim është për 45 vite burg për secilin nga të katërt të akuzuarit, që e çon kërkesën e prokurorisë speciale në 180 vite në total.

Prokurorja West tha se ish-drejtuesit e UÇK akuzohen për vrasjet e 100 personave dhe torturave të qindra të tjerëve që janë abuzuar, në dhe rreth 50 kampe ndalimi.

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesnin synimet e UÇK-së", theksoi ajo.

Data 9 dhe 10 shkurt i është rezervuar ekipit të akuzës për të bërë deklaratat përmbyllëse, ndërsa mbrojtja e ish krerëve të UÇK do të nisë me deklaratat e saj nga e mërkura e 11 shkurtit deri në 18 shkurt.

Akuzat për ish-krerët e UÇK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:00
Prokuroria e Hagës kërkoi 180 vite burg për ish-krerët e UÇK, Bardhi: Është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë

1769543405_bardhiiii.JPG

Foto: Gazment Bardhi

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka reaguar për vendimin e Prokurorisë në Hagë e cila kërkon dënimin me 45 vite burg për secilin prej 4 ish-krerëve të UÇK-së.

“Akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të Natos në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të “shkuljes së organeve” nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë. Liria ka emër- UÇK!”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.

Ora 21:56
'Specialja' në Hagë kërkoi 180 vjet burg për Thaçin e 3 ish-krerët, Kurti: UÇK-ja bëri luftë të drejtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me 180 vite burg në total të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë për krime kundër njerëzimit.

Kurti shkruan se "Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste" dhe se "institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre".

Reagimi i plotë i Albin Kurtit:

Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.

UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.

Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.

Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Ora 21:28
Pandeli Majko reagon ashpër për Hagën: Turp! Po amnistoni Millosheviçin dhe po deformoni luftën e Kosovës

Foto: Pandeli Majko

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si një deformim të rëndë të realitetit historik.

Përmes një reagimi publik, Majko, i cili drejtonte qeverinë shqiptare gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1999), theksoi se ky proces po cenohet rëndë nga barazimi i viktimës me agresorin.

Sipas Majkos, drejtësia që po kërkohet në Hagë po shkon përtej individëve, duke goditur vetë bazën e ndërhyrjes perëndimore.

“Procesi fyen aksionin ndërkombëtar të Perëndimit në krah të shqiptarëve, përballë veprimeve shtetërore të Serbisë, të cilat janë trajtuar nga e drejta ndërkombëtare si krime lufte,” shkruan ai.

Akuzën më të rëndë ish-kryeministri e rezervon për efektin që ky gjyq po jep te pala serbe. Ai paralajmëron se historia po rishkruhet mbrapsht.

“Ky proces i deformuar në Hagë po justifikon dhe amniston protagonistin dhe drejtuesin shtetëror serb, Sllobodan Millosheviç, të akuzuar për krime lufte në Kosovë!”, shprehet Majko.

Reagimi mbyllet me një notë të fortë për atë që mund të pasojë.

“Mbas këtij procesi, mbetet që gjykata të vlerësojë edhe dëmin që Kosova duhet t’i paguajë Serbisë!… Turp!”, përfundon reagimi i tij.

Ora 15:44
Gjyqi në Hagë për ish-krerët e UÇK/ Prokurori: Rexhep Selimi ka rrahur një të paraburgosur me tuba plastikë! Të ndaluarit në luftë i keqtrajtonin

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka deklaruar se të ndaluarit nga UÇK në qendrat e burgimit në Ksoovë dhe veri të Shqipërisë, janë keqtrajtuar.

“Selimi ka rrahur një të paraburgosur me tuba plastikë”, tha një prokuror special.

Sipas ZPS-së, të ndaluarit në qendrat e ndalimit në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë janë rrahur me “grushte e shqelma, me shkopinj të drurit e të bejsbollit, me shufra hekuri, është përdorur elektroshok, u janë thyer dhëmbët e disave u janë hequr me pica thonjtë”.

Ora 15:41
Prokuroria kërkon 180 vjet burg për 4 ish-krerët e UÇK-së, Osmani: Dëmton rëndë paqen afatgjatë

1770643333_vjosaosmani.jpg

Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas lajmit se Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me 180 vite burg në total të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë për krime kundër njerëzimit.

Osmani thotë se "çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë".

Reagimi i plotë i presidentes Vjosa Osmani:

Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri.

Ora 15:25
Prokuroria e Hagës kërkon 180 vite burg për ish-krerët e UÇK, LVV: Po synohet përmbysja e së vërtetës, gjenocidin e kreu Jugosllavia e Millosheviçit

1770647690_prokuroriahage.JPG

Gjykata e Hagës

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia e drejtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me kërkesën e Prokurorisë në Hagë, për dënimin me 180 vite burg të ish-krerëve të UÇK, 45 vite për secilin.

LVV thotë se kërkesa e prokurorisë nuk është akt për kërkimin e drejtësisë, por një politikë që synon të përmbysë rendin e së vërtetës.

Sipas kësaj force politike, Jugosllavia e Millosheviçit kreu gjenocid në Kosovë dhe UÇK luftoi duke mbrojtur popullin e Kosovës.

Reagimi i plotë i LVV

Kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës. Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Kjo është e vërteta. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion. Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë. Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit. Ky është një proces që e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur.

Pretendimi se “shënjestrimi” paskësh qenë produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së është një operacion diskursiv që synon ta zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte: hierarki, urdhër, përgjegjësi. Kjo logjikë e shkëput dhunën nga okupimi dhe e trajton rezistencën si projekt kriminal të organizuar, duke e zhvendosur konfliktin nga raporti real agresor–i shtypur në një narrativë teknike të fajit individual. Duke pretenduar se dënon “persona konkretë”, Prokuroria në fakt synon ta dënojë kuptimin kolektiv të çlirimit, ta depolitizojë luftën dhe ta shndërrojë emancipimin liridashës në krim të përhershëm që “nuk vjetrohet kurrë”. Kjo është përpjekje për ta ngrirë historinë në një aktakuzë, ku krimet e një shteti gjenocidal pushtues relativizohen, ndërsa rezistenca e të përjashtuarve e të shtypurve kriminalizohet si kërcënim ndaj regjimit e rendit që kanë prodhuar dhunën. Nuk ka se si të ketë pasur plane individuale për krime kundër njerëzimit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë, në asnjë rrethanë, plane të tilla. Krimet kundër njerëzimit nuk janë veprime të izoluara, por kërkojnë aparat zbatues ose strukturë shtetërore dhe mekanizma sistematikë dhune. Asnjë njësi e UÇK-së nuk ka pasur ndonjëherë si synim, dhe as nuk ka vepruar, sipas një metode të tillë monstruoze.

Krimet kundër njerëzimit, siç i njeh e drejta penale ndërkombëtare, nuk janë akte të rastësishme apo devijime individuale, por forma ekstreme të dhunës së organizuar: shfarosje, vrasje masive, deportime, skllavëri, torturë, përdhunim, persekutim dhe zhdukje me forcë, të kryera si pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile. Historia e drejtësisë ndërkombëtare nga Nurembergu te tribunali për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, e deri te Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe juridiksioni universal i gjykatave kombëtare, ka ndëshkuar pikërisht aparate shtetërore të krimit dhe udhëheqje politike e ushtarake që e kishin shndërruar dhunën shfarosëse në politikë zyrtare. Ky standard tregon qartë se krimet kundër njerëzimit lidhen me pushtet, sistem dhe planifikim, jo me luftëra çlirimtare, dhe se përgjegjësia penale, megjithëse individuale dhe pa afat parashkrimi, presupozon ekzistencën e një makinerie shtypëse që Ushtria Çlirimtare e Kosovës kurrë nuk e ka pasur.

Andaj formulimi dhe kërkesa për dënim për krime kundër njerëzimit ka si referencë Gjyqet ku janë dënuar figura të nivelit më të lartë politik dhe ushtarak si Hermann Göring dhe udhëheqës të tjerë nazistë, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq për krimet në Bosnje e Hercegovinë, Jean Kambanda dhe Jean-Paul Akayesu për gjenocidin në Ruandë, Nuon Chea dhe Khieu Samphan për krimet e Khmerëve të Kuq në Kamboxhia, Dominic Ongwen dhe Ali Kushayb për krimet në Afrikë, si dhe dhjetëra ish-diktatorë, gjeneralë dhe zyrtarë shtetërorë të dënuar në Argjentinë, Gjermani, Francë e vende të tjera, duke konsoliduar parimin se krimet kundër njerëzimit janë krime pa afat parashkrimi dhe se përgjegjësia penale ndërkombëtare është individuale, pavarësisht pozitës apo funksionit shtetëror të autorëve.

Kush nga pjesëtarët e drejtuesit e UÇK-së i ngjan të përshkruarve më lart? Asnjëri dhe askush. Serbia ishte pushtuesja, ushtruesja e dhunës shtetërore, e apartheidit dhe e gjenocidit. Populli shqiptar ishte subjekti mbi të cilin u ushtrua kjo dhunë. Ky është fakti politik e historik themelor, pa të cilin çdo procedurë juridike shndërrohet në farsë. Gjykata Speciale, duke u marrë ekskluzivisht me luftën çlirimtare dhe jo me aparatin shtetëror serb të krimit, e përmbys këtë raport dhe prodhon një barazi të rreme mes atij që shtyp dhe atij që çlirohet. Pretendimi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ndërmarrje kriminale është jo vetëm i pavërtetë, por edhe një tentativë për ta zhveshur nga historia luftën çlirimtare dhe për ta reduktuar atë në çështje penale individuale. UÇK-ja ishte shprehje kolektive e një populli të përjashtuar nga rendi politik, që u ngrit për të fituar të drejtën elementare për ekzistencë, liri dhe barazi. Kriminalizimi i kësaj përpjekjeje është kriminalizim i vetë emancipimit.

Kjo gjykatë nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kundërshtuar këtë proces që nga fillimi e madje edhe para fillimit, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, njëetnike dhe e ndërtuar mbi shtrembërimin e historisë. Një drejtësi e tillë nuk shëron plagë, por i thellon ato. Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron e qartë dhe pa ekuivoke: çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit. Drejtësia e vërtetë fillon aty ku emërtohet saktë pushteti i dhunës gjenocidale dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri. Pa këtë, çdo vendim është vetëm një formë tjetër e padrejtësisë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

9 shkurt 2026

Ora 14:05
Prokurori James Pache në Gjyqin e Hagës thotë se UÇK-ja keqtrajtoi njerëz

Në fjalën e tij përmbyllëse në gjyqin ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve, prokurori James Pache paraqiti akuza të reja lidhur me veprimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës.

Ashtu si prokurorët para tij, Pache u fokusua te ajo që e cilësoi si “krime lufte”, duke pretenduar se ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë keqtrajtuar persona që ndodheshin nën ndalim.

|Thaçi vet ka kërcënuar se do ta vriste një të ndaluar”, tha Pache, duke iu referuar asaj që e quajti provë dëshmie.

Ora 13:38
Prokurorët e Hagës kërkojnë 45 vjet burg për të atin, djali i Hashim Thaçit bën thirrje për drejtësi

Endrit Thaçi, djali i ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë thirrje publike për marshim për drejtësi, në kohën kur në Hagë ka nisur faza përmbyllëse e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Thirrja është bërë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Thaçi ka shpërndarë një poster me mbishkrimin “Drejtësi, jo politikë”, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në marshimin e paralajmëruar më 17 shkurt, në ora 14:00, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Në poster shfaqet edhe slogani “Liria ka emër”, si dhe simboli i UÇK-së. Thirrja vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Marshimi pritet të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe, sipas thirrjes së publikuar, synon të kërkojë drejtësi dhe të kundërshtojë politizimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ora 13:21
Gjyqi në Hagë/ “Thaçi i kishte synimet e qarta”, prokurorja Lawson: UÇK shënjestroi civilë edhe pas Marrëveshjes së Kumanovës

Prokurorja Clare Lawson thotë se pjesëtarët e UÇK-së kanë heshtur përballë ‘krimeve të luftës’.

Të ndaluarit janë rrahur brutalisht përfshirë këtu edhe nga Rexhep Selimi, ndërsa 11 të ndaluar kanë vdekur. Thaçi i kishte synimet e qarta. Thaçi i shoqëruar nga Selimi, ia paraqiti UNMIK-ut planin për qeverinë e përkohshme”, tha ajo. Sipas saj, ish-presidenti Thaçi po përpiqej të kryente punë që nuk i takonin.

Prokurorja tha se UÇK-ja vazhdoi me “shënjestrimin e civilëve” edhe pasi u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, duke ndaluar civilët nën dyshimet për bashkëpunim.

Sipas saj, pas Marrëveshjes së Kumanovës, UÇK mori nën kontroll infrastrukturën shtetërore dhe të akuzuarit tentuan të vendosnin autoritetin de facto në terren. Ajo përmendi një komunikatë të qershorit të vitit 1999, ku thuhej se ishin ndaluar tre persona, dy prej të cilëve ishin vrarë dhe një ishte arratisur. Lawson pretendoi se Thaçi po tentonte të konsolidonte pushtetin te faktori ndërkombëtar, duke mohuar se ka pasur vepra penale.

 

 

Ora 13:17
Gjyqi i Hagës, Gucati: Deklaratat e West skandaloze! Kërkesa për 180 vjet burgim kënaq Serbinë

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër pas fjalës përfundimtare të kryeprokurores Kimberly West në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Gucati e ka cilësuar skandaloze kërkesën për dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga të akuzuarit, që në total arrin në 180 vite burgim. Sipas tij, një kërkesë e tillë i shërben vetëm Serbisë dhe atyre që kanë qenë kundër Kosovës dhe luftës çlirimtare.

“Kjo kërkesë ka kënaqur politikën serbe dhe shtetin e Serbisë. Serbia sot është e kënaqur me prokurorët që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës dhe kundër vet UÇK-së,” deklaroi Gucati.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si Prokuroria ka trajtuar deklarata dhe veprime të pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se ato po interpretohen padrejtësisht si krime lufte. Gucati u shpreh se këto qëndrime janë të papranueshme dhe se qytetarët nuk do t’u besojnë.

Në reagimin e tij, Gucati hodhi poshtë edhe deklaratat e West se gjenerali Wesley Clark dhe diplomatët amerikanë nuk kishin njohuri apo bashkëpunim me UÇK-në.

“S’është e vërtetë. NATO ka bashkëpunuar me UÇK-në, edhe vet Clark. Ka pasur bashkëpunim për çlirimin e Kosovës dhe kundër forcave serbe. Të thuash se UÇK nuk ka pasur mbështetje ndërkombëtare është gënjeshtër,” tha ai.

Ora 12:38
Vijon deklarata e prokurorisë në Hagë: Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dënonte bashkëpunëtorët

Prokurori i Specializuar, Alan Tieger, po vazhdon deklaratën përmbyllëse dhe po flet për, siç pretendon ai, vrasjet dhe torturimet e personave të ndaluar në qendrën në Bajgorë. Siç pretendon ai, vrasjet dhe keqtrajtimet janë bërë “përmes autorizimit të Shtabit të Përgjithshëm” të UÇK-së.

Ai tha qendra në Bajgorë u bë mbi bazën e komunikatave të UÇK-së dhe se “Shtabi i Përgjithshëm dënonte bashkëpunëtorët”.

Ora 12:33
Gjyqi në Hagë, reagon bashkëshortja e Rexhep Selimit: Historia jonë nuk rishkruhet

Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pas nisjes së seancave në Hagë duke thënë se "historia nuk rishkruhet" dhe duke kërkuar "drejtësi për çlirimtarët".

"E shenjta UÇK! E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët!", shkruhet në postim.

Ora 11:23
Gjyqi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, prokurori Tieger: Vrasja e familjes Jashari, zgjeroi luftën në Kosovë (VIDEO)

Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Alan Tieger ka nisur deklaratën e tij përmbyllëse në gjyqin ndaj Thaçit dhe të ish-krerëve të UÇK-së. Ai prezantoi para trupit gjykues dëshmitë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat pretendojnë se ata janë fajtorë për krime të kryera gjatë luftës.

Pos të tjerave, ai citoi dëshmitarë të cilët kanë deklaruar se shtabi i UÇK-së nuk do të ndalej deri të arrinte fitoren e plotë.

“Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdonin deri ta merrnin fitoren e plotë. Ka qenë vetëm shtabi i përgjithshëm”, tha ai.

Tieger po ashtu tha se vrasja e familjes Jashari, zgjeroi luftën në Kosovë.

“E kanë pranuar të gjitha palët”, shtoi ai gjatë deklaratave përmbyllëse.

Ora 11:09
Pretendimet e prokurorisë për ish-krerët e UÇK-së: Thaçi e Veseli sillnin armë, Selimi organizator i sulmeve të '97-ës

Prokurori Alan Tieger tani po i rikthehet procesit gjyqësor duke përmendur se çfarë kanë thënë disa prej dëshmitarëve. Ai përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm. Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.

“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, tha ai.

Prokurori e përshkruan Rexhep Selimin si person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët. Sipas Prokurorisë, Selimi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe.

“Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997. Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”, tha Tieger.

Prokurori pretendon se të akuzuarit kanë kryer sulme kundër serbëve, anëtarëve të Partisë Socialiste Serbe – që kishin bërë fjalime në varrimin e dikujt që ishte vrarë nga anëtarë të UÇK-së – persona që pretendohej se bashkëpunonin me organet e pushtuesit apo merrnin pjesë në veprimtari tjera të paspecifikuar antikombëtare.

 

 

Ora 10:56
FOTOLAJM/ Veteranët e UÇK-së, ndjekin seancën me deklaratat përmbyllëse në Hagë

1770631626_WhatsAppImage20260209at10.35.31.jpeg

Anëtarët e OVL-UCK, po ndjekin në Prishtinë deklaratat përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

1770631691_WhatsAppImage20260209at10.35.311.jpeg