Gazetarja Danjela Maloku ka komentuar hetimet e SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën 'arrest shtëpie'.

E ftuar në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Maloku tha se Shqipëria është ekspozuar ndaj një niveli të lartë rreziku të rrjedhjes së sekreteve shtetërore te krimi i organizuar.

Reagimi i BE-së për Vlora Hysenin, për gazetaren Maloku nuk ishte një reagim i fortë, si në rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

" Mua s'mu duk një reagim i fortë i BE-së për çështjen e SHISH. Është një reagim standard. Për ndjeshmërinë që ka çështja, nuk do të fliste me gjujë diplomatike, por do të fliste si për rastin e Ballukut. Jemi përballë një fakti, ka ndodhur një skandal në SHISH. Kemi rritur standardet mbase në lënien e drejtësisë që të bëjë punën e vet, por nga ana tjetër kemi ekspozuar një nivel të lartë rreziku të rrjedhjes së sekreteve shtetërore te krimi i organizuar", tha mes të tjerash gazetarja Maloku.

Maloku foli gjithashtu edhe për planin për integrimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje, gjë të cilën e cilësoi një zhvillim pozitiv.

Ajo dha gjithashtu detaje për vizitën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Layen në Shqipëri dhe për takimet që zyrtarja e lartë e BE-së pritet të zhvillojë.

"Qëndrimi i PD është që të jetë një proces i bazuar në meritë dhe jo të plotësohet thjesht kriteri i gjeopolitikës. Që për shkak të zhvillimeve që ndodhin edhe në Europë, Shqipëria të përfitojë. Por nëse ndodh kjo, do të jetë një gjë shumë e mirë për vendin tonë, por edhe për atë objektivin që është vendosur për vendin tonë në 2030. Por nesër do të duhet të shihen edhe mesazhet që do të japë në vendin tonë, kur të bëjë edhe konferencën me Ramën. Von der Layen do të ketë takime me Presidentin.

Mesa kam parë axhendën e saj ka takime në të gjithë Ballkanin Perëndimor me krerët e shteteve. Takime me opozitën nuk di të ketë. Vizita e von der Layen në 17:30 është në Kryeministri. Besoj se do të jetë ezauruar edhe vizita e konferenca para se të mblidhen protestuesit. Por unë besoj se BE ka dëgjuar për protestat dhe nuk do të jetë ndonjë çudi e madhe për von der Leyen nëse do të shohë grumbuj protestuesish", shtoi gazetarja Maloku.


Lajmi kryesor:

Kreu i SHISH nën arrest/ Salianji rrëfen për Report Tv njohjen me Hysenin: E vetmja shefe shërbimi që u jepte informacione sekrete grupeve kriminale, as në skenarë filmash nuk ndodh