Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbrëmjen e sotme mbi hetimet e SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të SHISH, Vlora Hyseni, që çuan në mbledhjen edhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ish-deputeti Halit Valteri tha se historia mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit (i arrestuar më herët për dosjen e AKSHI-t) nuk duhet parë si një histori rozë. Valteri hodhi si hipotezë se Agasi mund të ketë qenë agjent që punonte për llogari të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Vlora Hysenit.

“Nëse kjo është e vërtetë, nuk e di se çfarë përmasash do marrë. Pastaj duhet parë roli ka luajtur ai djali që është në burg. Mund të ketë qenë një agjent i infiltruar i Vlora Hysenit. Kjo zonja nuk është një njeri i zakonshëm, ka drejtuar shërbimet e 2 vendeve, të Kosovës e Shqipërisë. Fakti që zonja i kërkon gjykatës që të bëhet ekspertiza e celularit të saj, që të bëhet nga agjenci të huaja serioze, do të thotë që ajo nuk ka besim sesi do të përdoren nga ata që do t’i shikojnë dhe nga mënyra sesi do të serviren. Tani supozojmë që Gysi mund të jetë agjent, sepse nuk jemi në kohën e Fahri Balliut që haje paçe dhe shikoje atë tjetrin kë takoi. Po e trajtuam histori rozë këtë, nuk kemi bërë asgjë”, tha mes të tjerash Valteri.

Në vijim të fjalës së tij, Valteri tha se standardin që Edi Rama zbatoi me Vlora Hysenin, të cilën pas masave të sigurisë të nxjerra nga SPAK e shkarkoi nga detyra, kryeministri duhet ta zbatojë për çdo zyrtar tjetër nën hetim, përfshi edhe ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

“Kështu që pa parë se çfarë ka ndodhur, ne dimë që kanë dalë 2 faqe dhe është bërë një zhurmë e madhe dhe ka marrë një përmasë të madhe skandali. Duhet parë se çfarë ka hetuar SPAK. Rama këtë që bëri me Hysenin duhet të bëjë edhe me këtë që mban nën sqetull (Ballukun). Për të gjithë ata që përdorin pushtetin dhe besimin që u jepet për të kontribuar në këtë shoqëri, kështu duhet të jetë. SPAK ka një pushtet që nuk duhet cënuar nga askush”, shtoi Valteri.

Nga ana tjetër, avokati Rezart Kthupi tha se dosja e SPAK për Vlora Hysenin ka baza të forta, përderisa në një hark të shkurtër kohor GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për masat e sigurisë ndaj ish-kreut të SHISH.

Kthupi shtoi se problemi nuk është vetëm me Vlora Hysenin si individ, por sipas tij, me të gjithë procedurën shtetërore të përzgjedhjes së saj në krye të SHISH.

Sipas Kthupit, SPAK duhet të zgjerojë hetimet dhe të shohë nëse Hyseni ka vepruar e vetme në ndarjen e informacioneve sekrete, apo ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë.

“Ajo dosje ka disa baza dhe i ka të mirë. Narrativa e Presidentit nuk duhet të jetë që ‘kjo është çështje personale dhe duhet të zgjidhet në nivel personal’. Kur bëhet fjalë për titullar institucioni, këtu nuk bëhet fjalë për një çështje personale. Dhe një pyetje tjetër, ‘kjo zonja Hyseni këto punë i ka bërë vetëm?’ Ne nuk e kemi problemin me zonjën Hyseni në vetvete. E kemi problemin me mënyrën sesi Hyseni vjen në atë post. Pra problemi është me të gjithë procedurën shtetërore të përzgjedhjes së njeriut më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare”, tha mes të tjerash Kthupi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:32
Ish-deputeti Valteri: Axhendë brenda SPAK për vrasjen politike të Veliajt, janë investuar 2 prokurorë! Citojnë Kushtetuesen për pagat, por s’e respektojnë vendimin e saj për kryebashkiakun

 

Ish-deputeti Halit Valteri është shprehur se ka raste që prokurorë të SPAK, me axhenda private dhe pa asnjë provë, e përdorin detyrën për të ‘vrarë’ politikisht personazhe të caktuara politike.

Komentet Valteri i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku mori si shembull rastin e mbajtjes në qeli të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që sipas tij, është investim personal i 2 prokurorëve.

Valteri hoqi edhe një paralelizëm mes rastit të Veliajt dhe rastit të pagave të magjistratëve, ku tha se në rastin e parë kërkesa e Kushtetueses për Gjykatën e Lartë, që ta rivlerësonte masën ndaj kryebashkiakut nuk respektohet. Ndërsa për pagat e magjistratëve, sipas Valterit, gjyqtarët e prokurorët përdorin dhe kërkojnë respektimin e vendimit të Kushtetueses.

“Nëse arrestohen ministra, kryebashkiakë, deputetë dhe u provohet fajësia në Gjykata, do të thotë se Qeveria e mbështet SPAK dhe e mban këtë strukturë gjallë. Por marrim rastin e kryebashkiakut, është investim personal i dy prokurorëve. Gjykata Kushtetuese i thotë ‘vlerësoje masën’ Gjykatës së Lartë, kërcënohen, vihen nën hetim e përgjim gjyqtarët e prokurorët dhe për rastin Veliaj nuk e zbatojnë vendimin e Kushtetueses, ndërsa për rastin e pagave thonë ‘ka folur Gjykata Kushtetuese’”, tha mes të tjerash Valteri.

Në vijim të fjalës së tij Valteri tha se kryebashkiaku Veliaj shoqërohej nga 20 policë kur shkoi të kryente një operacion, ndërsa një personazh i botës së krimit të organizuar, sipas tij qarkullonte pa asnjë masë sigurie, aq sa arriti të arratisej.

Valteri theksoi se nga 11 akuza që rëndojnë mbi Veliajn, deri më tani nuk ka asnjë akuzë për inceneratorët apo për lejet e ndërtimit, por vetëm për fustanet e gruas së tij, Ajola Xoxa.

“Nuk lejohet Veliaj të operohet, me 20 policë brenda, ndërkohë ai robi tjetër që akuzohet për 4 vrasje, me duar në xhepa, me syze dielli, u ikën me vrap policisë. Nuk lejohet Veliaj të takojë avokatët. Dhe kemi raste të tjera që Ben Ahmetajt vibratorët e gruas ua nxorën në publik, si ushqim për shikime. Dhe akuzohet Veliaj, ka 11 akuza, se ka blerë fustane Ajola Xoxa, por nuk shoh as akuzë për inceneratorët, as akuza për lejet e ndërtimit, se u bë nami në bashki, konfiskuan dosje e bënë... Do shkojë biseda si autokombanja e atij zotërisë”, shtoi Valteri.

Për të forcuar tezën e tij se SPAK po tenton ‘vrasjen politike’ të Veliajt, Valteri tha se ai është i vetmi kryebashkiak që po hetohet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, pasi 6 kryebashkiakë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Ai shtoi se nëse SPAK-ut do i lihet kjo liri veprimi, prokurorët e Strukturës së Posaçme do shkojnë edhe te ministrat e tjerë dhe kryeministri Rama. Me ironi Valteri tha se SPAK ‘të fut plumbin’ dhe më pas thotë ‘më fal se të vrava’.

“Pra brenda këtij institucioni ka agjenda, sepse ke 6 kryebashkiakë të tjerë që hetohen në gjendje të lirë. I vetmi që mbahet në burg, është Veliaj. Ky është rasti që ka një agjendë brenda SPAK për ta vrarë politikisht një person. Sot s’ke nevojë të paguash vrasës me pagesë, sepse ke prokurorë që të vrasin politikisht. Në fund do të dalë Veliaj i pafajshëm. Kush mban përgjegjësi që jetën që ja kanë marrë atij. Do i japin 1500 euro në vit dhe do i thonë ‘na e bëj hallall se gaboi Klodi’. Nëse ka skenarë të tillë, ata nesër do shkojnë te Rama dhe te ministrat e tjerë. SPAK të fut kokrrën e plumbit dhe thotë pastaj ‘më fal se të vrava vlla’”, përfundoi Valteri.