Evropa "rrezikon të nënshtrohet, të përçahet dhe të deindustrializohet", paralajmëroi ish-kryeministri italian Mario Draghi gjatë një ceremonie ku iu dha një diplomë nderi nga Universiteti KU Leuven në Belgjikë.
Fjalimi i tij ishte një goditje e re ndaj Bashkimit Evropian. "Nga të gjithë ata që sot e gjejnë veten të shtrënguar midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, vetëm evropianët kanë mundësinë të bëhen vetë një fuqi e vërtetë. Ne duhet të vendosim: a mbetemi thjesht një treg i madh, i nënshtruar prioriteteve të të tjerëve? Apo duhet të ndërmarrim hapat e nevojshëm për t'u bërë një fuqi?" shtoi ai, duke theksuar se për t'u bërë një fuqi, "Evropa duhet të kalojë nga konfederata në federatë". "Atje ku Evropa është federuar - në tregti, konkurrencë, treg të vetëm, politikë monetare - ne respektohemi si fuqi dhe negociojmë si një entitet i vetëm. E shohim këtë sot në marrëveshjet e suksesshme tregtare të negociuara me Indinë dhe Amerikën Latine."
"Rendi global tani është i shfuqizuar"
Rendi global është "tani i shuar", por "nuk ka dështuar sepse u ndërtua mbi një iluzion. Ai solli përfitime reale dhe të shpërndara gjerësisht: Shteteve të Bashkuara, si një fuqi hegjemonike, përmes ndikimit të padiskutueshëm në të gjithë sektorët dhe privilegjit të emetimit të monedhës rezervë botërore; Evropës përmes integrimit të thellë tregtar dhe stabilitetit; dhe vendeve në zhvillim përmes pjesëmarrjes në ekonominë globale, duke nxjerrë miliarda njerëz nga varfëria", theksoi ish-guvernatori i BQE-së. "Dështimi i sistemit qëndron në atë që ai nuk ka arritur të korrigjojë", shtoi ai. "Rënia e këtij rendi nuk është në vetvete një kërcënim. Një botë me më pak tregti dhe rregulla më të dobëta do të ishte e dhimbshme, por Evropa do të përshtatej. Kërcënimi është ajo që e zëvendëson atë " .
"SHBA-të po kërkojnë copëtimin e BE-së"
"Shtetet e Bashkuara, në pozicionin e tyre aktual, kërkojnë dominim të kombinuar me partneritet. Kina mbështet modelin e saj të rritjes duke eksportuar kostot e saj te të tjerët. Integrimi evropian është ndërtuar ndryshe: jo mbi forcën, por mbi vullnetin e përbashkët. Jo mbi nënshtrimin, por mbi përfitimin e përbashkët", theksoi Draghi. "Ata vendosin tarifa ndaj Evropës, kërcënojnë interesat tona territoriale dhe e bëjnë të qartë, për herë të parë, se e konsiderojnë fragmentimin politik evropian si shërbim të interesave të tyre."
Samiti mbi konkurrueshmërinë me Draghi dhe Letta
Pas disa ditësh do të shihet nëse 27 vendet ndajnë urgjencën për të vepruar, të theksuar edhe një herë nga Draghi. Ish‑numri një i BQE është ftuar në samitin informal mbi konkurrueshmërinë që do të mbahet më 12 shkurt. “Kam ftuar Mario Draghi dhe Enrico Letta të bashkohen me ne për të ndarë vizionet e tyre mbi konkurrueshmërinë europiane dhe mbi mënyrën se si këto janë zhvilluar që nga publikimi i dy raporteve të tyre themelore”, ka njoftuar presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, në letrën me të cilën fton liderët e BE të marrin pjesë në samitin informal mbi konkurrueshmërinë që do të zhvillohet në Alden Biesen.
“Sa i përket programit të ditës, do të fillojmë mbledhjen në orën 10:30 me një shkëmbim mendimesh me presidenten e Parlamentit Europian. Më pas do të diskutojmë me Mario Draghi ndikimin e kontekstit të ri gjeopolitik dhe gjeoekonomik mbi konkurrueshmërinë e BE, i ndjekur nga një drekë me 27 liderët me të njëjtin fokus”, shpjegoi Costa. “Pasdite do të kemi fillimisht një shkëmbim me Enrico Letta mbi mënyrën se si të vlerësojmë potencialin e tregut tonë të vetëm në një botë që ndryshon me shpejtësi”./Corriere della Sera
Komente






