Me një parti të re dhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Rexhep Tajip Erdogan, ish-kreu i CHP-së, Özgür Özel, thotë se në Turqi "ka nisur një epokë e re". Ai prezantoi "Yeni Parti", me të cilën synon të bashkojë opozitën përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028.
Në një artikull të botuar në Corriere della Sera, Özel shprehet se pas më shumë se dy dekadash në pushtet, Erdogan e ka çuar Turqinë drejt një modeli ku, sipas tij, institucionet shtetërore janë vënë gjithnjë e më shumë nën kontroll politik, mediat e pavarura janë dobësuar dhe sistemi i drejtësisë është përdorur për të goditur kundërshtarët. E tija, thotë ai, është një përpjekje për të ndërtuar një opozitë më të gjerë, që mund t'i japë fund asaj që e cilëson si degradim të demokracisë në Turqi.
Largimi i tij nga CHP erdhi pasi një vendim gjykate në maj të këtij viti anuloi kongresin e vitit 2023, në të cilin ai ishte zgjedhur kryetar, duke rikthyer në drejtimin e partisë ish-liderin Kemal Kiliçdaroglu. Kriza u thellua edhe më tej pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, figurës kryesore të opozitës dhe rivalit më të fortë të Erdoganit. Pas krijimit të "Yeni Parti", 91 deputetë iu bashkuan menjëherë formacionit të ri, ndërsa më 13 gusht pjesë e tij u bë edhe Imamoglu.
Sipas Özel, regjimet autoritare të shekullit XXI nuk i eliminojnë zgjedhjet, por "e zbrazin demokracinë nga brenda". Ai argumenton se kjo ndodh përmes kontrollit të institucioneve, dobësimit të mediave të pavarura, politizimit të gjykatave dhe presionit ndaj kundërshtarëve politikë.
"Nuk bëhet më fjalë vetëm për atë se kush fiton zgjedhjet. Pyetja është nëse konkurrenca politike në Turqi do të mbetet vërtet e lirë. Ne refuzojmë të pranojmë që opozitës demokratike t'i vendosen kufij", shkruan ai.
Özel thotë se "Yeni Parti" lindi pikërisht nga ky refuzim dhe se largimi nga CHP nuk ishte braktisje e traditës republikane dhe socialdemokrate, por një përpjekje për ta mbrojtur atë përmes një rruge të re politike.
Ai shprehet se partia e re synon të përfaqësojë të rinjtë që e shohin të ardhmen jashtë Turqisë, punëtorët që përballen me rënien e standardit të jetesës, fermerët, pensionistët, gratë, sipërmarrësit dhe të gjithë qytetarët që besojnë se ndryshimi është ende i mundur.
Sipas tij, mbrojtja e demokracisë dhe shtetit të së drejtës nuk mund të mbetet më monopol i një force të vetme politike. Për këtë arsye, "Yeni Parti" synon të bashkojë demokratë me bindje të ndryshme rreth parimeve të përbashkëta, si pavarësia e gjyqësorit, zgjedhjet e lira, llogaridhënia e pushtetit dhe barazia e qytetarëve para ligjit.
Në artikull, Özel e lidh demokracinë edhe me zhvillimin ekonomik, duke argumentuar se institucionet e pavarura krijojnë besim te investitorët, ndërsa shteti i së drejtës e bën një vend partner më të besueshëm në arenën ndërkombëtare.
"Për ne, demokracia nuk është vetëm një parim moral, por një pasuri strategjike. Një Turqi demokratike do të ishte më e lirë, më e fortë ekonomikisht dhe një partnere më e besueshme për Evropën dhe Mesdheun", shkruan ai.
Në fund, ish-kreu i CHP-së shprehet se objektivi i partisë së re shkon përtej një fitoreje në zgjedhje.
"Duam të tregojmë se autoritarizmi nuk është fati i Turqisë. Për më shumë se dy dekada, Erdogan ka dominuar jetën politike të vendit. Por asnjë epokë politike nuk zgjat përgjithmonë. Një epokë e re ka nisur", përfundon Özel.












Komente
Komento