TIRANE - Nga 31 marsi deri në 10 prill një mamografi e lëvizshme do të jetë në qytetin e Kukësit. Mamografia e dyte vijon shërbimet  në Bilisht deri në 3 prill
Nga janari i 2015 Instituti i Shëndetit Publik është duke u ofruar shërbimin e mamografive të lëvizshme për qendrat e banimit ku nuk ka mamografi. Nga 15 janari deri në tani janë kryer mbi 1000 ekzaminime.

Shërbimi ofrohet falas nga Instituti i shëndetit publik në bashkëpunim me Drejtoritë rajonale të Shëndetit Publik. Ekzaminimin mund ta kryejnë gratë e interesuara në moshën mbi 50 vjeç ose ato të moshës 40-50 vjeç që konsiderohen me risk më të lartë. Me risk të larte do të konsiderohen ato gra që janë bartëse të defekteve gjenetike, që kanë histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, në rastet kur është vërejtur  fillimi i hershem dhe mbarimi i vonshëm i menstruacioneve, moslindje ose lindja e fëmijës mbi 30 vjeç, obezitet, ind i ngjeshur të gjirit dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik.

Orari i shërbimit është 8:00-14:00 nga e hëna deri të premte. Në raste të veçanta, për arsye logjistike transporti, të hënën shërbimi mund të ofrohet pasdite. Të gjitha gratë e interesuara të grup-moshave të përmendura më sipër duhet të kontaktojnë Drejtorinë e Shëndetit Publik të rrethit përkatës dhe të regjistrojnë emrin në listë. Ato do të kontaktohen nga personeli shëndetësor për ditën dhe orën e ekzaminimit sipas aradhes. Mesatarisht çdo ditë njësitë e mamografive kryejnë rreth 15 ekzaminime.

Grafiku i lëvizjes se njësive të lëvizshme caktohet paraprakisht dhe bëhet publik periodikisht. Për muajin prill njësitë do të shërbejnë sipas grafikut të mëposhtëm.
31 mars-10 prill Kukës; 
30 mars – 3 prill Bilisht;
6-17 Prill Pogradec;
13 -24 prill Bajram Curri;
20 prill Librazhd;
27 prill Has

Mamografia nuk vendos diagnozën. Ekzaminimet shtesë, përfshi ekografinë apo edhe biopsinë, do të jenë të nevojshme për një pjesë të grave. Vetëm më pak se 1% e grave të ekzaminuara mund të ketë tumor malinj. Inkurajohen të gjitha gratë që të kryejnë çdo vit ekzaminimin klinik të gjirit nga një mjek pranë një qendre shëndetësor.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)