Jo vetëm Gjin Gjoni! Së bashku me ish gjyqtarin milioner, deputet i ardhshëm i Berishës kërkon të bëhet edhe një tjetër eksponent i drejtësisë së vjetër, i shkarkuar nga KPK për lidhje me krimin e organizuar, prokurori Arjan Ndoja.

Ish-prokurori, që ishte objektiv edhe i një atentati në nëntor 2019 në rrethrrotullimin e Shkozeti, është regjistruar në primaret e Partisë Demokratike për të qenë kandidat për deputet pikërisht në Qarkun e Durrësit. Emri i Arjan Ndojës është shtuar në afatin e zgjatur me firmë të Sali Berishës, për t’i dhënë më shumë kohë disa kandidatëve, ndërsa primaret mbahen të shtunën e 1 marsit.

Ndoja u shkarkua më 6 maj të vitit 2022 nga Komisioni i Vetingut i shkallës së parë për lidhje të shumfishta me krimin por edhe për pasuri të pajustifikuar. Sipas vendimit, prokurori Ndoja kishte kontrate me të paktën 9 persona të dyshuar dhe të përfshirë në veprimtari të paligjshme.  Në vendim pasqyrohet lidhja e prokurorit Ndoja me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, ‘i forti i Sukthit’, por edhe si ‘Rrumi’. Ndoja ishte me Lahon në atentatin tek rrethrrotullimi i Shkozeti, ku vetë i plagosur Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Përveç ish-prokurorit të lidhur me krimin në listën e kadidatëve të Berishës në primare është edhe emri i Xhemal Gjunkshit, ish gjeneralit të ushtrisë, që tashmë ka braktisur Lulzim Bashën dhe është rikthyer në bazën e vjetër dhe kërkon të bëhet deputet i Dibrës.

Gjunkshi është një figurë e njohur për Sali Berishën, ndërsa njihet si njeriu që me firmë të tij i dha ish kompleksin Partizani, Jamarbër Malltezit, mbi të cilin ndërtoi kulla dhe bëri miliona euro.  Në dosjen e SPAK për Berishën e Malltezin evidentohet se Gjunkshi, vetëm një javë pas emërimit në ushtri, kreu 5 veprime brenda pak orëve dhe dorëzoi pronën. 

Primaret mbahen më 1 mars dhe listës së parë të miratua nga kryesia me rreth 290 emra i janë shtuar dhe rreth 20 të tjerë.