Diplomati amerikan në pension, William Walker, tha për Gazetën Express se e pret "me shumë ankth" vendimin që Gjykata Speciale do të shpallë të mërkurën për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Sipas tij, procesi ka zgjatur tepër dhe është ndërtuar mbi "premisa të rreme" për mënyrën se si funksiononte UÇK-ja.

Ëalker u shpreh për Gazetën Express se Prokuroria e ka paraqitur UÇK-në si një ushtri me zinxhir të qartë komandimi, ndërsa sipas tij ajo ishte një organizatë me komandantë rajonalë. Ai e cilësoi të gjithë procesin "në thelb politik", duke shtuar se gjykata ka vepruar mbi një keqkuptim të rolit të UÇK-së dhe se gjashtë vitet e paraburgimit kanë dëmtuar jetën e të akuzuarve.

"Çfarëdo qoftë aktgjykimi, mendoj se vetë procesi i hetimit dhe gjykimit për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga këta tre persona është një farsë. Mendoj se gjykata ka vepruar mbi një keqkuptim të plotë të asaj se çfarë ishte UÇK-ja. Drejtësi nuk mund të vijë nga ky proces, sepse tashmë jetët e këtyre të pandehurve janë shkatërruar nga gjashtë vite paraburgim.

Gjithmonë kam menduar se drejtësia bazohet në parimin se je i pafajshëm derisa të shpallesh fajtor dhe se nuk duhet të jesh në burg derisa të përcaktohet aktgjykimi.

Jam thjesht i tronditur nga padrejtësia e gjithë këtij sistemi. Por, pavarësisht nëse do të jetë fajësi apo pafajësi, mendoj se vetë procesi duhet dënuar. Shpresoj që populli i Kosovës ta kuptojë se kjo ishte në thelb një proces politik, më shumë sesa një kërkim për drejtësi dhe të vërtetën.Më vjen keq jo vetëm për të pandehurit, por edhe për Kosovën, një vend kaq i ri që përpiqet t’i tregoj botës se çfarë kombi demokratik është, pas kaq shumë dekadash e vitesh trazirash dhe lufte. Populli i Kosovës i ka treguar botës se çfarë mund të bëjnë kosovarët kur u jepet mundësia, kur u jepet pavarësia.

Për mua, Kosova është një mrekulli. Ky gjyq e ka dëmtuar atë imazh. Çfarëdo që të jetë rezultati, shpresoj që populli i Kosovës ta kuptojë se ky nuk ishte në të vërtet një kërkim për drejtësi. Ishte një kërkim për të bërë një deklaratë politike nga BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar, se ka disa barazvlera për atë që ka ndodhur.. Është shokuese për mua që ky proces ka ndodhur", ka thënë Walker. 


Lajmi kryesor:

Kosova me sytë nga Haga, nesër vendimi për Thaçin! Prishtina pret verdiktin në shesh, rrugët mbushen me flamuj e mbishkrime për ish krerët e UÇK-së: Shpallini të pafajshëm!