Jacob Coxon, ish-punonjës i kompanisë Anthropic, i cili njoftoi dorëheqjen e tij në rrjetin X më 9 shtator, thotë se sektori i Inteligjencës Artificiale po “luan bixhoz me jetët tona”.

Në një intervistë për CNN, ai shpjegoi se ajo që e frikëson më shumë është mundësia që Inteligjenca Artificiale të përdoret për ta bërë veten edhe më inteligjente.

“Gjëja që më tremb më shumë është që Inteligjenca Artificiale të përdoret për ta bërë veten më inteligjente”, tha ai, duke paralajmëruar se kompanitë janë “të detyruara të futen në një garë të shfrenuar për krijimin e një teknologjie vdekjeprurëse”.

Coxon ka punuar për tre vite në trajnimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale, fillimisht në OpenAI dhe më pas në Anthropic.

“Asnjëra prej këtyre dy kompanive nuk po vepron në mënyrë të përgjegjshme”, u shpreh ai.

Të njëjtin shqetësim ndajnë edhe dy studiues të tjerë, mes tyre edhe informaticieni Evan Hubiger, i cili vazhdon të punojë në Anthropic.

“Ne besojmë vërtet se Inteligjenca Artificiale mund të zhdukë gjithë njerëzimin. Personalisht, mendoj se mundësia që kjo të ndodhë do të jetë mbi 10% brenda dekadës së ardhshme”, tha Hubiger.

Megjithatë, siç u theksua edhe gjatë intervistës në CNN, aktualisht nuk ekziston rreziku i zhdukjes së njerëzimit, pasi modelet e sotme të Inteligjencës Artificiale nuk janë ende aq të avancuara sa të tejkalojnë aftësitë njerëzore në një nivel që do të çonte në fundin e specieve njerëzore.

Ajo që shqetëson studiuesit është shpejtësia me të cilën këto teknologji po përmirësojnë vetveten. Pikërisht për këtë arsye, sipas Coxon, kompanitë e teknologjisë po kërkojnë vendosjen e një kuadri rregullator për sektorin e Inteligjencës Artificiale./CorrieredellaSera 


Lajmi kryesor:

Trump kundër 'gjigantëve' të Inteligjencës Artificiale: Ka forca negative që duan ta ndalin, nuk duhet ta ngadalësojmë, kush fiton këtë sfidë fiton mbi gjithçka!