VORË - Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e ndodhur pas mesnatës në fshatin Bërxullë, Vorë, ku humbi jetën 50-vjeçari Edmond (Ali) Sula. Sipas burimeve hetimore, viktima ishte duke u kthyer në banesën e tij kur u qëllua me armë zjarri, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Autorët dyshohet se e kanë goditur në momentin kur ai po afrohej pranë shtëpisë.

Krimi ndodhi rreth orës 00:10 të datës 12 korrik, ku 50 vjeçari sapo kishte parkuar automjetin e tij dhe teksa i drejtohej derës së banesës, një predhë e ka goditur nga mbrapa, në shpinë  duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në zonë nuk janë dëgjuar të shtëna teksa burimet bënë me dije se dyshohet të jetë qëlluar ose me pushkë me dylbi ose snajper.

Mësohet se viktima njihej si person me influencë në zonë, dhe pothuajse çdo ditë qëndronte tek një ambient në lagjen ku jetonte dhe ku kryente takime me të njohur por edhe persona që interesoheshin për shitblerje tokash.

Në fakt ai ka të regjistruar në emër të tij edhe një kompani që ka si objekt shitblerje ose dhënie me qera makinash.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe motivin e krimit, ndërsa deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit apo autorëve.

Hetimet po drejtohen nga specialistët e sektorit të vrasjeve në Policinë e Shtetit, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, me shpresën se pamjet do të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e lëvizjeve të tyre para dhe pas ekzekutimit.

Paraprakisht po hetohet rreth aktivitetit të tij me tokat, ku merrej me shitblerjen e tyre, por nuk rezulton me precedent penal në Shqipëri, por ka dhe një tjetër pistë hetimi është edhe e shkuara e tij jashtë vendit, kryesisht në shtetin Italian.

"Më datë 12.07.2026, rreth orës 00:10, në fshatin Bërxullë, Vorë, dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi E(A). S., rreth 50 vjeç, i cili ka qenë në rrugë, duke lëvizur në këmbë.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do të ndihmojë në zbardhjen e saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve", njofton policia.