Elbasan - Një 29-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhje është arrestuar nga Policia e Elbasanit në rrugën “17 Marsi”.

Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar të riun për këtë veprimtari kriminale me 1 vit e 8 muaj burg.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme të kryera në bazë të informacioneve të shkëmbyera me strukturat e DVP Tiranë, për një shtetas të shpallur në kërkim që fshihej në Elbasan, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan organizuan punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në rrugën “17 Marsi”, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. Gj., 29 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 1 Tiranë, pasi Gjykata e Apelit e  Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 14.10.2025, e ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.

Veprimet procedurale do të kryhen nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.