Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër kundër Ishujve Faroe në Torshavn. Pas fitores 2-0 kundër Moldavisë, të besuarit e Sylvinhos kërkojnë një tjetër sukses në grupin E të kualifikueseve të Euro 2024. Për këtë duel, UEFA i ka besuar drejtësinë arbitrit qipriot, Chrysovalantis Theouli.
Kryesori Theouli nuk ka drejtuar asnjëherë më parë ndeshje zyrtare të kombëtareve A, por vetëm dy miqësore, Portugali-Nigeri 4-0 dhe Maltë-Irlandë 0-1.
Si gjyqtar i katërt ka qenë i pranishëm në suksesin historik të Teutës, e cila në vitin 2020 mundi 2-0 në “Niko Dovana’ izraelitët e Beitar Jerusalem në raundin e parë kualifikues të Ligës së Europës, duke kaluar në turin tjetër.
Ndihmësa të Chrysovalantis Theouli do jenë bashkëkombasit e tij, Michael Soteriou, Pavlos Georgiu dhe Menelaos Antoniu. Në VAR do jetë greku Agelos Evangelou.