Ish-pjesëtari i Ushtrisë Amerikane dhe ushtari i Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane, të njohura si Beretat e Gjelbra, David Bramlette, komandoi një ekip në Legjionin e të Huajve të Ukrainës për dhjetë muaj vitin e kaluar. Ai, aktualisht, punon në Fondacionin Romulus T. Weatherman, një organizatë joqeveritare që zhvillon operacione në Ukrainë për të gjetur, rimarrë dhe riatdhesuar anëtarët e shërbimit amerikan të vrarë në fushëbetejë.
Në një intervistë me Vazha Tavberidze, gazetaren e Shërbimit Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë nga Kievi, Bramlette iu referua pushtimit rus të Ukrainës si një shembull klasik i "të mirës kundër së keqes", ku ai i dha ushtrisë ukrainase vlerësime të larta, por jo edhe homologëve të tyre rusë.
Ai qortoi Perëndimin për mbivlerësim të forcave ruse. Për më tepër, Bramlette është optimist për shanset e ushtrisë ukrainase, e cila aktualisht është duke nisur një kundërofensivë të shumëpritur.
Ai shpjegon se derisa ushtria ruse po lëviz mbrapsht, aftësitë luftarake të Ukrainës janë në një "trajektore" në ngjitje.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni shërbyer si pjesëtar i Ushtrisë Amerikane në Irak dhe Afganistan. Kjo me sa duket nuk mjaftoi. Ju u kthyet për të luftuar edhe më shumë për Ukrainën. Pra, pse besoni se kjo është lufta juaj?
David Bramlette: Së pari, për mendimin tim, kjo është lufta më e drejtë që ka parë gjenerata ime. Për mua, kjo është një betejë mes së mirës dhe së keqes. Në semestrin tim të fundit në Universitetin Johns Hopkins, ne po diskutonim nëse Rusia do të fillonte apo jo një pushtim në mënyrë konvencionale. Dhe për të qenë plotësisht i sinqertë, unë atë kohë nuk e mendoja se Rusia do ta bënte këtë.
Sinqerisht, nuk e mendoja se mund të ishin kaq budallenj, megjithatë ishin. Isha pjesëtar i Grupit të Forcave Speciale, Grupit të 10-të të Forcave Speciale dhe njësisë së përgjithshme të forcave speciale. Motoja jonë ishte “De Oppreso Liber”, që do të thotë "të çlirosh të shtypurit". Pra, e dini, ajo që bën një ushtar i Forcave Speciale Ushtarake në thelb është të mundësojë një forcë bashkëpunimi, t'i rezistojë një pushtimi ose të përmbysë një qeveri të korruptuar dhe autoritare.
Prandaj, kur kjo luftë filloi, mendova se unë kam njohuritë, aftësitë dhe mundësinë për të ndihmuar. Vendosa të mos shkoja në studime dhe erdha këtu. Dhe, kjo luftë është ndryshe nga çdo gjë që kam parë apo përjetuar ndonjëherë. Edhe dita ime më e keqe në Irak apo Afganistan, kur mendonim se gjithçka ishte jashtë kontrollit, është asgjë në krahasim me një ditë të zakonshme këtu. Unë besoj se ka shumë gjëra që ushtritë perëndimore duhet të mësojnë, por nuk po e bëjnë këtë.
Radio Evropa e Lirë: Desha t’ju pyes, çfarë është ajo që duhet të mësohet më së shumti nga kjo luftë?
David Bramlette: Në përgjithësi, ushtarët e Forcave Speciale Ushtarake dhe drejtuesit e operacioneve speciale në veçanti, duhet të mësojnë se do të ketë situata aspak të volitshme, të pranojnë faktin se munden t’iu ndërpritet komunikimi me njerëzit në terren. Prandaj, ky është rezultat i gjetjes së drejtimit, mjeteve elektronike në fushëbetejë etj. Kur dërgova një ekip zbulimi prej katër personash nga marsi deri në tetor të vitit 2022, nuk do ta dija se a janë ata në rregull derisa i godita me gur.
Radio Evropa e Lirë: Si rezultat, ju duhet të mbështeteni në vendimin e vetë trupave në këto raste, pothuajse në çdo situatë?
David Bramlette: Po. Ushtria amerikane e sheh këtë si mjaft sfiduese. Dhënia e njëfarë autoriteti nënoficerëve të rinj është bërë një temë debati. Ata duhet të mësojnë t'i besojnë ekipit të tyre. Dhe, një pjesë e mirë kësaj vjen me përqendrimin në bazat e para ushtarake. Shkova në Fort Bragg (tash Fort Liberty) dhe fola me oficerët që po kryenin trajnimin e Beretës së Gjelbër. Dhe, gjërat që unë fola më shumë ishin ato bazike të luftës.
"Kur ishte hera e fundit që dikush nga ju ka gërmuar një pozicion luftimi? A keni dalë në pyll dhe keni gërmuar një pozicion luftimi?", i pyeta dhe asnjëri nga ta nuk ngritën duar. Nuk e kanë bërë kurrë më parë.
"Kur ka qenë hera e fundit që keni dalë në pyll dhe keni kryer një sulm bashkë me një skuadër?"- është një operacion lufte që duhet të jetë automatik. Ndoshta vite më parë [e kanë bërë], nëse e kanë kryer shkollën e Rangerëve.
Këto janë disa nga mësimet që duhet marrë. Sipas mendimit tim, ka ende shumë ngecje nga lufta globale kundër terrorit, ku të gjithë bëhen të fortë dhe kërkojnë të jenë në fushëbetejë, sepse është interesante për ta. Megjithatë, nuk do ta bëni atë këtu [në Ukrainë]. Me siguri do të bombardoheni nëse hyni në një ndërtesë kur ka tanke dhe artileri afër. Dhe ka shumë mësime sfiduese. Populli ukrainas, për mendimin tim, i ka kuptuar tashmë këto mësime, por besoj se u desh të mësoni edhe të vërteta më të vështira në fillim të konfliktit.
Radio Evropa e Lirë: Ukrainasit i kanë kuptuar këto gjëra nga vetë eksperienca. Dhe, herë pas here, kur i intervistoj komandantët perëndimorë, i dëgjoj ata të përsërisin të njëjtën gjë se Ukraina aktualisht ka një nga ushtritë më të fuqishme, më të trajnuara dhe më efektive në botë. Çfarë mendoni lidhur me këtë, duke qenë se keni luftuar me ta për dhjetë muaj?
David Bramlette: Ky nuk është një gjykim i drejtë, për mendimin tim. Kjo duket sikur dikush i ka përgatitur çfarë të thonë, e të gjithë po e përsërisin. Është më e ndërlikuar se kaq sepse, siç mund ta dini, ka njësi profesionale të Ushtrisë Ukrainase që kanë bashkëpunuar, duke luftuar përkrah njëra-tjetrës dhe duke shërbyer në Donbas që nga viti 2015, dhe ka gjithashtu brigada vullnetare të sapokrijuara.
Kështu, në thelb ka një pabarazi të madhe në përvojë dhe trajnim. Por, që nga 1 dhjetori i vitit 2022, unë i ndërpreva operacionet luftarake. Prandaj, nuk jam në gjendje të parashikoj rezultatin e të gjithë stërvitjeve të vazhdueshme perëndimore. Është një ndihmë e madhe, e pranoj këtë. Dhe, megjithëse mund të vlerësosh këtë, unë mund t'ju siguroj se burrat që marrin pjesë në këtë trajnim kanë treguar përmirësime të mëdha.
Radio Evropa e Lirë: Si do ta vlerësonit efektivitetin e ushtrisë në Ukrainë deri më tani?
David Bramlette: Për mendimin tim, ato janë mjaft efektive. Pra, nuk keni nevojë të jeni ekspert për të qenë efektiv, apo jo? Merrni parasysh shkëputjen Kraken (një njësi e forcave speciale të Ukrainës). Ne punuam me ta në pranverë; ata nuk ishin mjaft të aftë në atë kohë, por ishin efikas. Kjo është ajo që ka rëndësi, ju e dini, dhe unë jam i sigurt se ata djem janë përmirësuar me kalimin e kohës.
Unë besoj se motivimi i ukrainasve është ai që i bën ata kaq efektivë në fushëbetejë. Këta djem po rimarrin qytetet ku u rritën, shtëpitë ku u rritën, vendet ku përjetuan puthjen e tyre të parë. Konsideroni veten në këpucët e tyre. Unë mendoj se do të jeni mjaft të motivuar edhe nëse është shumë e rrezikshme. Niveli i tyre i rrezikut që ta pranojnë rrezikun është shumë më i lartë. Dhe duhet të jetë, ajo është më e përshtatshme.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se edhe ushtarët rusë, të cilët i keni luftuar për 10 muaj, janë të aftë?
David Bramlette: Pra, në pjesën më të madhe, ne ishim të vendosur në Harkiv, dhe deri në kundërofensivë në shtator të vitit 2022, ne u përballëm kryesisht me [luftëtarë nga] LPR, DPR (zonat separatiste të mbështetura nga Rusia në rajonet Luhansk dhe Donjeck të Ukrainës lindore), dhe më pas njësia e madhe ushtarake ruse, me të cilën po përballeshim ishte Brigada e 200-të e Veçantë e Pushkës me Motor, e cila kishte bazën në Gadishullin Kola. Njësia ruse, e 200-ta, u dëmtua rëndë. Ka shumë raportime publike për njësinë, por ato në thelb u shkatërruan në ditët e para të pushtimit dhe më pas u shkatërruan përsëri.
Pra, unë mund të flas vetëm nga përvoja ime, por nga ajo se çfarë kam parë, ata nuk janë aspak të aftë. Unë ende mendoj se ne e mbivlerësojmë aftësinë e ushtrisë ruse, veçanërisht Perëndimi.
Radio Evropa e Lirë: Pra, edhe pse thuhet se ushtria ruse është ushtria e dytë më e fuqishme në botë, sipas jush, nuk qenka dhe ne ende i mbivlerësojmë rusët?
David Bramlette: Pikërisht, sepse nëse shikoni trajektoren e ushtrisë ruse, ajo ose është e sheshtë, ose po bie, sepse ata janë duke pasur shumë viktima dhe gjithashtu kanë shkatërruar të gjithë kuadrot e tyre që trajnojnë ushtarë. Pra, në një njësi ruse, ju keni shumë njësi të tjera të linjës, dhe pastaj keni një batalion stërvitor, të cilët janë si kuadri, ata janë djemtë më me përvojë, dhe ato kuadro janë me përvojë, janë dërguar gjithashtu në frontin e luftës.
Pra, jo vetëm që ata kanë humbur njësitë më me përvojë luftarake, por ata kanë humbur edhe ata që supozohet të stërvitin njësitë luftarake. Dhe kështu, trajektorja ruse është në rënie, ndërsa trajektorja e Ukrainës po shkon lart. Dua të them, po flitet për F-16 [aeroplanë luftarakë] tani, dhe ata mund të marrin F-16 më pas.
Radio Evropa e Lirë: Ju ishit atje kur Ukraina nisi kundërofensivën vitin e kaluar. Çfarë prisni nga kundërofensiva e fundit?
David Bramlette: Unë kam shpresa për Ukrainën. Dhe, mendoj se Ukraina do të arrijë shumë. Unë nuk do të spekuloj për… kundërsulmin e tyre, apo se si do ta bëjnë atë. Por, nga ajo që kam parë nga rusët dhe nga ajo që kam parë nga ukrainasit, mendoj se do të shkojë shumë mirë…
Kur po flas për trajektore, mendoj se ajo e Rusisë është duke u përkeqësuar. Nëse ajo përkeqësohet, atëherë është në të mirën e Ukrainës të presin deri në momentin ideal [për kundërsulm]. Është në interes të tyre të presin deri në momentin ideal të sulmojnë. Dhe kështu, ata shfaqin edhe një shkallë shumë më të lartë të profesionalizmit. Unë mendoj se shtabi i përgjithshëm ose kushdo që është duke e planifikuar atë, [Valeriy] Zaluzhniy (komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës) dhe kështu me radhë, janë shumë të mirë në atë që bëjnë. Kështu mendoj unë.
Radio Evropa e Lirë: Për sa i përket ndihmës ushtarake perëndimore, çfarë mendoni se kërkon Ukraina për të qenë e suksesshme në kundërsulmin e saj?
David Bramlette: Siç i tha edhe Kongresit presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, atyre u nevojitet më shumë nga gjithçka... Ne nuk u kemi dhënë atyre tanke të mjaftueshme për të përmbushur objektivin. Unë besoj se SHBA-ja ka vënë bast mbi aftësinë e Ukrainës për të bërë më shumë me më pak. Ne e kemi këtë teori të armëve të kombinuara që thotë se nëse mund të vendosni në mënyrë efikase tanke, artileri, mbështetje ajrore dhe mbështetje këmbësorie të gjitha në të njëjtën kohë, ju merrni këtë efekt sinergjik.
Në rregull, kjo metodë është e mirë. Megjithatë, duhet të keni parasysh se ushtria ukrainase tani ka një personel të uniformuar prej 700.000 personash, nga 196.000 që ka pasur para 24 shkurtit të vitit 2022. Për të mos përmendur të gjithë trupat që janë rezervë. Dhe, duhet të ketë shumë më tepër ukrainas të trajnuar nga forcat perëndimore. Prandaj, do të mendoja se raketat me rreze të gjatë, artileria dhe tanket janë më të rëndësishme. Ju lumtë britanikëve që ishin të parët që vepruan. Sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe Franca duhet të dërgojë ato raketa. Raketa gjermane TAURUS [lundrimi i lëshuar nga ajri] është një tjetër opsion.
Më parë, ne gjuanim vazhdimisht me artileri nga një distancë e afërt, përpara se HIMARS (sistemet raketore me mundësi të shumëfishtë) të arrinin vitin e kaluar. Me fillimin e shfaqjes së sistemeve HIMARS, ne pamë një ulje prej 50 për qind të sasisë së artilerisë që po lëshohej ndaj nesh gjatë atij muaji, sepse deponitë ruse të furnizimit po shënjestroheshin dhe u shkatërruan.
Prandaj, gjuajtja me një rakete me rreze më të gjatë i detyron ata të kthehen, ndërsa gjithashtu – dhe kjo është thelbësore – rrit mbijetesën e batalioneve ukrainase, veçanërisht të brigadave të formuara së fundmi, të cilave u mungon përvoja e gjerë. Ju po e rrisni probabilitetin e qëndrueshmërisë së ushtarëve ukrainas.
Asnjë goditje mjeshtërore nga Shtabi i Përgjithshëm Ukrainas apo [Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Ukrainës Valeriy] Zaluzhniy nuk do të ndihmojë për të fituar këtë luftë. Në të vërtetë do të kenë vështirësi në fushëbetejë duke mbajtur AK (armën automatike të prodhuar nga Rusia)... Ai është ushtari ukrainas dhe është ai që do ta fitojë betejën. Dhe, gjithçka që mund të bëjmë për të rritur qëndrueshmërinë e atyre burrave, unë besoj se mund ta përfundojmë këtë konflikt shumë më shpejt.
Radio Evropa e Lirë: Edhe një pyetje që duhej ta bëja më parë. Ju deklaruat në përgjigjen tuaj fillestare, "kjo është lufta më e drejtë që kam luftuar ndonjëherë". Ju keni luftuar në dy luftëra të tjera, a mendoni se ato ishin më të padrejta?
David Bramlette: Iraku dhe Afganistani - kam ndjenja të përziera për to, sepse ato janë disa prej kujtimeve më të mira në jetën time. Por, ju e dini, unë nuk isha dakord me mënyrën se si shkuam për ato luftëra. Sidomos Afganistani. Unë isha një Beretë e Gjelbër dhe ajo [luftë] do të kishte qenë një mundësi e përsosur, vetëm me mbështetje të afërt ajrore. Kur filloni të prezantoni forcat ushtarake të armatosura në mënyrë konvencionale, ushtria amerikane, marinsat, çfarëdo qoftë, ata nuk kanë [përvojë] ... Nëse merr një të ri që është 18 vjeç dhe i jep një pushkë në dorë pastaj i dërgon në trajnimin bazë, dhe pastaj pret që ai të shkojë dhe të bëjë kundërkryengritje, ai nuk ka pjekuri për këtë.
Prandaj, kam ndjenja të përziera për të. E dini, unë jam shumë i apasionuar pas çlirimit të të shtypurve. Dhe kjo është ajo që bëjnë Beretat e Gjelbra. Dhe unë mendoj se do të kishte qenë një mundësi e mirë për Beretat e Gjelbra për të marrë kontrollin e kësaj. Sa i përket Irakut…. E dini, fakti që nuk kam një përgjigje të mirë për ju, kjo duhet t'ju tregojë pothuajse gjithçka që duhet të dini për të. Dhe në krahasim me Ukrainën, Ukraina është një vend evropian që ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Tani unë jam në Kiev, dhe është i krahasueshëm me metropolet si Nju Jorku, Uashington D.C., apo thjesht me një metropol tipik amerikan. Është e drejtë, sepse kur Rusia pushtoi, na u kujtua gushti dhe shtatori i vitit 1939, sikur nëse nuk do ta ndalnim këtë gjë këtu, mund të përkeqësohej shumë. Sepse nëse shikoni se çfarë ka bërë Rusia historikisht që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, shihni gjëra të tilla si Transdniesteri (një rajon i shkëputur i Moldavisë që është pro Moskës), Çeçenia, Gjeorgjia, konfliktet e vitit 2014 në Krime dhe Donbas dhe rrëzimi i MH17 (një fluturim i Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore në 2014).
Ka helmime me polonium dhe noviçok, dhe deponitë çeke të municioneve po dalin jashtë kontrollit. Dhe, unë i krahasoj ata me një qen të tërbuar. Dhe nëse nuk e bëjmë -- nëse nuk i ndalojmë këtu -- ndalesa tjetër në atë trajektore është një vend i NATO-s./REL