Militantët e shtetit islamik kanë publikuar videon e radhës ku shfaqin pengun britanik John Cantlie në qytetin e rrethuar të Sirisë, Kobani. Pengu 43-vjeçar flet përpara kamerave duke hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara se luftëtarët e shtetit islamik janë  tërhequr nga Kobani.

“Ndryshe nga ç’raportojnë mediat perëndimore, këtu nuk ka asnjë betejë. Siç mund ta dëgjoni, është shumë qetë, vetëm disa të shtëna të rastit”, thotë Cantlie teksa në sfond tregohen pamjet se si sulmon një avion i telekomanduar i SHBA në Kobani.

Në videon 5 minutëshe, Cantlie thotë se betejës për qytetin në kufirin kurd, tashmë po i vjen fundi dhe militantët po fitojnë. Ai është shfaqur në disa video propagandistike, të cilat kanë për qëllim të ndikojnë në mbulimin mediatik të luftës.

Kjo është videoja e fundit e një serie videosh të shfaqura nga gazetari 43-vjeçar që kur u rrëmbye në vitin 2012.




Redaksia online
(g.f/shqiptarja.com)