Bluzat e bardha, që kryejnë gabime mjekësore, do t’i dëmshpërblejnë vetë pacientë. Për këtë arsye ISKSH, kërkon hartimin e një ligji për sigurimin e profesionit të mjekëve.

Një ligj i tillë, sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, është i nevojshëm, pasi efektet financiare të gabimeve mjekësore, rëndojnë buxhetin e spitaleve. Kjo kërkesë vjen në një kohë, kur pacientët kanë fituar disa gjyqe dhe institucionet janë detyruar të dëmshpërblejnë qytetarët me shuma të mëdha. "Kemi pasur gabime mjekësore të shoqëruara me dëme financiare ku vlera monetare ka qenë 30 milionë lekëshe (2 raste në Vlorë dhe 1 në Lushnje) janë kryesisht mjekim i gabuar dhe dëmtim i shëndetit.

 Prandaj i duhet paraprirë këtij risku duke vënë piketat në një ligj për sigurimin e profesionit. Profesione të veçanta të sigurohen ekstra apo qoftë dhe vetë institucionet shëndetësore të sigurojnë stafin e tyre nga gabimet mjekësore në mënyrë që të përgjigjen para pacientit për dëmet që shkaktojnë", u shpreh Hana. Ndërsa drejtori i Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, Isuf Kalo, kërkon nga ministria e Shëndetësisë të forcojë kriteret në lidhje me licencimin e institucioneve shëndetësore.
"Ideja jonë është që ndofta sistemi i licencimit duhet të jetë shumë rigoroz për sistemin alternativ në mënyrë që ato të përmbushin disa standarde", - u shpreh Kalo. Deklaratat u bënë në konferencën e 7-të të Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, siguroi se nga janari i vitit të ardhshëm, të gjitha institucionet publike dhe private do ti nënshtrohen procesit të akreditimit.

Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shjqiptarja.com)