Ismail Kadare: Dua drejtësi
vepra më përket mua

Ismail Kadare: Dua drejtësi<br />vepra më përket mua
TIRANE- Unë do ta bëja publike këtë çështje kur të mbaronte gjyqi. Tani për tani kjo është një çështje që i përket drejtësisë", ka deklaruar shkrimtari Ismail Kadare dje në një intervistë për "Shqiptarja.com". Çështja e dorëshkrimit "Dimri i vetmisë së madhe" të Ismail Kadaresë, që gjendet në shtëpinë e zonjës Nexhmije Hoxha, pas një debati të madh publik e mediatik, ka çelur siparin e debateve edhe në "portat e ligjit". Ndërsa palët janë në pritje të gjyqit të shpallur nga Kadareja është kërkuar paraprakisht konservimi i dorëshkrimit të Kadaresë. Pas kësaj do të sillen fakte nëse zonja Hoxha e ka të dhuruar dorëshkrimin dhe nëse po a ka të drejtë ajo ta mbajë në shtëpi. Avokati Përparim Rama, thotë se sipas ligjit dorëshkrimi i përket dhe duhet të jetë në pronësi të atij që ka autorësinë, në këtë rast Ismail Kadaresë. Sipas ligjit e drejta i takon atij edhe 70 vjet pas vdekjes. Madje ligji i sotëm mbron edhe rastin e veprimeve të bëra nën presione dhe nën diktaturë, gjë që nuk do ta përjashtonte dot Kadarenë nga e drejta e tij, kur dihet botërisht censura që është ushtruar mbi të dhe ndaj veprës "Dimri i vetmisë së madhe". Ismail Kadare pohon për "Shqiptarja.com" se ka kohë që është interesuar për kthimin e këtij dorëshkrimi. Me keqardhjen që çështja mori kaq bujë, Kadare rrëfen me pak fjalë ndodhinë me dorëshkrimin dhe thotë se është në pritje të vendimit të Drejtësisë. Ndaj ai premton të mos të flasë më gjatë për këtë histori. Ndërkohë avokati Përparim Rama kritikon ashpër drejtuesit e Arkivës Qendrore të Shtetit në vite dhe drejtuesit e Muzeut historik Kombëtar që e detyruan Kadarenë të rendë nëpër gjyqe, kur ligjet thonë se shteti duhet t'ia sekuestrojë zonjës Nexhmije Hoxha dorëshkrimin "Dimri i vetmisë së madhe".

Zoti Kadare për ditë me radhë mediat përpiqen të zbardhin çështjen pse u detyruat të hidhni në gjyq zonjën Nexhmije Hoxha. E keni dhuruar siç pretendon ajo dorëshkrimin?
-Si mendoni ju, a mund të dhurohet një dorëshkrim…

Atëherë si mundet që zonja Hoxha ta mbajë në shtëpinë e saj kopjen unikale të romanit "Dimri i vetmisë së madhe"?
-Vetëm ajo mund ta dijë pse e mban. Unë kam vite që e kërkoj dorëshkrimin. Ndaj iu drejtova gjyqit, por s'doja kurrsesi që kjo çështje të hapej më media. Është një çështje që ka të bëjë me të drejtat e mia si autor i dorëshkrimit. Zonja Hoxha, vetëm në një pikë ka të drejtë, që dorëshkrimin e ka marrë në shtëpinë time. Por, ajo e ka marrë me pretendimin për ta ruajtur. Unë jetoja në një hyrje të ngushtë dhe me lagështi në atë kohë. Ajo, si duket, me syrin e saj prej arkivisteje, e pa që në raftet e bibliotekës sime nuk mund të ishin të mira kushtet e ruajtjes. Kemi biseduar për të dhe më tha: "A mund ta mbaj unë në shtëpinë time?". Dorëshkrimi iu dha asaj sipas një mirëkuptimi nga ana ime për ruajtjen tij.

Pra, zonja Hoxha duhet të ketë abuzuar me mirëbesimin tuaj?
-Ju lutem, mos shkruani asgjë nga këto në media. Madje nuk do të doja të thosha asnjë fjalë për këtë. Më bën nervoz kjo gjë. Mua më vjen keq që mori përmasa të tilla më media kjo punë. Ju duhet të dini se kjo më shumë është një çështje që i përket ligjit. Duhet të ketë ligje dhe rregulla shtetërore, ligje të muzeve, të arkivave, që vendosin se kujt i përkasin dorëshkrimet, pikturat ose gjëra të kësaj natyre. Unë jam nisur të kërkoj dorëshkrimin tim, që më përket mua, sepse jam autori. Është absurde që unë të kem menduar ose të kem pasur dëshirë që t'ia dhuroja dorëshkrimin zonjës Hoxha. Interesi im ishte dhe është që të ruhet ky dorëshkrim.

Zoti Kadare, mungesa e një dorëshkrimi për një vepër aq të njohur si "Dimri" është një mangësi e madhe për vetë Arkivën e Shtetit. Po për ju çfarë rëndësie merr mungesa e tij?
-Mua më mungon origjinali. Është gjithë teksti aty. Është vepra ime, që më përket mua. Ju e kishit shkruar të gjithë historinë e këtij gjyqi në gazetë, ndaj s'ka kuptim që kjo histori të zgjas me këto përmasa që ka marrë publiciteti para këtij gjyqi.

Zoti Kadare, për mediat është normale, emri juaj si shkrimtar i madh përbën lajm; historia e zonjës Hoxha gjithashtu …
-Ju kuptoj, por unë nuk doja ta bëja publike çështjen për pronësinë e dorëshkrimit. Edhe pse kam kohë që jam interesuar për kthimin e këtij dorëshkrimi jam munduar që të mos ta bëjë publike. Unë do të doja ta bëja publike këtë çështje kur të mbaronte gjyqi. Tani për tani kjo është një çështje që i përket drejtësisë. Unë mendoj se do të ishte me interes edhe për ju, edhe për mua se çfarë thonë ligjet dhe drejtësia.

Ju premtoj që do të marrim edhe mendimin e drejtësisë, por ne informuam publikun për rëndësinë e dorëshkrimit dhe arsyet pse e mban në shtëpi zonja Hoxha
-Mirë, mirë, unë ju kuptoj ju, e kuptoj punën e gazetarëve, vështirësitë, por nuk duhet të flasë para se të mbarojë gjyqi.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!