Ismail Kadare nderohet me
çmimin "La Risa de Bilbao"

Ismail Kadare nderohet me<br />çmimin "La Risa de Bilbao"
TIRANE - Një tjetër çmim ka befasuar dje edhe vetë shkrimtarin Ismail Kadare. I parapërgatitur për të qenë pjesëmarrës në Javën Ndërkombëtare të Letërsisë dhe Artit Humoristik, La Risa de Bilbao, që do të zhvillohet nga data 2-7 tetor, shkrimtari nuk e ka mësuar menjëherë që është nderuar me çmimin e këtij festivali. Madje lajmi për këtë çmim ka çuditur dje edhe botuesin e "Onufrit", z.Bujar Hudhri, i cili nuk e ka besuar. Pas telefonates sonë ai konfirmon se "Kadaresë i kishin njoftuar që do të merrte një shpërblim prej 20 mijë eurosh, por nuk ishte bërë i qartë motivi". Nëpërmjet zotit Hudhri, mësuam se shkrimtari Ismail Kadare do të niset nesër në Paris dhe pas disa ditësh qëndrimi atje do të shkojë në festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë dhe Artit Humoristik, La Risa de Bilbao.

Çmimet janë ndarë ditën e hënë dhe shkrimtari shqiptar është shpallur fitues për sensin e tij të humorit të zi dhe ironisë kafkiane. Duke klikuar faqen zyrtare mësuam se festivali starton në edicionin e tretë të tij. Fillimet e këtij festivali ishin për të vlerësuar humorin e zi në artin figurativ dhe veprat letrare dhe skenike dhe në dy edicionet që pasojnë vuri në qendër pjesëmarrjen me krijimtarinë letrare më të mirë. Drejtori i Javës Ndërkombëtare të Letërsisë dhe Artit Humoristik, La Risa de Bilbao, shkrimtari Juan Bas, ka deklaruar se tema e edicionit të sivjetshëm është humori si armë kundër barbarisë, në cilëndo formë që ajo shfaqet.

Edicioni i tretë i këtij festivali do të zhvillohet nga data 2-7 tetor dhe ka zgjedhur si këndvështrim të këtij viti humorin si një armë sa mbrojtjeje, ashtu edhe sulmi kundër barbarisë në formën e totalitarizmit, terrorizmit, margjinalizim kulturor… dhe në formën më të përgjithshme gjithçka që çon në shkatërrimin e kulturës dhe të qytetërimit. Sipas Bas, këtë vit çmimi i festivalit do t'i akordohet shkrimtarit shqiptar, fitues i çmimit Princi i Asturias dhe kandidat për çmimin Nobel, Ismail Kadare, që përmes një humori të zi dhe kafkian ka denoncuar barbarinë në Shqipëri. Sipas organizatorëve, Kadare do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimit dhe do të flasë përpara publikut, bashkë me shkrimtaren Carmen Posadas.

Në këtë edicion, i cili është më modest se ai i një viti më parë, me një buxhet prej 350.000 eurosh, do të zhvillohen edhe tri sesione mbi temën Dialogu mes shkrimtarëve. Në dialogun e parë, historiani Paul Preston dhe novelisti Lorenzo Silva, do të flasin mbi Humori nën bomba, duke u përqendruar në periudhën e bombardimit mbi civilët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në luftën civile spanjolle, pasi koincidon me 75-vjetorin e bombardimit të Guernikës nga trupat gjermanë. Poeti Andres Trapiello dhe filozofi Fernando Savater do të flasin mbi humorin kundër barbarisë dhe shkrimtarët baskë, Jon Juaristi dhe Bernardo Atxaga, mbi Kompromisin e autorit nën barbari. Gjatë ditëve të festivalit nuk do të mungojnë edhe ekspozitat me karikatura, promovimet e librave etj.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga