Ismail Kadare, një
poezi kushtuar Leninit

Ismail Kadare, një<br />poezi kushtuar Leninit
TIRANE- Prill 1970. Në Shqipërinë e diktaturës kujtohet me madhështi 100-vjetori i Lindjes së Vladimir Iliç Leninit. Revista “Nëndori” (siç quhej deri në vitin 1972, kur pas Kongresit të Drejtshkrimit u korrigjua në “Nëntori”) një prej organeve më prestigjoze të kohës ia kushton numrin e muajit prill të gjithin këtij përvjetori.  Kjo praktikë nuk përbën ndonjë çudi sot 43 vite më vonë, ndërsa shfletojmë shtypin e kohës. Por tek kujtojme debate e polemika të shumta në median e sotme mbi marrëdhënien e shkrimtarëve dhe artistëve me regjimin, censurën, autocensurën e mekanizma të tjerë të regjimit dhe dëmet që i kanë sjellë letërsisë dhe arteve, ia vlen ti sjellim ndër mend, sigurisht pa dashur të fyejmë askënd e njëkohësisht pa dashur ti gjykojmë. Faktet dhe ngjarjet në histori duhen analizuar në kontekstin dhe rrethanat e kohës. E në atë kohë nuk tingëllonin si sot. Nga koleksioni i “Nëntorit” kemi shkëputur jo më kot këtë numër që i është dedikuar Leninit dhe kemi shkëputur nga gjithë materialet e tij dy poezitë që po sjellim më poshtë. Autorët e tyre, Ismail Kadare dhe Xhevahir Spahiu, janë dy emra me kontribut të veçantë në letrat shqipe, të shumëdiskutuar si në kohën e regjimit ashtu edhe pas viteve ’90-të, ndërsa mbijetesa e tyre dhe e disa emrave të tjerë të artit e letërsisë, në kushtet e atij regjimi do të mbetet gjithnjë një fushë grishëse për studiuesit.
 
Nga Ismail Kadare
 
Lenini
… Ndodhte që i lexoja vargje, ndërsa ai vështronte i mejtuar në dritare, në castet e perëndimit të diellit…
Krupskaja

1
Për të un’ rashë shumë në mendime,
Edhe shumë herë jam matur për të shkruar,
Porse në vargjet e fletores sime
I rrallë është emri i  tij, si gur i çmuar.
Në vargje ai duhet të jetë
Përmes furtunës revolucionare,
Mes ngricave të vjeshtës së tretë,
Mes flamujve që skuqin porsi zjarre.
Prandaj lirikat shpesh kam grisur unë,
Sepse më dukej s’mbanin er’ furtunë,
Por erë fushash, bari të kositur
Ku hënëza vështron në rrugën e dremitur

2
Po nuk ka gjë: Iliçi le të jetë
Në mes pejzazheve që dua shumë.
Mes rrugëve, mes fushave të qeta,
Ku zhurmëron një lis, ku rrjedh një lumë.
Sepse Ai në eci nëpër shqota
Në rrugë plot me erëra tetori,
I deshte bukuritë e kësaj  bote
Dhe drurëtedhe gjethet tej oborrit,
Dhe zjarrin që në fushë tutje fiket.
E desh Ai si shpirti i lirikut.
Deshi Ai dhe velën mbi liqenë.
Dhe fushën që po flë ku muzgjet vinë e venë.

3
Atij mëngjezi i bukur i kujtonte
Të ardhmen mbi Rusinë e paanë.
Dhe perëndim i skuqur i kujtonte
Ata që për tetorin vanë e ranë.
Dhe diellin që po ulej kur sodiste,
me libër nëpër duar tek dritoret,
Ai e dinte: perëndim s’do kishte
Mbi botën dielli i zjarrtë i Tetorit
Oh, unë e shoh kur përsëri i qetë
Me sytë e ndritur ngulur përmbi fletë,
Ndërsa thellimi fryn jashtë në drurë:
“Fitoret kurrë ne nuk do ti lëmë, Kurrë”*)
1957
*Kështu thoshte shpesh Lenini, siç rrëfen Krupskaja, duke ndryshuar vargjet e poetit komunar Euzhen Potje: “Jo kurrë s’do ta lëmë ne Komunën”
 
Xhevahir Spahiu
Baladë shqiptare për Leninin
 
Ai hyri në pallatin ku ish parlamenti
Në brez: revolveri ende i nxehtë nga vrasja e Esat Pashës në Paris:
Hyri dhe tha shkurt e saktë si pesë të shtëna revolveri:
Zotërinj,
Pesë minuta heshtje,
Lenini vdiq.
 
Të gjithë më këmbë
Më këmbë të gjithë!
 
Shtangën drurët. Zogjëve kënga në buzë u mbeti,
Me një kuje të tmerrshme qau e klithi era
Globit për një çast i humbi graviteti
dielli humbi shokun, shkau e ra në humnera
 
U ranë varetë nga duart kovaçëve
Parmendën në mes të brazdës fshatarët se ç’e lanë
O ç’heshtje e rëndë
Një heshtje e tillë
S’ish ndjerë ndonjëherë,
S’ish parë në asnjë dramë.
 
Pesë minuta heshtje,
Lenini vdiq…
Të gjithë më këmbë,
Më këmbë të gjithë.
 
Pallati u lëkund
Këmbë-trokitje në sallë
“Baballarët e kombit” njëri tjetrin panë në sy;
“Ai nga Rusia,
Ky nga Libohova,
Ç’djall i nxori në një breg të dy?!
Ç’u kujtove vdekjen Avni “Baballarëve”
Ata për zgjerimin e gjerdheve të tyre ëndërronin
-Vdekjes suaj t’i ngriheni
Të gjithë më këmbë,
Fjalët e tua gjëmonin.
 
Kjo s’kish ngjarë asnjëherë
Asgjëkundi s’kish ngjarë
Zotërinjtë më këmbë Leninit?!
Zotërinjtë s’janë komunarë.
 
Tokën deshën të na ndanin në ngastra
Po mbi traktatet u lëshua Lenini i tmerrshëm
Lenini ish i madh sa kreshnikët e elegjive tona të lashta
Ai s’kish lindur në Simbirsk, po në pesë kontinentet njëherësh.
 
Vallë si e gjeti udhën mes këtyre shkëmbenjëve
Lenini- zemër e gjithëkujt?
Tokën Lenini ua dha fukarenjve
Tokën e tundi…
 
Lenini si askush u qau hallet të mjerëve
Hallet që s’ua qanë dot as malet me dëborë
Lenini sec kish dicka të përafërt me malet
Lenini vuante nga tragjedia jonë.
 
Pa ç’ka se të mjerët as emrin Leninit nuk dinin  t’ja shkruanin
 
Leninin e kuptonin; Ai si ata s’kishte bukë
Lenini kish thënë:
Sarajet do të shëmben,
Po të ngrihen kasollet në luftë.
 
Pesë minuta heshtje,
Lenini vdiq!
Të gjithë më këmbë
Më këmbë të gjithë!
 
Shtangën drurët. Zogjve në buzë kënga u mbeti
Me një kuje të tmerrshme qau e klithi era
Globit për një çast i humbi graviteti
Dielli humbi shokun, shkau e ra në humnera.
 
Diçka drodhi malet që as qepallat s’kishin luajtur në shekuj
Malet gjokszbuluar që prisnin stuhinë
Populli “Ngreu!” i tha parlamentit
Populli ngriu mbi parlament djalin e tij, Avninë.
 
Tek të gjithë do të zgjohej brez pas brezi Lenini
Po dhimbja ish e madhe
Populli betohej se do ta ruante
Si malet.
 
Dihet kë ruajnë malet.

Pesë fjalët e Avni Rustemit. Pesë të shtëna:
Vdiq Lenini,
Pesë minuta heshtje.
 
Mikro-Feudo Borgjezët u ngritën për Leninin më këmbë;
Po vdiste parlamenti.
 
Shkrimi u publikua sot (26.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie