Ismail Qemalit: Koncensione, asnjë
pëllëmbë tokë mos t’u shitet të huajve

Ismail Qemalit: Koncensione, asnjë<br />pëllëmbë tokë mos t’u shitet të huajve
Autoriteti i Qeverisë së Vlorës për arsyet e pushtimeve të huaja dhe të partikularizmit çifligar u shtri në një zonë mjaf të ngushtë, e cila, për më tepër kishte pësuar dëme të mëdha ekonomike nga Lufta Ballkanike. Brenda saj bënin pjesë krahina të varfra, me toka kryesisht moçalore që nuk plotësonin me drithë nevojat e vendit.
Në fshat sundonin marrëdhënie gjysmë feudale. Popullsia ishte pothuajse krejtësisht analfabete. Klasa punëtore ishte një klasë tepër e dobët, e cila nuk çonte peshë të madhe në jetën ekonomike e politike të vendit.
Në këto kushte, kur premisa politike pavarësia kombëtare qe fituar, Ismail Qemali kryetari i Qeverisë së përkohshme deklaroi se ishte e domosdoshme të merreshin masa për ta nxjerrë vendin nga prapambetja dhe për ta shpejtuar zhvillimin ekonomik të tij. Por futja e Shqipërisë në këtë rrugë vështirësohej nga gjendja e ngushtë financiare dhe nga faktorë të tjerë objektivë e subjektivë. Përballë këtyre vështirësive dhe mungesave të shumta, Ismail Qemali mendonte se zhvillimi i shpejtë i vendit, ngritja e industrisë, modernizimi i bujqësisë, zhvillimi i komunikacionit, nuk mund të realizoheshin pa një ndihmë financiare nga jashtë dhe pa përkrahjen e kapitalit të huaj nëpërmjet dhënies së koncesioneve. Por, ai mendonte se koncesionet nuk i duheshin dhënë vetëm një fuqie të madhe, por disave prej tyre, sepse ruajtja e ekuilibrit ndaj fuqive që ushqenin synime ndaj Shqipërisë mund të shmangte rrezikun e futjes së Shqipërisë nën varësinë ekonomike dhe politike të njerës prej tyre. Sipas tij ky rrezik vinte sidomos nga Austro-Hungaria dhe Italia, të cilat kishin shumëfishuar presionin për marrjen e koncesioneve ekonomike dhe për një ndërhyrje në shkallë të gjerë në Shqipëri.

Sapo Ismail Qemali dhe qeveria e tij shpalli se do të jepnin koncesione të natyrës ekonomike, kapitali i huaj dhe në radhë të parë, kapitali italian e austriak, shpejtuan të tregoheshin dashamirës për plotësimin e kërkesave të qeverisë së parë shqiptare. Por Ismail Qemali, duke mos dashur që koncesionet të bëheshin monopol vetëm i Italisë dhe i Austro-Hungarisë tërhoqi edhe interesimin e Fuqive të Antantës. Në bisedën që ai pati me Krajevskin, delegatin francez në KNK, e hodhi poshtë akuzën e tij, se Qeveria e Vlorës në dhënien e koncesioneve, sidomos në koncesionin për krijimin e Bankës Shqiptare vinte në diskutim kapitalin francez, ndërsa favorizonte atë italian e austro-hungarez. Ai i tha Krajevskit, “nuk kishte asnjë preferencë, të paravendosur njëherë e përgjithmonë” dhe “ se kishte bërë përpjekje në Londër e në Paris për të marrë kredi për shtetin e ri, por pa rezultat”. Në Paris, Drejtoria e Bankës Perandorake otomane e quajti Ismail Qemalin “të marrë kur guxonte të kërkonte hua për një shtet që nuk ekzistonte akoma”.

Ky qëndrim negativ e shtyu Ismail Qemalin t’i drejtohej Vjenës e Romës, duke hyrë në bisedime për dhënien e koncesioneve mjaft shoqërive italiane e austro-hungareze, të cilat i bënë oferta të ndryshme. Koncesionet që vendosi të jepte qenë kryesisht për Bankën Kombëtare, për një shtypshkronjë të madhe, për vendosjen e një kablloje telegrafike nga Shëngjini në Bari, për ndërtimin e një hekurudhe Vlorë-Durrës -Shkodër, për ndërtime portesh etj.
Marrja e koncesioneve u bë fushë rivaliteti midis shoqërive koncesionare italiane dhe austro-hungareze. Për dhënien e koncesionit të tramit Vlorë-Ujë i Ftohtë një shoqërie italiane, qeveria përcaktoi disa kushte: 1) ai do të qe nën kontrollin e saj; 2) do të jepej mbi parimin e garancisë reciproke që do të fiksohej në një rregullore të veçantë; 3) koncesioni mund të merrej edhe nga ndonjë shoqëri tjetër, në rast se ajo do të afronte kushte më të favorshme për qeverinë etj. Me të tilla kritere veproi kryetari i qeverisë edhe në dhënien e koncesionit për ndërtimin e hekurudhës Vlorë-Durrës-Shkodër. Ai u nis nga parimi për të pranuar atë projekt hekurudhor që do të ishte me më pak shpenzime, më i leverdisshëm dhe më i favorshëm për Shqipërinë. Këto kushte i plotësonte projekti austriak prandaj atij iu dha ky koncesion. Mirëpo dhënia e tij preku palën italiane.

Prandaj konsulli i Italisë në Vlorë filloi, të bënte presione të hapura duke e akuzuar Ismail Qemalin sikur ai i kishte “trajtuar në mënyrë jo të barabartë” projektin italian ndaj projektit austro-hungarez për koncesionin e hekurudhës.

Për ndërtimin e hekurudhës, Ismail Qemali mendonte të angazhonte si ndërmjetës grupin bankar austro-italian. Lidhur me kushtet e ndërtimit ai përcaktoi se qeveria shqiptare nuk do të luante rolin e vëzhguesit pasiv, por do të përpiqej ta mbante në dorën e saj nismën e punimeve me qëllim që veprimtaritë e shoqërisë në Shqipëri të mos paralizohej qoftë nga plogështia e të dy shteteve, qoftë dhe nga mosmarrëveshjet e tyre. Këtë qëndrim ai vendosi ta mbante edhe për ndërtimin dhe vënien në shfrytëzim të objekteve ekonomike që do të ngriheshin, për të cilat kishte kërkuar specialistë nga të dy fuqitë, me një afat “kohe të caktuar nga një deri në tre vjet. Ai kërkonte që ardhja e tyre të bëhej sa më shpejt, para se të vinte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, me qëllim që ky të vihej para një fakti, të kryer dhe të mos pengonte masat e marra nga qeveria.
Ngritjen e një banke kombëtare Ismail Qemali e shihte si një çështje tepër të rëndësishme, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për t’i ardhur në ndihmë borgjezisë së dobët shqiptare. Mbas bisedimesh, të gjata të bëra midis Ismail Qemalit dhe përfaqësuesve të kapitalit austriak dhe italian, iu dha atyre koncesioni për të krijuar një bankë emisioni në Shqipëri me emërtimin Banka Kombëtare Shqiptare. Më 4 tetor 1913 Qeveria e Vlorës lidhi marrëveshje me Viner Bank Ferain (Ëiener Bank Verein) dhe Bankën Tregtare Italiane (Banca Commerciale Italiana). Në marrëveshje parashikohej krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare me pjesëmarrjen e kapitalit austro-italian, me afat 60-vjeçar që mund të zgjatej me pëlqimin e të dy palëve.

Gjatë bisedimeve për themelimin e bankës, Ismail Qemali luftoi kundër orvatjeve të grupeve financiare austriake e italiane për t’i imponuar qeverisë kushte skllavëruese dhe ia arriti deridiku qëllimit. Këto grupe pranuan një varg kërkesash të tij, të cilat gjetën miratim në akt-koncesionin. Kështu banka do të ngrihej në Shqipëri dhe do të themelonte brenda dhe jashtë shtetit degë dhe agjenci të saj. Ajo do të administrohej nga një këshill që do të qe i përbërë nga përfaqësues të dy grupeve dhe me elemente shqiptare.
Qeverisja e saj do të bëhej sipas ligjeve në fuqi në Shqipëri. Qeveria shqiptare kishte të drejtë të emëronte dhe të kontrollonte nxjerrjen e biletave, por nuk do të ndërhynte në administrimin dhe studimin e punëve të Bankës etj.
Me këto masa banka do të ndihmonte konkretisht në krijimin e sistemit monetar dhe të kreditit në Shqipëri.
Pavarësisht nga disa anë pozitive që kishte marrëveshja, kjo i dha shkas shpërthimit të një kundërshtimi të mjaft rretheve shqiptare që u shqetësuan mjaft nga ndërhyrja e huaj të cilën e kuptuan si një rrezik për pavarësinë ekonomike e politike të vendit, gjë që e detyroi Ismail Qemalin të jepte shpjegime. Në fjalimin që mbajti para popullit të Vlorës, më 21 tetor 1913, ai e vlerësoi krijimin e Bankës Kombëtare në përshtatje me kushtet e atëhershme ose “pas kohës që gjendemi”, siç theksonte ai, si një forcim të pozitave të brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar. Kamata që do të merrte banka do të qe me leverdi dhe për pagimin e saj, sipas tij “asnjeri nuk do të gjindej në shtrëngim”.

Ismail Qemali nënvizoi në këtë fjalim se kapitali i bankës prej 10 milionë frangash ari, do të përdoreshin nga shqiptarët për çdo veprimtari ekonomike me një kamatë prej 4,5 deri 6 për qind e jo me kamatë, 20,30 e 70 për qind, siç praktikonin fajdexhinjtë. Dhënia e huasë me kamatë të ulët, sipas tij, por që në fakt nuk ishte aspak e ulët sidomos për Shqipërinë, do t’i priste rrugën shitjes së tokës nga ana e fshatarësisë. Banka Kombëtare mendonte Ismail Qemali do të shërbente edhe për ngritje objektesh industriale, për ndërtime hekurudhash për ndreqje limanesh etj. Në këtë drejtim qeveria do t’i jepte asaj të drejtën të kryente investime vetëm aty ku kishte leverdi ekonomike. Por nga ana tjetër Ismail Qemali shprehej dhe kundër frymës së monopolit, sepse “monopoli e bën njerëzimin të paguajë shumë e qeverinë të fitoje pak”.
Me gjithë kushtet që i vuri Ismail Qemali marrëveshjes së Bankës, të cilën ai e quajti “i dyti fitim, pas lirisë dhe nga pikëpamja ekonomike e politike”, duhet thënë se krijimi i një banke me kapital shqiptar do të qe zgjidhia më e drejtë e këtij problemi. Por këtë me sa duket Ismail Qemali dhe shokët e tij e shikonin të vështirë dhe preferuan bankën me kapital të huaj, por nën kontrollin shqiptar, e cila mund të ngrihej më lehtë e më shpejt.

Ky koncesion nuk u aprovua nga një pjesë e mirë e opinionit publik shqiptar dhe u konsiderua si një hap drejt skllavërimit ekonomik e politik të Shqipërisë, për shkak se sistemi monetar, krediti bankar dhe financat e vendit do të viheshin nën kontrollin e Austro-Hungarisë dhe të Italisë.
Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm mbajtën edhe disa rrethe patriotike të disa kolonive shqiptare të mërgimit. Në gazetat shqiptare që dilnin jashtë vendit u shfaqën mendime për krijimin e bankës me kapitale shqiptare. U shfaqën madje edhe mendime se Banka Shqiptare mund të krijohej edhe duke mobilizuar kursimet e shtresave të gjera të popullit.
Pikëpamja e Ismail Qemalit se pariteti austro-italian në përbërjen e kapitalit themeltar të Bankës Kombëtare si dhe interesat kontradiktore që ekzistonin midis tyre në lidhje me çështjen shqiptare nuk do ta lejonin institucionin financiar që të bëhej vegël e Vjenës ose e Romës, nuk u miratua nga rrethet përparimtare të vendit. Sipas tyre ekuilibri midis Austro-Hungarisë dhe Italisë me kalimin e kohës mund të prishej dhe si rrjedhim banka do të binte patjetër në dorën e njërës prej tyre. Kjo do të qe me pasoja të rrezikshme për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, të fituar me shumë sakrifica. Pavarësisht nga kundërshtimi i qarqeve patriotike shqiptare, kontrolli i rreptë që filloi të ushtronte KNK mbi financat e Shqipërisë dhe protestat e fuqive të tjera të mëdha që u përjashtuan nga pjesëmarrja në kapitalin themeltar, e paralizuan krejtësisht Bankën Kombëtare të Shqipërisë që në lindjen e saj.
Në fjalimin që mbajti më 21 tetor 1913, Ismail Qemali preku disi por jo në mënyrë aq të qartë edhe çështjen e tokës. Me këtë rast ai shfaqi edhe pikëpamjen e tij lidhur me problemin agrar, zgjidhja e të cilit ishte një problem kyç për fshatarësinë “Ju e dini fort mire, - tha- ai, - se një zot i çifligut a zot i një copës së madhe dheu, kur shtrëngohet për të bërë një shtëpi, për të blerë bagëti e për të përparuar bujqësinë e tij, huet (merr hua), e kur faisi është i lirë e koha e (shlyerjes) e gjatë dhe të ardhurat të shtuara, dheu mbetet pa shitur”. Ismail Qemali goditi veprimet e fajdexhinjve, të cilët “prisnin të blinin nga të zotët që gjendeshin në shtrëngim dhenë për ta shitur më shtrenjtë të huajve”. Ai nuk do të lejonte që toka t’u shitej të huajve. “Kemi venduar (vendosur) me një mënyrë të patundshme - theksonte ai - që të mos nxjerrim prej dorës së qeverisë (është fjala për të mos ia shitur tokën të huajve) asnjë shuplakë (pëllëmbë) nga çifligjet e saj edhe të marrim çdo masë që të mos jetet kurrë shqiptari pa qenë zot i dheut”. Shkurt, Ismail Qemali çështen agrare nuk e trajtoi siç e kërkonin interesat e vendit, në mënyrë radikale, por në mënyrë të ngushtë.
Rezultati konkret i masave të marra nga I. Qemali si kryetar i Qeverisë së Vlorës, për çështjen agrare ishte shtetëzimi me anë të konfiskimit të 175 çifligjeve që kishin qenë zotërime të sulltanit dhe të shtetit osman, me një sipërfaqe 56,237 ha, duke u bërë kështu vetë shteti shqiptar çifligari më i madh i vendit.
Kalimi i këtyre çifligjeve nga pronë e shtetit osman në pronë e shtetit shqiptar, ishte një masë e rëndësishme nga pikëpamja kombëtare por kjo nuk e ndryshonte përmbajtjen e marrëdhënieve të pronësisë mbi tokën, sepse marrëdhëniet e vjetra nuk u ndryshuan.
Kështu as Ismail Qemali, dhe përfaqësuesit e tjerë të borgjezisë në qeveri nuk arritën të hartonin një program të qartë ekonomik për fshatarësinë, që ishte edhe problemi më i rëndësishëm që kërkonte zgjidhje. Ndonëse Ismail Qemali dhe elementet demokratikë të qeverisë në kushtet e acarimit të luftës me çifligarët e mëdhenj mund të kenë menduar për një reformë agrare borgjeze të kufizuar, ata nuk arritën ta realizonin as këtë.
Koha e shkurtër e qëndrimit të Ismail Qemalit si kryetar qeverie dhe problemet e rëndësishme që u shtruan para vendit, si çështja e kufijve, çlirimi i vendit nga ushtritë pushtuese etj e vështirësonin zgjidhjen e këtij problemi. Këtu shtojmë dhe gjendjen, tepër të prapambetur ekonomiko-shoqërore të vendit,të trashëguar nga sundimi i gjatë osman.

(Autorja është dekane e fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin ILLYRIA, Tiranë.)
(Shkrimi është publikuar te "Rilindasi" 20 maj, 2012, e përjavshmja kulturore e gazetës Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë