Personi i arrestuar për aferën e CEZ, Kastriot Ismailaj u transferua në qelitë e paraburgimit “Mine Peza”, në Tiranë. Nga muaji Maj i këtij viti, Ismailaj qëndronte në qelitë e burgut të Fierit, por dje ai u transferua në Tiranë. Shkak për këtë lëvizje është bërë kërkesa e Prokurorisë për ta pasur më afër të pandehurin, pasi ndaj tij së shpejti pritet të nisë procesi gjyqësor. Afera për CEZ ka përfshirë krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Përveçse i akuzuar, Kastriot Ismailaj është njeriu kyç që mund të dëshmojë edhe mbi përfshirjen e politikanëve në aferën e CEZ.

Ismailajt i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare me urdhër të prokurorisë. Pavarësisht se është në burg, Ismailaj vazhdon të ngulmojë në Arbitrazh, ku është përballë shtetit shqiptar për 135 milionë euro. Ndërkohë që prokuroria e Tiranës duket se ka gjetur një rrugëdalje ligjore për të marrë të pandehur ish-drejtorin e “CEZ Albania” Josef Hejsek. Ky i fundit sipas prokurorisë ka bashkëpunuar me shtetasin shqiptar të arrestuar Kastriot Ismailaj, dhe ky bashkëpunim ka qenë në fillesat e këtij megamashtrimi duke përfunduar deri në lëvrimin e pagesës prej 4.6 milion euro nga kompania “CEZ Albania” në kompaninë “Debt International Management”.

Po si do e akuzojë prokuroria e Tiranës Josef Hejsek, në një kohë kur ky i fundit ka pasur mbrojtje ligjore, nga marrëveshja e lidhur mes CEZ Albania dhe shtetit Shqiptar, e cila i garantonte atij mos nisjen e asnjë procedimi penal? Për këtë, prokuroria shprehet se kanë gjetur dhe rrugën ligjore që rrëzon mburojën për ish-drejtorin Hejsek. Sipas akuzës, marrëveshja mes “CEZ Albania” dhe shtetit shqiptar, është miratuar në parlament nëpërmjet një ligji dhe kjo marrëveshje është bërë me ligj, dhe jo me ratifikim.

Nisur nga situatë, duke marrë hiearkinë juridike të Shtetit Shqiptar, në këtë rast prevalon më tepër Kodi Penal se sa ligji që ka shërbyer për lidhjen e marrëveshjes mes “CEZ Albania” dhe shtetit. Nisur nga këto kushte sipas burimeve të prokurorisë shtetasi Austriak Josef Hejsek nuk ka asnjë mburojë ligjore, dhe ai mund të merret i pandehur në muajt në vijim.

*Shkrimi u botua ne gazeten print Shqiptarja.com 

Redaksia Online
Shqiptarja.com