Ismet Bahtijari pranon fajësinë për frikësim të dëshmitarit dhe pengim të drejtësisë

Ismet Bahtijari pranon fajësinë për frikësim të dëshmitarit dhe pengim të drejtësisë

Ismet Bahtijari

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Bahtijari, e ka pranuar fajësinë për frikësim të dëshmitarit dhe pengim të drejtësisë, të entjen para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, si dhe është pajtuar me një dënim deri në dy vjet burgim.

Bahtijari e bëri këtë nëpërmjet një marrëveshjeje për pranim të fajësisë që e arriti me Prokurorinë e Specializuar.

Ai akuzohet se, së bashku me Haxhi Shalën dhe Sabit Jonuzin, kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar për të mos dëshmuar para Gjykatës Speciale.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhet fjalë apo në cilin rast ka qenë e paraparë të dëshmojë ai.

“Fajtor”, tha Bahtijari para panelit gjyqësor kur u pyet të deklarohet për akuzat kundër tij, në seancën e datës 19 dhjetor.

Me këtë marrëveshje, ndër tjera, Bahtijari u pajtua që në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apelimi ndaj këtij vendimi.

Një ditë më parë, edhe Shala e Jonuzi e pranuan fajësinë në gjykatë pas marrëveshjeve që arritën veç e veç me Prokurorinë.

Shala u pajtua me një dënim deri në dy vjet burgim ndërsa Jonuzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj.

Paneli gjyqësor ka bërë të ditur se vendimi për pranimin apo jo të marrëveshjeve të pranimit të fajësisë për të tre të akuzuarit “do të bëhet me kohë”.

Çfarë thotë akuza për Shalën, Jonuzin e Bahtijarin?

Aktakuza e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik, 2023, thotë se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kontaktuan një dëshmitar.

Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.

Tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.

Vepra në grup, sipas Prokurorisë, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia